Drejtuesja e Arsimit në Partesh Dyshohet se Rrahu Nxënësin

Pesëmbëdhjetëvjeçari Stefan Simiq thotë se mësimdhënësja e goditi me dy shuplaka në kokë, derisa ai po qëndronte te dera e shkollës. 

Ai tregoi për  Gazeta Jeta në Kosovë se si ndodhi incidenti. 

“Unë isha te nxënësit e vitit të parë dhe profesoresha më tha çka po bën këtu dhe unë kam dashur të dal jashtë, ndërsa ajo më ka goditur te dera”, shpjegon Simiq. 

Vesna Jovanoviq përveç që jep mësim në shkollën e mesme të Bujqësisë në Partesh  është edhe drejtoreshë Arsimi në Komunën e Parteshit. 

Nxënësi që pretendon se është rrahur, thotë se rastin e ka lajmëruar në polici, ndërsa sipas tij profesoresha i ka shkuar në shtëpi për t’i bërë presion. 

“Profesoresha Vesna ka ardhë  në shtëpinë time dhe i ka bërë presion nënës që të tërhiqem nga deklarata e dhënë në polici”, thotë Simiq.

E kontaktuar në telefon, Vesna Jovanoviq bëri me dije se ishte në mbledhje, e pastaj nuk u lajmërua.

Ajo për medie lokale kishte thënë se nuk e kishte goditur nxënësin.

“Kjo çka kam dëgjuar është absolutisht insinuatë nga partitë tjera politike, shpresoj që problemi të zgjidhet dhe nxënësi të kthehet në banka ”, tha Jovanoviq. 

Incidenti ndodhi më 2 shtator, ditën e dytë të nisjes së mësimit. 

Prokuroria dhe policia qenë njoftuar menjëhere për rastin.

Arben Ismajli, prokuror kujdestar tha për Gazeta Jeta në Kosovë se sipas informatave nga policia kemi të bëjmë me lëndim trupor.

“Pasi të vie lënda në prokurori do të zhvillojmë hetime të mëtutjeshme”, deklaroi Ismajli.

Ndërsa Ismet Hashani, zëdhënës në Policinë e Gjilanit qartësoi se sipas ankesës së palës një arsimtare e kishte goditur nxënësin.

“Rasti është hetuar nga hetuesit e stacionit policor të Parteshit dhe sipas informata viktima ka sjellë si dëshmi të lëndimeve një raport mjekësor”, tha Hashani.

Subjektet politike e dënojnë këtë incident.

Goran Milloseviq nga partia politike Socialdemokratia thotë  se nuk është hera e parë që në këtë shkollë ndodhin incidente në mes profesorëve dhe nxënësve.

“ Edhe më herët ka ndodhë një incident ku kryetari i komunës Dragan Nikoliq njëherësh edhe profesor në këtë shkollë kishte pasur  incident me një nxënës”, shprehet Milloseviq. 

Ky rast sipas medieve serbe kishte ndodhur në prill të këtij viti. 

Milloseviq kërkon nga organet e drejtësisë që të merren seriozisht me rastin e dyshuar të rrahjes  së nxënësit nga profesoresha, që në të ardhmen të mos ndodhin raste të tilla.

Vesna Jovanoviq ishte edhe anëtare e Komisionit të Pavarur për Media, një organ që rregullon, menaxhon dhe mbikëqyr frekuencat e transmetimit në Kosovë. 

Edhe pse anëtarët e këtij institucioni duhet të jenë të pavarur politikisht, Gazeta Jeta në Kosovë në shtator të vitit që shkoi kishte një audio-incizim, ku Jovanoviq fliste si zëdhënëse e Listës “Srpska” për Partesh. 

Në dhjetor të të njëjtit vit ajo u shkarkua nga Kuvendi i Kosovës për përfshirje në aktivitete politike.