Pak Shtigje e Shumë Dëshira Për Lëvizje me Biçikleta

Mjekët thonë se përdorimi i biçikletës si mjet udhëtimi mund ta zgjasë jetën për pesë vjet dhe është mënyra më e mirë për të luftuar ankthin, depresionin dhe frikërat e ndryshme, por në Kosovë lëvizja me këtë mjet mund ta bëjë të kundërtën. 

Këtë e thotë Leonardo Abazi nga Grupi i Çiklistëve të Prishtinës që mbledh të pasionuarit kryeqytetas pas mjeteve me dy rrota. 

“Vështirësitë janë të mëdha si mungesa e shiritave për ngasje, pakujdesia e vozitësve të veturave, dhe nuk ndjehem aspak i sigurt nëpër rrugë”, thotë ai.

I riu që për adhuruesit e biçikletave bashkë me grupin ka krijuar një faqe në Facebook, tregon se disa herë teksa lëvizte me këtë mjet ka qenë pranë aksidentit, prandaj preferon që të mos dalë me biçikletë kur ka tollovi në rrugë. 

Por përdoruesja e rregullt e biçikletës, shefja e kabinetit të Kryetarit të Komunës së Prishtinës Fitore Pacolli-Dalipi mendon ndryshe. 

“Nuk është ashtu si e paraqesin njerëzit e tjerë që thojnë se është rrezik të ngasësh biçikletën në Prishtinë. Unë nuk e kam parë atë rrezik. [Vozitja] është e vështirë pasi që i gjithë tereni nuk është i rrafshët, po ashtu problem janë edhe veturat të cilat janë shumë afër trotuareve”, thotë Pacolli-Dalipi. 

Ajo e pranon se Prishtinës i mungon infrastruktura për biçikleta, por thotë se komuna po planifikon projekte që ruajnë ambientin. 

“Në rrugën për në Gërmi jemi duke e testuar edhe trenin ekologjik, ku qytetarët që duan të shkojnë nga “Taukbahçja” për në Gërmi mund ta përdorin këtë tren, mirëpo janë disa alternativa të cilat po i testojmë qoftë për vetura, qoftë për biçikleta” u shpreh ajo. 

Pikërisht në Parkun e Gërmisë një gjashtëmbëdhjetëvjeçar vdiq në prill kur një makinë e goditi teksa ai po ngiste biçikletën, ndërsa një grup qytetarësh protestoi që aty të ndalohet hyrja e veturave. 

Pacolli-Dalipi shpjegon se komuna nuk mund të ndalojë mjetet motorike në Gërmi, pasi do t’i shkaktoheshin humbje të mëdha financiare nga një vendim i tillë pasi që buxheti i komunës përfiton nga pagesat që bëhen nga vozitësit e mjeteve motorike që shfrytëzojnë këtë park. 

Por  ajo thotë se është gjetur një tjetër zgjidhje. 

 “Komuna e Prishtinës ka marrë vendim që të vendosë pengesa në rrugë. Pas viktimës së parë në atë pjesë, shpejtësia e veturave është ndalë, jemi duke parë mundësinë e krijimit të një shtegu për çiklistë ku vozitësit mund të shkojnë lirshëm, pa frikën se mund të goditen nga ndonjë veturë” , u shpreh ajo. 

Por edhe më 11 tetor përsëri u shënua një aksident, por këtë herë fatmirësisht çiklisti kaloi vetëm me lëndime trupore nga përplasja me makinën. 

Megjithatë, Pacolli-Dalipi mendon se më rrezik është të drejtohet biçikleta në rrugët e Londrës, sesa në Prishtinë. 

“Unë kam vozitë në Londër ku rrugët kryesore janë shumë të ngushta dhe rreziku atje është më i madh se këtu”, thotë Pacolli-Dalipi. 


Fitore Pacolli-Dalipi, udhëton çdo ditë me bicikletë

Biçikletat në Gjermani e Holandë

Por shtetet evropiane nuk i lënë çiklistët në mëshirë të fatit. 

Një shtet i zhvilluar si Gjermania i kushton aq shumë rëndësi ngasjes së biçikletave, saqë ka ndërtuar një autostradën e parë në Evropë të dedikuar për biçikleta në gjatësi prej 60 kilometrash, e cila i lidh dy qytete të mëdha Dortmundin dhe Duisburgun. 

Ndërsa në Holandë në qytetet si Amsterdami apo Groningeni çiklistët mund të tejkalojnë makinat gjatë lëvizjes së tyre nëpër rrugë automobilistike, pasi makinat nuk kanë të drejtë të rrisin shpejtësinë mbi 60 kilometra në orë.  

Në Shqipëri, Shkodra njihet si qyteti i biçikletave, ndërsa përpara çdo institucioni, hoteli luksoz, dyqani dhe çdo vendi tjetër ka hapësira të caktuara për parkimin e biçikletave. 


Haziri, planifikon të blejë bicikleta për komunarët

Lëvizje drejt biçikletave 

Edhe në Kosovë ka filluar të mendohet më shumë, sidomos në nivele komunale për përdorim biçikletash dhe ndërtim shtigjesh për to. 

Zëdhënësi i Komunës së Gjakovës Ali Tafarshiku thotë se kjo komunë kohëve të fundit ka marrë si dhuratë një biçikletë nga një kompani private, të cilën po e përdor për kryerjen e punëve administrative. 

