Dyshimet e Kushtueshme

Aksioni i rrufeshëm policor i 11 gushtit që kapi  përnjëherësh mbi 40 burra të dyshuar për terrorizëm do ti kushtojë dhjetëra mijëra euro shtetit të Kosovës. 

Kjo shumë mund të shpenzohet në pagesat e avokatëve mbrojtës të shumicës së të dyshuarve  nëse procesi zgjat dy vite aq sa mund të marrë kohë një proces gjyqësor që përfshin vepra të rënda penale.

Shumica prej tyre janë përcaktuar të mos marrin avokatë mbrojtës për t’i përfaqësuar në gjyq dhe kjo nënkupton që shteti duhet t’ua caktojë dhe të paguajë mbrojtjen e këtyre të akuzuarve.

Kodi i Procedurën Penale të Kosovës parasheh mbrojtje të obligueshme ligjore për veprat e dënueshme prej tetë vite e më shumë burgim.

Janë 32 të arrestuar nga 42 gjithsejtë mbrojtja e të cilëve do të paguhet nga shteti.

Një përllogaritje e bërë nga Gazeta Jeta në Kosovë tregon se 108 mijë euro të taksapaguesve kosovarë do t’u shkojnë avokatëve të caktuar nga shteti gjatë hetimeve dhe një procesi eventual gjyqësor.

Afro 10 mijë euro të shpenzuara vetëm në fazën e parë 

Vehbi Kashtanjeva, gjyqtar i procedurës paraprake në rastin e të arrestuarve nën dyshimin për terrorizëm, ka kërkuar nga Oda e Avokatëve të Kosovës angazhimin e 32 avokatëve sipas detyrës zyrtare, pasi që ata nuk kishin avokatët mbrojtës me autorizim. 

Kashtanjeva tha për Gazetën Jeta në Kosovë se shuma e kërkuar për kompensim nga një avokat i angazhuar sipas detyrës zyrtare është 300 euro.

“Kjo shumë përbën kompensimin për punën e një avokati të angazhuar sipas detyrës zyrtare, për  pjesëmarrje në seancën dëgjimore për caktimin e paraburgimit si dhe përpilimin e ankesës kundër vendimit për caktimin e paraburgimit”, tha gjyqtari Kashtanjeva. 

Rregullorja për Tarifat e Avokatëve e Odës së Avokatëve të Kosovës, e miratuar në nëntor të vitit të kaluar, shpjegon se për rastet që rrezikojnë dënim me burgim prej 8 e më shumë vjet parasheh një pagesë prej 200 eurosh për pjesëmarrje në një seancë gjyqësore. Ndërsa për përpilimin e ndonjë ankese parashihet që avokati të paguhet 100 euro.

Bazuar në këtë politikë tarifore del se 32 avokatët në këtë rast do të marrin 9 mijë e 600 euro. 

Kjo shumë është kompensim për punën e avokatëve vetëm për seancën dëgjimore si dhe parashtrimin e një parashtrese-ankese eventuale ndaj caktimit të masës së paraburgimit. 

Procesi dy vjeçar mund të shpenzojë mbi 100 mijë euro 

Sabrije Krasniqi është avokate  e angazhuar sipas detyrës zyrtare e Egzon Latifit i cili akuzohet për organizim dhe pjesëmarrje në grupet teroriste, rekrutim në terrorizëm si dhe mosdurim kombëtar, racor, fetar apo etnik. ,

Ajo nuk pret fund të shpejtë të procesit, pasi që pritet të merret në pyetje numër i madh i dëshmitarëve marrë parasysh numrin e madh të të dyshuarve.

“Në të kaluarën kam qenë pjesë e një rasti ku kanë qenë 23 të akuzuar dhe rasti ka zgjatur pothuajse dy vjet”, tha Krasniqi për Gazetën Jeta në Kosovë.

Egzon Latifi në seancen degjimore lidhur me caktimin e paraburgimit  e ka kundërshtuar këtë masë duke thënë se nuk i ka kryer veprat për të cilat dyushohet.

Atij i është caktuar paraburgimi prej 30 ditësh në seancën dëgjimore të mbajtur më 13 korrik të këtij viti. 

