Tempulli i Punësimit të Politikanëve Lokalë

Punësimet e fundit që janë bërë në Universitetin e Mitrovicës Isa Boletini (UMIB), kanë mbledhur rreth këtij institucioni publik anëtarë dhe militantë të dy partive më të mëdha në vend-PDK-së e LDK-së.

Gazeta Jeta në Kosovë hulumtoi lidhur me punësimet në këtë universitet pas raportimeve të qytetarëve mitrovicas në platformën Kallxo.com dhe gjeti se pozita të rëndësishme të këtij institucioni publik janë zënë nga njerëz partiakë.

Rizah Haziri, ish-nënkryetar në Komunën e Mitrovicës gjatë viteve 2011-2013 në qeverisjen e Avni Kastratit të PDK-së, tash ka zënë vend si zyrtar për sigurim të cilësisë në Universitetin e Mitrovicës. 

Partia pjesë e së cilës është Haziri, tash është në opozitë në Mitrovicë e cila udhëhiqet nga Agim Bahtiri i Aleancës Kosova e Re.

Pranimi i Hazirit në këtë pozitë u bë publik nga Universiteti më 16 tetor të këtij viti. 

UMIB njoftoi se Haziri kishte mbledhur gjithesjtë 76.20 pikë nga 100 dhe se plotësonte kriteret për të nisur punën në këtë pozitë. 

Por, kriteri për njohjen e gjuhës angleze e vë në dyshim zgjedhjen e Riza Hazirit në mënyrë të drejtë dhe meritore.

Vetë Haziri i cili është zgjedhur në këtë pozitë nuk ka pohuar që e njeh gjuhën angleze. 

“Kam ndjekur disa kurse të gjuhës angleze sa isha duke punuar në komunë..prandaj për të shkruar dhe lexuar gjuhën angleze qëndroj më mirë, por të flas në këtë gjuhë kam pengesa”, ka thënë Haziri për Gazetën Jeta në Kosovë. 

Ai thotë se beson që edhe kandiatët e tjerë që i mposhti në konkurs nuk mund të jenë njohës të gjuhës angleze. 

“ 100 për qind askush nga kandidatët nuk i ka plotësuar kriteret e konkursit e po ashtu nuk e di që dikush nga ta e njeh anglishten përveç disa kurse që i kanë ndjek të nivelit dy dhe tre”, ka deklaruar Haziri. 

“Edhe ashtu ne {shqiptarët} as gjuhën shqipe nuk e njohim si duhet”,  ka shtuar ai më tej.

Megjithatë Universiteti i Mitrovicës më 14 gusht nuk pranoi vetëm anëtarë të PDK-së që kanë mbajtur pozita të larta në qeverisjen komunale. 

Përveç Hazirit, nga konkursi përfitoi edhe një anëtare e LDK-së, partisë së dytë në vend për kah fuqia e votave. 

Elmaze Xhaka, ish-asambleiste LDK-së në Komunën e Mitrovicë, është emëruar sekretare në fakultetin juridik në këtë universitet. 

Ajo ka qenë këshilltare komunale gjatë viteve 2009-2013, ndërsa kishte kandiduar për asambleiste edhe në zgjedhjet lokale të vitit të kaluar, por nuk mori votat e duhura edhe për një mandat.  

Universiteti  më 17 tetor të këtij viti bëri publik pranimin e saj në punë dhe njoftoi se ajo mblodhi 80 pikë. 

Sipas konkursit, kandidati i cili do ta marrë pozitën e sekretarit duhet të ketë përgatitje shkollore superiore të juristit të diplomuar ose të ketë masterin në juridik. 

Xhaka thotë se është e diplomuar në Fakultetin Juridik dhe se njeh gjërat elementare nga gjuha angleze. 

Megjithatë përveç LDK-së dy të punësuarit tjerë në konkursin e tetorit janë simpatizantë të PDK-së. 

Krenar Rrecaj, i emëruar në pozitën e zyrtarit për buxhet dhe financa si dhe Kushtrim Veliu, i emëruar si zyrtar personeli në Universitetin e Mitrovicës, mbajnë në profilet e tyre në Facebook fotografi me kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi. 

Krenar Rrecaj është edhe djali i Ukshin Rrecajt, nënkryetarit të degës së PDK-së në Mitrovicë. 

Kushtrim Veliu e Krenar Rrecaj ende nuk ka kthyer përgjigje në pyetjet e Gazetës Jeta në Kosovë.

Universiteti nuk jep përgjigje konkrete 

Zyra për Media e Universitetit të Mitrovicës, nëpërmjet një përgjigje për Gazetën Jeta në Kosovë, nuk foli specifikisht për secilin të punësuar por dha një përgjigje të përgjithësuar. 

“Argumenti më i mirë për respektimin procedurave sa i përket punësimit në  Universitetin e Mitrovicës “Isa Boletini”  është fakti se nuk ka asnjë të punësuar me kontratë mbi vepër”, ka thënë Ahmet Jashari, zyrtar për informim në UMIB. 

Kontratat mbi vepër i mundësojnë institucioneve publike që të angazhojnë staf të përkohshëm pa hapur konkurs publik.

