Shpërthimi rri Pezull në Ndërmarrjen e Mbyllur

Në oborrin e fabrikës “Llamkos” në Vushtrri, janë të vendosura bombolat e amoniakut dhe gazit që përdoren për të krijuar energji, në bazë të së cilës bëhet edhe përpunimi i llamarinës. 

Bombolat që ruhen në ambient të hapur kanë të instaluar sistemin e ftohjes, i cili punon duke shfrytëzuar ujin. 

Kjo metodë përdoret që bombolat të mos ngrohen nga dielli, duke eliminuar mundësinë që ato të shpërthejnë për shkak të ngrohtësisë. 

Por sistemi i ftohjes nuk funksionon pa pasur energji elektrike. E pa energji, fabrika e llamarinës, është që nga muaji qershor i këtij viti, kur koha ka filluar të nxehet dhe mundësitë për shpërthim kanë qenë më të mëdha. 

Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike (KEDS) i ka ndërprerë rrymën “Llamkosit”, në fillim të muajit qershor, pasi nuk kishte paguar faturën për rrymën e shpenzuar. Këtë e ka konfirmuar edhe Guri Shkodra zëdhënës në KEDS. 

Shemsi Pllana, punëtor në “Llamkos”, tregon për rrezikun që mund ta kenë banorët e Vushtrrisë. 

“Janë dy rezervuarë të amoniakut që kanë afërsisht shtatë tonë amoniak, edhe janë pa mbikëqyrje”, thotë Pllana. 

“Mund të ketë rrezikshmëri nga ndonjë rrjedhje eventuale, pasi atë nuk e mbikëqyr askush dhe nuk ka kush të intervenojë, ndërsa shpërthimi mund të ketë pasoja në njerëz, bimë e kafshë”, shton ai. 

Edhe ish-drejtori i “Llamkosit” Muharrem Shahini, thotë se banorët janë të rrezikuar nga amoniaku.

“Unë nuk jam ekspert, por ekspertët thonë se amoniaku i pastër nëse del në natyrë, shkatërron të gjitha gjallesat”, shpjegon Shahini. 

I shqetësuar nga gjendja e krijuar në fabrikën e llamarinës është edhe Arben Meholli, banor i Vushtrrisë. 

 “Sipas informatave që po na ofrojnë punëtorët në fabrikë, po thonë se më ditë njerëzit çka ka brenda në fabrikë, gjumi nuk i kish zënë natën”, thotë Meholli. 

Agjencia për Emergjenca: “Rreziku për shpërthim ekziston”

Zyrtarë të Ndërmarrjes “Llamkos” të kontaktuar nga emisioni “Drejtësia në Kosovë”, kanë thënë se nuk ekziston rreziku për shpërthimin e bombolave. 

“Për njoftimin tuaj, tȅ gjithë rezervuarët janȅ të zbrazur.  Sistemi i ndërtuar ofron sistemin e hidrantëve kundër zjarrit, rrethojën e jashtme të perimetrit të fabrikës, sistemin e mbyllur të stacionit të enëve nën presion, ujëmbledhësin me ramje të lirë dhe kompani të sigurisë fizike që nënkupton se nuk ka vend për shqetësime të tilla dhe hapësira në tërësi është e sigurt”, thuhet në përgjigjen e “Llamkos-it” dërguar nëpërmjet postës elektronike.

Por ndryshe thuhet në raportin e përpiluar nga tre inspektorët e Agjencisë për Emergjenca që funksionon në kuadër të Ministrisë së Brendshme. 

Pas vizitës që inspektorët i kanë bërë fabrikës në Vushtrri, kanë thënë se rreziku për shpërthim në këtë ndërmarrje ekziston. 

“Shqetësuese për ne është se sistemi i ftohjes së ujit nuk është funksional për shkak të mungesës së rrymës”, thuhet në raportin e 23 shtatorit të këtij viti.  

“Rreziku ekziston, ngase prej se është ndërtuar objekti nuk janë bërë riparime te ventileve dhe aparaturave tjera përcjellëse të këtyre bombolave”, thuhet më tej në raport. 

