Biblioteka e Pakompletuar Pranë Zhurmës së Veturave

Ka shtatë muaj që ka përfunduar ndërtimi i objektit të bibliotekës së Suharekës, por ajo vazhdon të funksionojë në një hapësirë prej 100 metrash katrorë brenda ndërtesës së komunës, ku u vendos që në vitin 2005.

Objekti i ri, përveç sallave të ndara për hulumtime, nuk ka ndarje tjera fizike dhe është i pakompletuar me inventar.

Megjithatë, pushteti i tashëm akuzon qeverisjen e kaluar se projekti i bibliotekës nuk plotëson asnjë kusht të paraparë për një vend ku qytetarët lexojnë libra

Objekti u ndërtua në kohën kur Komunën e Suharekës e drejtonte AAK-ja, e cila në zgjedhjet lokale të 2013-ës u mposht nga LDK-ja.

“Ky është një objekt që i kish shërbye më shumë një qendreje tregtare se një biblioteke”, thotë drejtori i Kulturës në Komunën e Suharekës, Nuhi Llugaxhiu.

Sipas tij qytetarët nuk mund të zhvillojnë ndonjë aktivitet kulturor këtu, pasi mund të pengojnë lexuesit, ngase nuk ka ndarje fizike të sallës së leximit nga hapësirat tjera.

“Nuk ka ndarje fizike mes qytetarit dhe lexuesit dhe nuk i plotëson të gjitha kushtet qoftë për një promovim, diçka paralelisht, nëse dikush do me lexua e dikush me bë një promovim libri apo ekspozitë, nuk i plotëson kushtet”, vijon Llugaxhiu.

Por objektin e konsideron të përshtatshëm për destinimin e tij Nadire Hoxha nga AAK-ja, nën qeverisjen e së cilës edhe u ndërtua ai.

“Biblioteka i plotëson gjitha kushtet dhe kriteret ashtu siç ka qenë e paraparë në projekt”, thotë Hoxha.

Ajo akuzon komunën se nuk po mundet ta pajisë as me inventar, objektin e kryer.

“Askund në Kosovë unë nuk kam pa bibliotekë që ka ndarje fizike, por kemi pa bibliotekë që ka inventarin brenda dhe aty ku studentët secili ka pjesën e vet, e këta nuk janë në gjendje që së paku një inventar ta plotësojnë”, shton Hoxha.

Pajisjen e bibliotekës me inventar vetëm vitin e ardhshëm e pranon edhe zyrtari komunal Nuhi Llugaxhiu.

“Kësaj biblioteke i mungon edhe inventari, pasi komuna nuk ka planifikuar buxhet për blerjen e inventarit këtë vit, por kjo bibliotekë tek në vitin 2015 do të bëhet me inventar, pasi tek këtë vit komuna ka nda buxhet për inventarizimin e kësaj biblioteke”, thotë ai.

Llugaxhiu edhe vendin ku është ndërtuar biblioteka e konsideron të papërshtatshëm.

“Përveç që nuk është e kthyer nga lindja, nuk ka ndriçim të mjaftueshëm, po ashtu është shumë afër rrugës, që të lidhë me rrugën kryesore, pasi ka zhurmë aq të madhe, sa lexuesit nuk mund të jenë komodë, nuk mund ta kenë qetësinë që duhet”, thotë Llugaxhiu.

Edhe pse objekti është shumë i nevojshëm për këtë komunë, edhe menaxherja e bibliotekës së Suharekës Tahire Behluli ankohet se ky ndërtim nuk i plotëson kushtet për punë.

“Por edhe me atë bibliotekë që është ba nuk jemi të kënaqur, sepse nuk i plotëson kushtet si bibliotekë, hapësirë të madhe ka, por hapësira e brendshme nuk është e ndarë si duhet. Edhe nëse nuk intervenohet për me ba ni ndarje, na prapë nuk jemi të kënaqur“, thotë Behluli.

Biblioteka e Suharekës aktualisht funksionon brenda një hapësire prej 100 metrash katrorë në objektin e komunës.

Ajo çdo vit ka 1 mijë e 200 lexues, por atyre pa dalë në objektin e ri nuk mund t’u ofrojë sallë leximi. Fondi i librave të saj është mbi 15 mijë.

Gazeta Jeta në Kosovë shkroi edhe në korrik të vitit të kaluar për problemet e suharekasve me bibliotekën.