Ndërkohë për anëtarët e PDK-së dhe LDK-së të cilët kanë gjetur vend në këtë universitet , Ahmeti ka thënë se askujt nuk iu mohohet mundësia e punësimit. 

“UMIB nuk mund t’ia mohoj askujt të drejtën për aplikim dhe punësim në momentin që i plotëson kushtet e konkursit dhe kalon me sukses testet”, ka thënëAhmeti. 

Në anën tjetër Ministria e Arsimit ka thënë se nuk ka marrë asnjë ankesë për shkeljen e procedurave gjatë rekrutimit të administratës në këtë universitet. 

Sipas Arbër Morinës, këshilltarit të ministrit Ramë Buja, UMIB është i lirë të veproj në aspektin e punësimit. 

“Universiteti i Mitrovicës “Isa Boletini”, është i pavarur në zhvillimin e procedurave të rekrutimit të administratës civile”, ka thënë Morina.

Universiteti i Mitrovicës me histori të punësimeve partiake

Nuk është vetëm konkursi i fundit prej të cilit kishin përfituar anëtarë e simpatizantë të PDK-së e LDK-së. Ngjashëm kishte ndodhur edhe para pesë muajsh.

Besim Kurti, ish-asambleist në Komunën e Mitrovicës nga LDK-ja ishte punësuar në muajin maj të këtij viti në pozitën e drejtorit për buxhet dhe financa në Universitetin e Mitrovicës. 

Kurti, ngjashëm si kolegët e tjerë, nuk është njohës i gjuhës angleze. 

Derisa për pozitën zyrtarë për sigurim të cilësisë, në të cilën u emërua ish-nënkryetari i komunës Riza Haziri (PDK), njohja e gjuhës angleze kërkohej me domosdoshmëri në konkurs ngjashëm nuk u veprua me poziten që mban Kurti.

Ndonëse pozitë më e lartë në konkurs specifikohej se njohja e gjuhës angleze është e dëshirueshme. 

Ky lehtësim në kritere e ndihmoi Kurtin që nuk e njeh këtë gjuhë.

“Njohja e gjuhës angleze ka qenë  përparësi (në konkurs)”, ka thënë Kurti. 

Besim Kurti ka qenë asamblesit nga radhët e LDK-së në Komunën e Mitrovicës për dy mandate.

Mandatin e parë e kishe fituar gjatë viteve 2007-2010, ndërsa mandatin e dytë gjatë viteve 2011-2013. Ndonëse kishte kandiduar në zgjedhjet lokale të vitit tëkaluar, ai nuk arriti tëmarrë votat e duhura për tëqenë këshilltar komunal nga LDK-ja edhe për një mandat tjetër. 

Ai thotë të jetë ende anëtar i LDK-së.

Por sipas tij kjo nuk është pengesë që të punoj në Universitetin e Mitrovicës.

“Tash ne që kemi qenë edhe jemi anëtar të ndonjë partie nuk nënkupton që nuk kemi të drejtë të mos punojmë më në ndonjë institucion”, ka thënëKurti. 

Por, nuk ishte vetëm Kurti i cili nga i punësuari në Komunën e  Mitrovicës kaloj në Universitetin e Mitrovicës.

Ahmet Jashari, ish-zëdhënës në Komunën e Mitrovicës, ishte punësuar në muajin maj të këtij viti si zyrtar për informim në UMIB. 

Ai kishte punuar si zëdhënës në këtë komunë gjatë kohës sa kryetar i Mitrovicës ishte Avni Kastrati nga PDK-ja. 

Jashari thotë që ka qenë shërbyes civil në Komunë e Mitrovicës. 

“Puna ime e më hershme nuk ka të bëjë me politikë pasi në komunë kam qenë shërbyes civil e nuk kam pasur post politik”, thotë Ahmeti. 

Sipas tij, dëshmi që nuk ka lidhje me politikë e tregon fakti që kishte punuar në Komunën e Mitrovicës edhe pas periudhës kur u largua Avni Kastrati. 

“Unë kam punuar edhe pesë muaj kur u largua Kastrati. Pra kam punuar edhe me kryetarin aktual Agim Bahtiri”, ka deklaruar Ahmeti. 

Ai thotë të jetë larguar nga Komuna e Mitrovicës pas konkursit që kishte shpallur universiteti, pasi kishte preferuar të punonte më shumë në këtë të fundit. 

Përkundër që Jashari thotë se ishte shërbyes civil ai ka shfaqur publikisht bindjet e tij politike që anojnë kah PDK-ja. 

Më 2 tetor të këtij viti është publikuar një opinion i tij lidhur me ngërcin politik. 

Jashari aty shkruan se lideri i PDK-së Hashim Thaçi gëzon të drejtën morale për të udhëhequr pasi që është politikani që në zgjedhje ka dalë më i votuari në vend.

Ndërsa Ramush Haradinajn e përshkruan si të obsesionuar pas postit të kryeministrit për të cilin nuk e ka besimin e qytetarëve. Jashari thotë se Haradinaj këtë post mund ta marrë nëse tjerët lëshojn pe dhe ‘’kësisoji Rambo i luftës do të ishte një palaço i paqes’’.