Ahmet Fejza, zyrtar i Agjencisë për Emergjenca në MPB, thotë se tashmë ka kaluar rreziku i shpërthimit, pasi që temperaturat janë ftohur.

“Rrezik tash është vetëm nëse ato i prek qëllimisht dikush… e lëshon amoniakun dhe në një perimetër bukur të gjatë, mund të shkaktojë dëme në njerëz dhe natyrë”, deklaron Fejza.

Edhe Nezir Klinaku, drejtor në Drejtorinë e Emergjencave në Komunën e Vushtrrisë, paralajmëron rrezikun për rezervuarët e amoniakut. 

“Rreziku sipas ish-ekspertëve të ‘Llamkosit’, është se nëse vjen deri te shpërthimi pasojat munden me qenë deri në 15 kilometra”, tregon Klinaku. 

 “Prej 10.6.2014, kur kanë qenë temperaturat e larta, ‘Llamkosi’ ka bërë dy kërkesa tek ne, një për ndihmë në ftohjen e pajisjeve në fabrikë dhe tjetrën rreth furnizimit me energji elektrike”, thotë Klinaku.

Ftohjen e rezervuarëve gjatë verës e kanë bërë njëherë zjarrfikësit e Vushtrrisë, në bazë të kërkesës që u ka bërë komuna. 

Klinaku, edhe pse tregon se tash nuk ka rrezik për shpërthimin e bombolave pasi temperaturat janë ulur, shpjegon se ato kontrollohen çdo ditë nga inspektorët për parandalimin e zjarrit.

Ndërsa për rrezikun më herët kishte paralajmëruar edhe menaxhmeti i “Llamkosit” në një shkresë që ata i kishin dërguar Drejtorisë së Emergjencave në Vushtrri më 10 qershor 2014, ku kishin kërkuar ndihmë rreth furnizimit me energji elektrike, ndonëse në përgjigjen për emisionin “Drejtësia në Kosovë”, ka thënë se nuk ka rrezik për shpërthim të bombolave.  

AKP: Llamkosi nuk i ka plotësuar kriteret e kontratës

Ylli Kaloshi, zëdhënës në Agjencinë Kosovare të Privatizimit thotë se ata nuk janë përgjegjës për sigurinë e Fabrikës “Llamkos”. 

“Ne jemi në dijeni për rrezikun, por besojmë që institucionet kompetente do ta thonë fjalën e vet, sepse ne nuk jemi përgjegjës”, ka thënë Kaloshi.  

Kaloshi thotë se ofrimi i sigurisë brenda hapësirës së ndërmarrjes është në përgjegjësi të blerësit.

Ndërmarrja “Llamkos” ishte blerë para tre vjetësh nëpërmjet privatizimit nga “Corestel DMCC” me bazë në Dubai. Kjo ndërmarrje ishte shitur përmes procedurave të likuidimit. 

Por Kaloshi thotë se AKP-ja e ka monitoruar këtë ndërmarrje sa i përket plotësimit të kushteve për investimet dhe punësimet që duhej t’i bënte sipas kontratës që ka nënshkruar me AKP-në. 

“Ne e kemi monitoruar këtë ndërmarrje dhe sa u përket dy vjetëve të parë të auditimit nga auditorë të jashtëm, blerësi nuk i ka përmbushur kushtet për investimet dhe si pasojë e kësaj, bordi ka marrë vendim që të gjobitet blerësi”, ka thënë Kaloshi.  

“Sa i përket punësimit, aktualisht punëtorët janë të paangazhuar, ndërsa AKP-ja po angazhohet që në kontaktet me blerësit të evitohet kjo parregullsi”.

Kaloshi thotë se ndërmarrja vazhdon të monitorohet. “AKP-ja do të marrë të gjitha masat e lejuara me ligj dhe kontratë”. 

Më shumë për Llamkosin: 

Llamkos Lidhet me Oligarkun Rus

Zhytja në Borxhe e Gjigantit të Privatizuar

Punëtorët e Llamkos-it Protestojnë për të Gjashtë Herë

“Çernobili” Në Mes të Vushtrrisë