Kryetari i Gjilanit shkoi edhe më larg-premtoi shitjen e makinave të komunës për t’i zëvendësuar ato me biçikleta, kur vizitoi kompanitë “Integj” dhe “Albimi” të këtij qyteti që prodhojnë mjetin dyrrotësh të lëvizjes. 

“Tash e tutje do t’i qesim në ankand veturat dhe të marrim biçikleta për shërbimet tona brenda komunës”, tha Haziri, teksa shtoi se edhe vetë do të shkojë në punë me biçikletë. 

Gjatë verës në Gjilan në skajet e disa rrugëve të Lagjes “Dardania 2”, i pandarë nga pjesa automobilistike, u bë edhe shtegu për çiklistë. 

Në Ferizaj është duke u ndërtuar një shteg për biçikleta ndaras nga rruga ku qarkullojnë makinat në drejtimin që këtë qytet e lidh me Shtimen dhe Prizrenin, por deri aty duhet shkuar duke marrë përsipër rrezikun e goditjes nga veturat. 

Vdekja e asamblistes në “qytetin e biçikletave” 

Njëjtë si Shkodra, edhe Gjakova në Kosovë ka epitetin e “qytetit të biçikletave”. 

Por në janar të këtij viti asamblistja gjakovare Gjylgjizare Karaxhija-Xharavina vdiq, pasi u godit nga një makinë teksa po shkonte në punë me biçikletë. 

I pasigurt për të ngarë biçikletën në Gjakovë ndihet edhe i moshuari Elvi Kuka që thotë se i zbret këtij mjeti vetëm kur bie shi, ose kur shtresa e borës në rrugë është e papërballueshme. 

“Nuk ka kurrfarë sigurie, përveç te ‘Blloku i Ri’ ku është punuar një stazë për biciklista, përndryshe në qytet nuk ka siguri, rrugët janë të ngushta, komunikacioni i dendur, e na ruhemi shumë prej veturave”, thotë Kuka. 

Komuna e Gjakovës e pranon se rrugët në këtë qytet nuk janë më të mirat për çiklizëm, por zyrtarë të saj thonë se po bëjnë diçka edhe për çiklistët, ndërsa ankohen për kufizime buxhetore. 

“Ne kemi marrë një iniciativë ku parashihet lirimi i hapësirave të ish-kazermës në qendër të qytetit  dhe do të bëhet ndërtimi i trotuarit deri të rrethi në drejtim të Prishtinës, e ky trotuar do të përcillet me shtegun e biçikletave”, thotë Ali Tafarshiku, zëdhënësi i komunës. 

Ai shton se komuna ka identifikuar pjesët e përshtatshme për shtigje çiklistësh në Gjakovë. 

“Tashmë Drejtoria e Shërbimeve Publike e ka një plan për zgjerimin e shtigjeve të biciklistëve, pasi që pjesa lindore e qytetit të Gjakovës ka infrastrukturë të përshtatshme për ndërtimin e këtyre shtigjeve, ndërsa pjesës tjetër i mungon hapësira”, u shpreh Tafarshiku. 


Komuna e Gjakovës kryen punët me bicikletë

Peja me projekte edhe për çiklistët 

Komuna e Pejës ka ndaluar hyrjen e veturave në sheshin e qytetit me qëllim të përdorimit më të lehtë të biçikletave dhe kalimit të lirë të qytetarëve. 

Kryetari i saj Gazmend Muhaxheri  thotë se shtige për biçikleta do të ketë në dy projekte të reja rrugore.

Njëri parasheh lidhjen e zonës urbane me rrugën Pejë-Rozhajë (Mali i Zi), ndërsa tjetri planifikon ta lidhë Pejën me Radacin, ku ndodhet burimi i Drinit të Bardhë. 

Por, Syzana Zajmi e cila tregon se që nga mosha gjashtë vjeçare e ka biçikletën si rekuizitë të pazëvendësueshme, thotë se nuk është e kënaqur me infrastrukturën për çiklistë në qytetin e saj. 

“Në Rugovë shkoj shpesh me biçikletë. Natyrisht që nuk është e lehtë, se përveç që është rrugë e ngushtë dhe nuk ka shteg për biçikleta, është edhe malorja që e vështirëson mjaft. Çdo ditë i bëj te paktën 10 – 15 kilometra me biçikletë”, shprehet ajo. 

Por Muhaxheri nuk e premton shtegun e çiklistëve për Rugovë. 

“Praktikat e mira ndërkombëtare kanë treguar që zonat turistike qofshin ato malore, rurale apo urbane, nuk duhet të kenë shtigjet e veçanta, por të jenë të lira në lëvizje”, thotë kryetari i Pejës. 

Syzana Zajmin e pengojnë edhe paragjykimet kur nget biçikletën. 

“Ne e dimë çfarë infrastrukture kemi dhe nuk është vetëm infrastruktura, por edhe mentaliteti shoqëror që e vështirësojnë këtë. Njerëzit të shohin nganjëherë me syrin e paragjykimeve. “, shprehet ajo.  

Por Zajmi nuk heq dorë nga “shoqja” e saj. 

“Është më e lirë se një veturë, nuk e ndot ambientin, kursen taksat e qytetarëve të cilat shkojnë për rregullimin e rrugëve, pasi që ato prishen nga veturat e jo nga biçikletat, ndihmon në humbjen e peshës”, numëron ajo të mirat e biçikletës.