Njeriu që Gjeti një Beograd Tjetër

Idro Seferi mund të mos i kishte as tetë vjet, kur rreth 50 policë serbë që atëherë kontrollonin Kosovën, i “trokitën” në derë për t’ia bastisur shtëpinë. 

Babai i tij të njëjtën ditë ishte ndaluar për disa orë, ngase punonte në fshatin ku një incident i armatosur u kishte marrë jetën disa shqiptarëve dhe një kolegu të atyre që bastisnin. 

“Ne nuk e dinim se çfarë kishte ndodhur dhe kanë qenë orë të tëra tmerri. Por, këto nuk janë rrëfimet e vetme dhe jo vetëm të mijat. Në një zonë si Peja, në vitet ‘90 nuk ka qenë shumë qetësi”, kujton Seferi. 

Ishte viti 1992, koha kur institucionet kosovare që funksiononin jashtë sistemit të Serbisë, e nëpër shtëpi, po mbanin zgjedhjet parlamentare që nuk u njohën ndërkombëtarisht. 

Katërmbëdhjetë vjet më vonë, në rrethana krejt tjera, fëmija i dikurshëm, tash i rritur e me profesionin gazetar, udhëtonte për herë të parë drejt Beogradit për ta ndjekur gjykimin kundër atyre që akuzoheshin për vrasjen e 48 anëtarëve të familjes Berisha të Suharekës, më 26 mars të vitit 1999. 

“Pak mund të shihnim nga mediet e Kosovës në atë kohë ngjarje apo rrëfime nga Serbia. Kjo nuk më dukej e mirë, e sidomos me një vend që ne kemi qenë në luftë dhe për të cilin duhej të dinim më shumë sesa dinim”, shpjegon motivin e shkuarjes Seferi. 

Ai ndjente një etje për t’iu përgjigjur shumë pikëpyetjeve që i kishte në kokë në lidhje me Serbinë, jo vetëm për vete, por edhe për të tjerët. Prandaj u rikthye në Beograd, këtë herë për të qëndruar më gjatë, për ta eksploruar ngadalë e mirë. 

Të gjitha duhej t’i prekte e provonte vetë. Pa ndihmën e askujt. 

“Nuk kam njohur asnjë njeri atëherë dhe ka qenë interesante për mua ta mësoj vetëm një qytet të madh. Ta mësoj gjuhën në një nivel të kënaqshëm dhe të mbijetoj e krijoj shoqëri. Besoj se për këto do të flas në ndonjë rrëfim në libër”, tregon Seferi. 

Në këtë periudhë, ai me qejf do ta fishkëllente këngën e Stingut “An englishman in New York”, sepse kështu ndihej. Por me kohë u mësua. 

Nëpër Beograd me targat AL

Edhe ndeshja Serbi-Shqipëri e 14 tetorit, e ndërprerë në minutën e 42-të të pjesës së parë, e gjeti në stadiumin e Partizanit, në pjesën e tribunave ku rrinë gazetarët, duke raportuar për “Top Channel-in”, mediumin shqiptar ku punon. 

Atë ditë në vendin e ndërtuar për të luajtur futboll ishte atmosferë e rëndë, pasi u fishkëllua himni i Shqipërisë, ndërsa tërë kohën brohoritej “Vrite, vrite, vrite shqiptarin”. 

Tensionet shpërthyen kur në fushën e lojës “ateroi” një fluturake e vogël që bartte hartën e Shqipërisë Etnike dhe imazhet e dy figurave kombëtare shqiptare, ndërsa tifozët hynë dhe sulmuan lojtarët e ekipit mysafir. 

Seferi tregon se ishte vështirë, jo vetëm në terren. 

“Ne nuk e kishim ndërmend të dilnim. E kishim ndërmend të raportonim. Për të dalë te pjesa ku kishim pajisjet dhe mundësinë e lidhjeve me satelit ishte mjaft vështirë, pasi duhej të kalonim nëpër tribuna tek tifozët”, thotë gazetari.

Ai rrëfen se doli ndër të fundit nga ky objekt sportiv, duke vozitur nëpër Beograd me një makinë që kishte targa të Shqipërisë. 

“Ishim në një hapësirë në parkingun e stadiumit, bashkë me disa policë të njësive speciale serbe. Kemi qenë të fundit që jemi larguar. Mund ta imagjinoni-me targa shqiptare nëpër Beograd pas kësaj ndeshjeje. Pamje e bukur!”, komenton ai.

Edhe pse nuk pajtohet me shumë gjëra absurde që ndodhën gjatë ndeshjes, Seferin nuk e befasuan ato që pa. 

“Fuqia e politikës në Ballkan është nacionalizmi. Ne nuk merremi me gjëra konkrete dhe me zhvillim. Po ta shohim historinë e tërësishme, është histori luftërash dhe okupimesh”, shpjegon ai. 

Këtë fuqi nacionalizmi e provoi edhe kur raportoi direkt në gjuhën shqipe nga Veriu i Kosovës gjatë vitit të kaluar, kur po mbaheshin zgjedhjet e para lokale të organizuara atje nga institucionet kosovare. 

Idro Seferi nuk e ndali raportimin, edhe pse spektatorë të tij i pati grupet që kundërshtonin zgjedhjet. Ishte i vetmi gazetar shqiptar që guxoi ta bëjë këtë. 

