Pretendentët për Rektor Shfaqen Si Shpëtimtarë të UP-së

Profesori Berim Ramosaj, njëri nga kandidatët për rektor të Universitetit të Prishtinës, edhe pse me një bagazh të përfshirjes në aktivitete të partive politike thotë se e keqja më e madhe që i ka ndodhur UP-së është monopolizimi nga shteti, nga partia në pushtet.  

Ai e konsideron veten kandidatin që më së miri i plotëson kushtet për ta drejtuar universitetin publik të kryeqytetit, por frikësohet se pikërisht ndërhyrja politike do t’ia mohojë ngritjen në këtë pozitë.

 Ramosaj që ishte këshilltar për çështje ekonomike i ish-presidentit Rugova, ndërsa pas të ashtuquajturit “kuvendit të karrigeve” të nëntorit 2006 kur LDK-ja u nda, shkoi me LDD-në duke qenë deputet i kësaj partie në periudhën 2007-2010, ndërsa u kthye përsëri në “shtëpinë e vjetër”-LDK kur kreu mandatin e përfaqësuesit të popullit, mendon se duhet guxim për ta ndryshuar gjendjen në UP.  

“Politika kadrovike është aq keq e ndërtuar në universitet saqë kërkon kohë dhe guxim intelektual për ta ndryshuar”, thotë Ramosaj.

Ai pretendon se do të rregullojë problemet e natyrës organizative, ato ekonomiko-financiare si dhe programet studimore e hulumtuese nëse do të marrë besimin e Këshillit Drejtues për ta udhëhequr UP-në, pasi mendon se ka aftësi menaxheriale për vënie të gjërave në binarë. 

Konstatim i gjendjes dhe premtime të përgjithësuara 

Edhe profesori Ramadan Zejnullahu, ligjërues që 34 vjet në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore dhe njëri nga kundërkandidatët e Ramosajt për të parin e universitetit ua ka frikën dhe ua lë fajin ndërhyrjeve politike pse nuk u zgjodh rektor kur konkurroi për këtë pozitë në vitin 2006. 

Por ai shpreson se do të zgjidhet këtë herë në këtë post pikërisht pse thotë se nuk i përket asnjë partie politike dhe se mund të bashkëpunojë me të gjithë pa paragjykime. 

Zejnullahu që ka qenë një mandat dekan në FShMN, një mandat anëtar i bordit të UP-së dhe kryetar i Këshillit Shtetëror të Cilësisë, mendon se universiteti publik me vite është duke vuajtur nga ndërhyrjet politike të klaneve të ndryshme, ndikime të cilat pretendon se do t’i largojë nëse drejton UP-në. 

 “Me vite të tëra kemi menduar se kush do të zgjidhet senator, kush dekan e kush rektor, kush kë po e punëson dhe kush kujt po i bën favore, ndërkohë që kemi lënë anash kërkesat vitale për të nxjerrë kuadro të kualifikuara”, thotë Zejnullahu.

Përveç heqjes së ndikimeve klanore e politike, Zejnullahu planifikon luftimin e korrupsionit në universitet, transparencën si dhe ndalimin e angazhimit të personelit akademik jashtë universitetit nëse vihet në krye të Rektoratit. 

Garës për rektor i ka hyrë edhe Behxhet Mustafa, ligjërues në FShMN dhe koleg i Ramadan Zejnullahut. Ai ka vendosur të konkurrojë për këtë post duke e pezulluar përkohësisht pozitën e anëtarit të Këshillit Drejtues të cilën e mban prej vitit 2012. 

Sipas Statutit të UP-së rektori zgjidhet me shumicën e votave të anëtarëve të Këshillit Drejtues. 

Mustafa shpjegon se gjendja jo e mirë e Universitetit të Prishtinës e ka shtyrë ta ndërmarrë hapin e kandidimit. 

“(UP) gjatë viteve të fundit e ka humbur besimin në nivelin kombëtar dhe ndërkombëtar dhe vendosa që të konkurroj për pozitën e rektorit dhe ta nxjerr nga situata jo e duhur, meqë aftësitë menaxhuese i kam treguar në universitete…”, thotë Mustafa. 

Profesori-autor i librave të biologjisë të klasës së gjashtë, shtatë dhe tetë të shkollës fillore dhe kryetar i Shoqatës së Ekologëve të Kosovës që në vitet 2006-2009 ishte pjesë e Bordit të UP-së, ndërsa vitin e kaluar u shpall shkencëtar i vitit nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, nuk shpalosi planet se si do ta nxjerrë UP-në nga kriza. 

Mustafa dhe tre të tjerët do të zvënëdësojnë në këtë post Ibrahim Gashi që u dorëheq pas protestave në janar e shkurt 2014. 

Ai akuzohej se kishte fituar grada shkencore nga publikimet e punimeve në revista të dyshimta shkencore. 

Konkurrim në ditën e fundit të konkursit

Rektor dëshiron të bëhet edhe Anton Berishaj që ushtroi këtë detyrë nga marsi deri në gusht 2014 kur i përfundoi mandati gjashtëmuajsh. 

Atij si duket i ka pëlqyer ta mbajë këtë pozitë edhe më gjatë dhe nëse zgjidhet do të jetë në krye të UP-së deri në vitin 2016, kur duhej t’i kalonte mandati i rregullt ish-rektorit Ibrahim Gashi që dha dorëheqjen më 8 shkurt. 

Berishaj ende nuk ka kthyer përgjigje për punët që e ka në plan t’i bëjë nëse fiton këtë garë. 

Ai në ditën e tij të parë të punës si ushtrues detyre i rektorit më 10 mars kishte premtuar rishikimin e titujve akademikë të profesorëve, por arriti ta bëjë vetëm zgjerimin me anëtarë ndërkombëtarë të komisionit që do të merrej me këtë çështje. 

“Kjo (rishikimi i titujve akademikë) patjetër që do të ndodhë…dhe ai grup punues apo grupe punuese nëse formohen do t’u caktohet një afat dhe do të raportojnë”, deklaroi atëherë Berishaj. 

Por ai ia doli të publikojë siç kishte premtuar CV-të e profesorëve nëpër faqet e internetit të njësive akademike ku ata punojnë duke vendosur nëpër bibliotekat e fakulteteve edhe temat e magjistraturës dhe doktoraturës së ligjëruesve për të interesuarit.

Ndërsa Qëndrim Gashi, profesor i matematikës në FShMN, edhe pse pret që Këshilli Drejtues ta bëjë zgjidhjen e duhur për rektor, nuk i parashikon punë të lehtë drejtuesit të ardhshëm të universitetit. 

“UP-ja nuk del nga humnera nëse nuk vendoset një menaxhment me vizion më të gjerë sesa kënaqja e grupeve të ndryshme dhe të ngushta të interesit brenda dhe jashtë UP-së”, thotë Gashi. 

Konkursi për zgjedhjen e rektorit të UP-së ishte shpallur me 8 gusht, ndërsa askush nuk kishte aplikuar deri në ditën e fundit të konkursit, më 22 gusht. 

Pretendentë për këtë post ishin edhe profesorët Adem Nura e Isuf Musliu, por ata u eliminuan pasi komisioni konstatoi që nuk i përmbushnin kriteret e kërkuara me konkurs. 

Rektori pritet të zgjidhet në shtator. Profesori Qëndrim Gashi pret që ai ta sjellë një kulturë të re të komunikimit dhe llogaridhënies, e cila sipas tij deri më tash i ka munguar universitetit.