Grada Master ia Bën Sherrin Për të Qenë Profesor

Kur në gusht të vitit të kaluar, Bahri Fetahi kishte dorëzuar aplikacionin e tij për t’u bërë profesor në një shkollë të mesme të Vushtrrisë, e kishte menduar veten favorit për vendin e punës.

Me gradën Master të sapomarrë në Fakultetin e Makinerisë  të Universitetit të Prishtinës, Fetahi kishte shpresuar në disa pikë më shumë se kundërkandidatët eventualë.

Ai kishte konkurruar në konkursin e hapur nga Drejtoria e Arsimit në komunën e Vushtrrisë për vendin të perherëshëm të punës,  “Instruktor/Trajner të Moduleve Praktike për Makineri” në Shkollën e Mesme Teknike “Lutfi Musiqi” të Vushtrrisë.

Por llogaritë i dolën të gabuara, meqë komisioni kishte zgjedhur ta pranojë një kandidat me gradën “bachelor”.

Musa Tërbunja që ka qenë drejtor i kësaj shkolle në kohën e hapjes së konkursit, thotë se është në dijeni për rastin e Bahri Fetahit.

Por ai jep një arsyetim të çuditshëm pse Fetahi nuk është pranuar në punë.

“Unë atëherë si drejtor shkolle nuk kam kërkuar që të aplikojnë më master. Se di pse ai (Bahri Fetahi) ka aplikuar”, thotë Tërbunja për Gazetën Jeta në Kosovë.

“I kam pranuar ata që janë përshtatur me konkursin, për këtë arsye s’kemi pse hapim konkurs më. Përgjegjësia ligjore bjen mi mua dhe mbi askënd tjetër’’, tha Tërbunja i cili tani është ngritur në pozitën e Drejtorit Komunal të Arsimit në Vushtrri.

Por Fetahi pretendon se i është bërë e padrejtë që është refuzuar në këtë pozitë, pasi që, sipas tij, nga katër personat e pranuar në atë konkurs, dy ishin më shkollë të lartë dhe dy të tjerët me gradën bachelor. 

“Konsideroj se më vendimin e Drejtorisë së Arsimit në Vushtrri më është bërë e padrejtë me rastin e përzgjedhjës së kuadrit për mësimdhënës pran shkollës së mesme teknike “Lutfi Musiqi” në Vushtrri”, thuhet në ankesën që Bahri Fetahi e kishte dorëzuar vitin e kaluar në drejtorinë komunale të arsimit.

“Në vendet e lira të punës në lëndën Instruktor/Trajner të Moduleve Praktike për Makineri janë pranuar persona që janë më përgatitje shkollore më të ulët së unë, disa janë me “shkolla të Larta” e disa janë me “Bachelor”, ndërsa unë e kam të perfunduar “Masterin”, thuhet në ankesë. 

Drejtoria e Arsimit në Vushtrri, e kishte shqyrtuar ankesën e Fetahit dhe kishte dhe kishte ardhur në konstatim se ai nuk i plotësonte kriteret e kërkuara me konkurs, pasi gradën “Master” nuk e kishte dëshmuar me diplomë në dosjen e aplikacionit.

“Më anë të kësaj shkrese ju informojmë së komisioni komunal ka shqyrtuar ankesën e juaj dhe ju informon së nuk jeni pranuar në vendin e punës për të cilin keni konkuruar sepse nuk i plotësoni kriteret e kërkuara në bazë të Udhëzimit Administrativ 20/2013, si dhe ju mungon diploma”,  ishte përgjigjëja e DKA-së e datës 23. 09. 2013.

Mirëpo Fetahi nuk ishte ndalur më kaq.


Musa Tërbunja

Ndaj këtij vendimi të DKA-së, ishte ankuar edhe në  Sektorin e Inspektimit në Mitrovicë, zyre regjonale që punon në kuadër të zyrës së Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT), e që është pergjegjëse për inspektimin e arsimit në rajonin e Mitrovicës.    

Sektori i Ispektimit në Mitrovicë, më datën 14. 10. 2013 kishte dalë me rekomandimin që të rishqyrtohet ankesa e Fetahit nga ana e Komisionit Komunal.

“Rekomandohet DKA në Vushtrri që ta rishqyrtojë ankesën e Bahri Fetahit në një afat prej 15 ditësh, sepse në arsytimin e juaj keni thënë së i mungon Diploma, edhe pse ankuesi në dosjen e DKA-së  kishte një certifikatë të lëshuar në vend të diplomës (e cila i vlenë deri në leshuarjen e diplomës)”, thuhet në këtë vendim.

Më datën 7 nëntor 2013, drejtoria e Arsimit, sado që jashtë afatit ligjor, pasi kishte rishqyrtuar ankesën, kishte marrë vendim për përsëritjen e konkursit për këtë vend të punës. 

Mirëpo, ky vendim ka mbetur vetëm në letër.

Konkursi nuk është hapur ende, sado që për këtë është vendosur nga autoriteti komunal.

Muharrem Peci, udhëheqës i Inspektoratit Regjional të Arsimit në Mitrovicë, tha për Gazetën Jeta në Kosovë,  se nuk është i informuar që konkursi nuk është rishpallur ende, dhe kjo është arsyeja se kjo lëndë ka mbetur vetëm në letër. 

“Nuk paskemi qenë ne dijeni së ky konkurs nuk qenka përsëritur, mirëpo ai person që është punësuar në atë konkurs, do të shkojë në shtëpi, sepse nuk mund të punojë në atë mënyrë të pranimit’’, tha Peci.

Peci thotë se vendimet e zyrës së tij janë të obligueshme për t’u respektuar nga autoritetet komunale të arsimit.

“Ne fillimisht e rekomandojmë Drejtorinë e Arsimit për përmirësimin e gabimit. Në rast se ai nuk përfillet, atëherë ne lëshojmë Vendim që duhet zbatohet në afat prej 15 ditësh, e në rast së as ky nuk merret parasysh atëherë ne atë lëndë e drejtojmë në prokurori”, tha Peci. 

Ndërsa Bahri Fetahi thotë se ende është në pritje të konkursit.

“Unë jam në pritje të rihapjes së konkursit. Nuk e di pse drejtoria s’po e hap atë”, thotë Fetahi.