Avokatja ka konfirmuar se ka bërë ankesë kundër këtij vendimi  në Gjykatën e Apelit. Ajo do të marrë 200 euro për seancë dëgjimore dhe 100 euro tjera për parashtrimin e ankesës.

Këto pagesa bëhen nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës. 

Këshilli.. për këtë vit posedon një buxhet prej 600 mijë eurosh ku përfshihen shpenzimet për avokatët sipas detyrës zyrtare, ekspertët e ndryshëm që marrin pjesë nëpër seanca gjyqësore si dhe ndërmjetësuesit gjyqësor.

Vitin e kaluar buxheti për këto kategori ka qenë në vlerë prej 700 mijë euro. Vetëm për avokatë ishin shpenzuar 382 mijë e 622 euro. 

Por sa mund të zgjasë një proces gjyqësor?

Afatet shpjegohen në Kodin e Procedurës Penale të Kosovës. 

Kodi.. ia jep prokurorit një afat prej dy vjetësh për zhvillimin e hetimeve ndaj një rasti deri në ngritjen eventuale të aktakuzës.

Hetimet në raste të caktuara mund të zgjasin edhe më shumë se sa dy vite. 

Kodi.. shpjegon se nëse në një rast ka më shumë se katër të dyshuar brenda lëndës, atëherë gjyqtari i procedurës paraprake mund t’i japë prokurorit edhe një afat shtesë prej gjashtë muajsh për t’i bërë hetimet.

Pikërisht rasti i të dyshuarve për terrorizëm i përket këtij përjashtimi. Të dyshuarit për terrorizëm aktualisht janë nën masën e paraburgimit 30 ditësh. 

Bazuar në praktikë në rast se brenda kësaj periudhe nuk përfundojnë hetimet, atëherë prokurori do të bëjë kërkesë për zgjatjen e paraburgimit ndaj tyre.

Në shumicën e rasteve nëpër gjykata, hetimet nuk përfundojnë brenda periudhës njëmujore të paraburgimit.

Rrjedhimisht në kërkesën e Prokurorit për vazhdimin e paraburgimit zakonisht avokatët paraqesin kundërshtimet e tyre përmes parashtresave të dorëzuara tek gjyqtari i procedurës paraprake.

Avokatët e angazhuar sipas detyrës zyrtare mund të përfitojnë sërish në rast se gjyqtari vendosë në favor të prokurorit.

Avokatët gëzojnë të drejtën të kundërshtojnë sërish. Në këtë fazë ankesën duhet ta dorëzojnë në Gjykatën e  Apelit. 

Avokatët mund të fitojnë më shumë nëse prokurorit i duhet i tërë afati ligjor prej dy vitesh e gjashtë muaj. 

Avokatët gëzojnë të drejtën që për çdo dy muaj të bëjnë nga dy parashtresa-ankesa.

Dhe në rast se procesi do të merrte këtë kahje të zhvillimit dhe avokatët do të shfrytëzonin të drejtat e tyre  për tu ankuar ateherë shuma që do të përfitonin 32 avokatët do të kapte vlerën e 76 mijë e 800 eurosh.

Megjithatë avokatët kanë edhe hapësira tjera për të nxjerrë para gjatë këtij procesi eventual gjyqësor.

Në rast  se prokurori pas hetimeve të tij, vendos për ngritjen e aktakuzës, Gjykata është e obliguar që sipas Kodit të Procedurës Penale të mbajë edhe së paku 3 seanca obligative gjyqësore.

Shqyrtimi gjyqësor do të përfundonte vetëm nëse të dyshuarit e pranojnë fajësinë qysh në seancën fillestare. Por këtë nuk e kanë bërë në seancën dëgjimore. Të gjithë të dyshuarit janë deklaruar se ndihen të pafajshëm ndaj veprave për të cilat dyshohen.

Dhe në rast se ndodh që të mbahen vetëm tri seancat obligative gjyqësore atëherë del se 32 avokatët e angazhuar në këtë rast do të paguhen në total në shumë prej 22 mijë e 400 euro.

“Nuk ka gjasa që një rast që përfshin kaq veta të përfundojë vetëm me tri seanca gjyqësore të cilat janë obligative. Mendoj se do të zgjasë më shumë”, tha  Sabrije Krasniqi avokate mbrojtëse në këtë rast gjyqësor.