Thaçi e Buja Përuruan Shkollën e Papërfunduar

Rexhep Hasani, drejtor në detyrë i Gjimnazit “Naim Frashëri”, nxënësit e të cilës përkohësisht ndjekin mësimet në Shkollën Profesionale në Shtime, ka thënë se mungesa e rrymës elektrike në objektin e ri shkollor u shkakton probleme banale.  

“Problemet dhe vështirësitë janë më banalet, si psh nuk kemi mundësi as të hapin PC-në për një punë administrative, a për një printim të një dokumenti të vetëm”, ka thënë Hasani. 

Se ballafaqohen me probleme të tilla, Hasani tregoi edhe kur Gazeta Jeta në Kosovë, e kontaktoi atë përmes telefonit.

“Pyetjet dërgoni me e-mail, ndërsa ju përgjigjem kur jam në shtëpi, pasi në shkollë nuk kemi rrymë”, tha ai.

Ndërsa Ilir Haxhiu. ushtruesi i detyrës së drejtorit në Shkollën e Mesme Profesionale, ende nuk është përgjigjur në pyetjet e Gazetës Jeta në Kosovë rreth mungesës së rrymës në shkollën e tyre. 

Shkolla e Mesme Profesionale në Shtime ishte përuruar më 1 shtator 2014 nga kryeministri në largim Hashim Thaçi së bashku më ministrin e Arsimit në largim Ramë Bujën. 

Ministri Buja gjatë përurimit të shkollës tha para nxënësve se “nuk ka dhuratë më të çmuar se dhurimi i teksteve shkollore nga Qeveria e Kosovës, andaj ju keni edhe një dhuratë më të madhe se librat, e kjo është ndërtimi i godinës së re shkollore, e cila kap një vlerë financiare afër 2 milionë euro. Andaj, kërkoj që ky objekt edhe të mirëmbahet”. 

Kërkesa e Bujës për mirëmbajtje duket se nuk do të mund të realizohet qysh në fillim. 

Por shkolla që kushtoi rreth 2 milion euro, nuk është e kyçur fare në rrjetin elektrike të Shtimes kanë lajmëruar qytetarët në platformën KALLXO.com

Mungesa e rrymës, përpos që ka penguar nxënësit dhe stafin mësimor që të zhvillojnë mësimin në kushte normale, ka bërë që në shkollë të mos ketë edhe ujë, e mirëmbajtje të mjaftueshme. 

Ndërsa nxënësit atje zhvillojnë mësimin nën zhurmën e gjeneratorit që nga 1 shtatori kur edhe ka nisur viti i ri shkollor. 

Ramë Buja, ministri në largim i Arsimit, ende nuk e ka komentuar gjendjen e shkollës pa rrymë, të cilën e kishte cilësuar si moderne, kur e kishte promovuar më 1 shtator me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor.

E kryeministri Thaçi është kujdesur që gjatë përurimit të kësaj shkolleje, të thotë se edukimi edhe në të ardhmen do të vazhdojë të mbetet një nga çështjet kryesore ku do të fokusohet Qeveria e Kosovës. 

“Ndihem mirë dhe shumë krenar që sot edukimi në Kosovë ka tejkaluar si standard disa vende të rajonit, por qëllimi dhe synimi ynë ka qenë dhe do të vazhdojë të mbetet arritja e standardit evropian”, ka thënë kryeministri gjatë përurimit, ndonëse fjalimin e tij e ka mbajtur në një shkollë pa rrymë elektrike. 

Zyra e kryeministrit Thaçi nuk është përgjigjur kur është pyetur rreth mungesës së rrymës në Shkollën e Mesme Profesionale, në të cilën Thaçi me një shtator promovoi vlerat e arsimit evropian dhe ato të infrastrukturës moderne të shkollave nëpër Kosovë. 

Shkolla e cila ka kushtuar 2 milion euro, ka një sipërfaqe prej 6780 metrash katrorë, në të cilën mësojnë rreth 800 nxënës që në dispozicion kanë 20 dhoma për mësim, sallën e edukatës fizike, terrenet e jashtme sportive, tetë kabinete, katër laboratorë dhe bibliotekën e shkollës. 


Hashim Thaçi kryeministri në largim, në ditën e përurimit | Foto: ZKM

MAShT: Kyçja në rrjetin elektrik përgjegjësi e komunës

Shkolla Profesionale në Shtime, e cila është financuar nga Ministria e Arsimit është ndërtuar pikërisht në komunën e udhëhequr nga Partia Demokratike e Kosovës. 

Kjo komunë që nga viti 2007 udhëhiqet nga Naim Ismajli, i cili në zgjedhjet lokale të nëntorit mori besimin e qytetarëve për mandatin e tretë si kryetar i Shtimes. 

Edhe Ismajli ka qenë pjesë e përurimit të Shkollës Profesionale në Shtime.

Drejtoria e Arsimit në Komunën e Shtimes, sipas Ministrisë së Arsimit, është përgjegjëse për të bërë kërkesën që Shkolla Profesionale në Shtime të kyçet në rrjetin elektrik të qytetit.

“Sipas marrëveshjes, kyçja në rrjet elektrik, ujësjellës dhe kanalizim është përgjegjësi e Komunës e Shtimes”, i ka thënë  Gazetës Jeta në Kosovë këshilltari i ministrit Buja, Arbër Morina. 