Megjithatë, ai mendon se edhe e ardhmja e raporteve serbo-shqiptare mund të jetë tjetër. 

“Ka mungesë të individëve që janë aktivë si aktivistë dhe nuk janë pjesë e askujt, por njerëz të lirë. Besoj se edhe te shqiptarët, edhe te serbët, ka më shumë njerëz normalë sesa arrogantë, por zotërojnë me ne klasa sipërfaqësore”, mendon ai. 

Tejkalimi i së keqes me humor 

Për të thënë diçka të re e ndryshe për ngjarjet që ndodhën në stadium dhe jashtë tij, Seferi mori pjesë në Emisionin satiriko-humoristik “24 Minuta” të prezantuesit serb Zoran Kesiq në Mediumin “B-92” më 19 tetor, pesë ditë pas ndeshjes Serbi-Shqipëri. 

Ai ia dhuroi një bukë nga furrat e djegura të shqiptarëve moderatorit, duke u solidarizuar me bukëpjekësit që pësuan pas tensioneve politike të nxitura nga përballja e dy ekipeve futbollistike në fushë. 

“Është e tejpjekur, por kështu ishin rrethanat”, i tha Seferi Kesiqit për bukën, ndërsa nikoqiri i tij dhuratën e konsideroi më të mirën që ka marrë ndonjëherë. 

Në emision, Seferi u pyet se pse vëllezërit e kryeministrave të Serbisë e Shqipërisë Andrej Vuçiq e Olsi Rama po tërheqin vëmendjen e opinionit. 

“Mendoj që vëllezërit e kryeministrave nuk janë shumë fajtorë. Ata vetëm ndodhen në vend të gabuar e në çast të gabuar. Dikur ishte një gjë e mirë ta kesh një vëlla të madh, ose vëlla që mundet të të nxjerrë, por sot nuk është kështu”, u përgjigj Seferi. 

Andrej Vuçiq u rrah më 28 shtator nga xhandarmëria serbe, ditën që mbahej “Parada e Krenarisë” në Beograd, ndërsa Olsi Rama u akuzua nga autoritetet serbe se ditën e ndeshjes Serbi-Shqipëri, drejtoi fluturaken që hyri në stadium me simbole shqiptare. 

Seferi në “24 Minuta” tregoi edhe si do të vendoste për ndeshjen e ndërprerë sikur vetë të ishte UEFA. 

“Gjithsesi unë do ta zhvilloja ndeshjen në tri stadiume. Në njërin të jenë tifozët serbë, në tjetrin shqiptarët dhe në të tretin të luhet futboll”, tha Seferi. 

Por UEFA nuk e “dëgjoi” Seferin. Pesë ditë pas këtij emisioni, ia dha fitoren 3:0 në tavolinë Serbisë, duke ia marrë në të njëjtën kohë kësaj kombëtareje tri pikë, derisa dënoi dy federatat me nga 100 mijë euro gjobë. 

Seferi e vlerëson shumë emisionin dhe efektet e tij. 

“Është e paimagjinueshme për një pjesë të shqiptarëve ta kuptojnë se sa serbë më duan dhe më shkruajnë. Besoj se [emisioni] ka pasur një ndikim të jashtëzakonshëm. Ka dhënë shpresë tek ata njerëz që prisnin të dalë dikush dhe të thotë një gjë më të mirë sesa ato që mund të dëgjoheshin”, thotë ai. 

Ende jam Idrizi 

Por vetë ky gazetar mban emrin e njërit prej heronjve kombëtarë shqiptarë- Idriz Seferit bashkëluftëtar i dy figurave tjera të shfaqura në Stadiumin e “Partizanit”. Me këtë emër i nënshkruante punët e tij gazetare, sa ishte në Kosovë. 

Ai nuk pranon se ka ndryshuar emrin, me të shkuar në Beograd. Thotë se vetëm i është kthyer mënyrës se si e thërrisnin kur ishte i vogël. 

“Nuk e kam ndryshuar emrin asnjëherë. Pra, emrin e kam Idriz. Nëse të gjithë patriotët janë të kënaqur. Idro është emri im i fëmijërisë, ashtu siç më kanë thënë gjithmonë dhe emri im i natyrshëm”, shpjegon ai. 

Tregon se di shumë për figurën e Idriz Seferit, por nuk dëshiron të përfitojë nga ky emër. 

“Më besoni, di më shumë për figurën e tij sesa mësuesit e historisë nëpër shkolla. Nuk dua të bëj emër në emrin e dikujt tjetër dhe mendoj se ripërtritja e emrave është një gjë jo shumë e mençur”, mbyll çështjen e emrit ai. 

Emisionin “Exclusive” të Top Channelit për ndeshjen Serbi-Shqipëri, duke folur jo vetëm për futbollin, por edhe për raportet serbo-shqiptare, ai e titulloi “Plaga e Pashëruar”. 

Që kjo plagë të vërë kore, sipas Idros, duhet ta ndryshojmë kuptimin tonë për lirinë. 

“Ne nuk e dimë tamam se çfarë është liria dhe nuk e kemi një ndjenjë për të. Nuk e dallojmë që liria nuk është një gjë fizike dhe zakonisht kur flasim për të e masim me grushta, të rrahura…”, thotë ai.