KEDS Angazhon Kompani Sigurimi për Shkyçje

Esat Tahiri, pronar i Kompanisë së Sigurimit “Security Code” thotë se stafi i tij ende nuk ka nisur të dalë në terren ashtu siç ishte bërë marrëveshja me KEDS –in që puna të fillojë më 1 shtator. 

Kompania e tij është kontraktuar nga KEDS-i dhe marrëveshja tashmë është nënshkruar për të angazhuar 300 vetë, detyra e të cilëve do të jetë leximi i njehsorëve dhe kyçja e shkyçja e konsumatorëve borxhlinj. 

Tahiri thotë se për kompaninë e tij kjo është një përvojë e re, por që stafi i ri i rekrutuar është i përgatitur për këtë punë pasi janë trajnuar nga KEDS-i. 

Për fillim do të angazhohen rreth 60 vetë.

“Për fillim do të angazhojmë rreth 20 për qind të stafit të rekrutuar. Kjo është një fazë eksperimentale për fillim. Besoj me sukses shumë të mirë”,  i tha Tahiri Gazetës Jeta në Kosovë.

Ai tha se stafi i tij do të respektojë të gjitha rregulloret e punës dhe do të jetë në dispozicion për 24 orë për KEDS-in.

“Çdo gjë do të shkojë në mënyrë ligjore, do të vazhdohet me paralajmërime, shkyçje, kyçje, mirëpo për rastet më të ndjeshme do të ketë rol Policia e Kosovës”, tha Tahiri.

Sipas ueb faqes zyrtare të KEDS-it, në fillim të këtij viti është arritur marrëveshje mirëkuptimi në mes KEDS-it dhe Policisë së Kosovës, ku kjo e fundit do të ofrojë ndihmë në rastet me konsumatorë problematikë.

Ai shtoi se stafi i tij nuk do të bartë uniformën e kompanisë së sigurisë, por do të jenë pa uniforma dhe do të bartin shenjat e KEDS-it.

Granit Hasani, pronar i kompanisë tjetër të kontraktuar nga KEDS, “Besa Security”,  tha se marrëveshjes me KEDS-in i mungon edhe një nënshkrim tjetër nga zyrtari i KEDS-it. 

Hasani tha se stafi i tij është i gatshëm për punë dhe në ndërkohë konkursi është i hapur për regjionin e Pejës.  

Ai tha se stafi i tij nuk do të shkojë në zonat problematike ku janë borxhlinjtë e mëdhenj.

Megjithatë, ai tha se i pëlqen politika e KEDS-it që nëse në një rrugë paguan vetëm një konsumator e dhjetë të tjerë jo, atëherë duhet shkyçur këta të dhjetët.

“Besa Security” do të ketë punë të njëjtë si “Code Security”, leximin e njehsorëve dhe shkyçjen e kyçjen e konsumatorëve. Kjo kompani do të mbulojë regjionin e Prishtinës, Ferizajt, Gjilanit dhe Pejës.

Në anën tjetër, KEDS-i thotë se kompanitë janë kontraktuar me procedura të rregullta të tenderimit dhe kontraktimi është bërë me qëllim të rritjes së cilësisë dhe performansës për të ofruar shërbime më të mira për konsumatorë.

“Të punësuarit nuk do të jenë të pajisur me çfarëdo mjeti të sigurisë apo mbrojtjes dhe të punësuarit në këto kompani janë të kontraktuar të merren me punë teknike me qëllim të zvogëlimit të humbjeve dhe të arritjes së rezultateve pozitive”, i tha Gazetës Jeta në Kosovë Guri Shkodra, zëdhënës në KEDS.

Ai shtoi se KEDS-i ka njoftuar të gjitha institucionet relevante në lidhje me këtë aktivitet. 

“Duhet të keni parasysh që ky aktivitet nuk nënkupton performim të aktiviteteve jashtë detyrave të përditshme të KEDS-it dhe nënkupton vetëm punëtorë shtesë në terren për të përmirësuar shërbimet për konsumatorë”, tha Shkodra.