Ministria e Arsimit nuk ka kthyer ende përgjigje as kur është pyetur se a e parashihte marrëveshja, kyçjen në rrjetin elektrik para, apo pasi që shkolla të përurohej. 

Se kjo është përgjegjësi e Komunës së Shtimes, e ka konfirmuar edhe Sanije Hysaj drejtoresha e Drejtorisë Komunale të Arsimit (DKA) në Shtime.  

“DKA-së i ka takuar ta bëjë kërkesën për kyçje, atë edhe e ka bërë me kohë, por KEDS-i i kishte ndryshuar procedurat dhe tani ishin shumë më të gjata dhe më të shtrenjta se siç kanë qenë në të kaluarën”, i ka thënë Hysaj Gazetës Jeta në Kosovë, derisa nuk ka treguar datën e saktë kur e kanë bërë kërkesën për kyçen e shkollës në rrjetin elektrik. 

Hysaj ka treguar se sipas KEDS-it, procedurat për kyçje janë në përfundim dhe se kjo do të ndodhë ditëve në vazhdim. 

Gazeta i ka shkruar edhe Distribucionit për Shpërndarjen e Energjisë Elektrike-KEDS, për procedurat e kyçjes dhe kërkesën që atyre u ka bërë Drejtoria e Arsimit në Shtime, por KEDS-i akoma  nuk kanë kthyer përgjigje. 

Ndonëse shkolla me rreth 800 nxënës nuk ka energji elektrike, Hysaj thotë se ajo po furnizohet me rrymë nga një gjenerator.

Ndërsa Hysaj nuk ka treguar se a kanë kërkuar zgjidhje nga Ministria e Arsimit rreth vonesave që u ka shkaktuar KEDS-i, për kyçjen në rrjetin elektrik të qytetit. 

Rreth kësaj çështjeje, përgjigje nuk kanë dhënë as në MAShT. 

Edhe kur ekipi i Gazetës Jeta në Kosovë të mërkurën [1 tetor] ka vizituar Shkollën e Mesme Profesionale, atje nuk ka pasur rrymë, madje as me gjenerator. 


Kryetari i Shtimes Naim Ismajli, isht i pranishëm në ditën e përurimit | Foto: ferizajpress

Gjendja në terren demanton Thaçin dhe ministrat e tij

Kryeministri tashmë në largim Hashim Thaçi, nuk ka harruar që në secilin përurim, ose vënie të gurthemeleve nëpër shkolla, të përmend që “shkollat po ndërtohen me standarde të larta evropiane”. 

“Për Kosovën Evropiane” ka qenë edhe një prej motove të Partisë Demokratike të Kosovës në dy palë zgjedhjet e kaluara.

Nisur nga kjo, por edhe duke u iu referuar fjalimeve të shefit të tyre, kryeministrit Thaçi-ministri i Arsimit Ramë Buja dhe ish-ministri i Arsimit Enver Hoxhaj në Qeverinë Thaçi I, nëpër përurimet që  kanë bërë në pesë vjetët e fundit, po ashtu kanë thënë se Kosova po përgatit shkolla me standarde evropiane.

Në pesë vjetët e fundit në Kosovë nën udhëheqjen e ish-ministrit Hoxhaj dhe ministrit në largim Buja, bazuar në të dhënat e Ministrisë së Arsimit janë ndërtuar 37 objekte shkollore, prej të cilave 28 shkolla fillore, tetë shkolla të mesme të larta dhe një qendër burimore-shkollë speciale e ndërtuar për fëmijë që kanë dëmtime intelektuale, në të parë dhe të dëgjuar.  Ndërtimi i 37 objekteve buxhetit të shtetit i ka kushtuar rreth 46 milionë e 592 mijë euro.

Por hulumtime të Gazetës Jeta në Kosovë kanë treguar se gjendja në shkollat e Kosovës nuk është shumë “evropiane”.

Pas filmimeve që Gazeta Jeta në Kosovë, u pati bërë WC-ve të shkollave fillore dhe të mesme në Kosovë, në korrik të 2013, Instituti i Shëndetit Publik pati konstatuar se nga gjendja aktuale e WC-ve në disa shkolla të vendit, nxënësit përballen dhe rrezikohen me epidemi të rregullta si verdhëza, zgjeba dhe morrat. 

Ndërsa në janar të këtij viti, Gazeta Jeta në Kosovë, pati bërë një hulumtim ku tregon se shkollat në Kosovë kanë mungesë të laboratorëve e pajisjeve për ushtrime praktike të nxënësve.

Edhe pse kanë marrë epitetin e shkollave evropiane, ngjashëm si shkolla në Shtime që ende nuk ka energji elektrike, në 12 shkolla tjera që Gazeta pati vizituar gjatë muajve dhjetor 2013 dhe janar 2014 , përpos numrit të vogël të kompjuterëve, u patën evidentuar mungesa të mjeteve tjera konkrete për laboratorët e kimisë, biologjisë, fizikës, gjuhës, e lëndëve të tjera profesionale.  


Ramë Buja ministri në largim i arsimit, në ditën e përurimit | Foto: MAShT