Universiteti i Prizrenit Pa Asnjë të Diplomuar

I themeluar që katër vite, universiteti i dytë publik më i madh në Kosovë, “Ukshin Hoti” në Prizren,  ende nuk ka nxjerrë asnjë të diplomuar. 

Ndonëse mbi katërqindtë studentë i kanë kryer obligimet e tyre duke plotësuar kushtet për fitimin e diplomës, ky universitet nuk po ia jep mundësinë atyre që të pajisen me të. 

Për pasojë studentëve iu kanë dalë probleme për të vazhduar studime master apo edhe të punësohen në vende ku kërkohet diploma. 

Një situatë e tillë është krijuar për shkak të neglizhencës së UPZ-së për të blerë një printer me të cilin shtypen diplomat.

Porosia për të blerë një tillë u bë tek në korrik të vitit 2014 katër vite pas themelimit të universitetit. 

Ardmen Hulaj, i cili ka përfunduar studimet për Administrim Biznesi vitin e kaluar, tregon se si në mungesë të diplomës ai nuk ka mundur të regjistroj masterin në Universitetin e Prishtinës por as edhe në ndonjë universitet jashtë vendit. 

Ai tregon se si jo vetëm që nuk iu lëshua diploma, por as edhe certifikata të notave duke ia pamundësuar  vazhdimin e studimeve post diplomike.

“Si pasojë e vonesës së çertifikatave na humbi mundësia që ti vazhdojmë studimet master si në Kosovë ashtu dhe jashtë Kosovës”, thotë Hulaj. 

Ndërsa për diploma ai thotë se për çdo muaj kishin marrë premtimin se do të zgjidhej ky problem, por që sipas tij ende nuk ka ndodhur kjo, ndonëse studentët kanë mbetur keq. 

Hulaj tregon se ushtruesi i detyrës sërektorit të UPZ-së, Zahadin Shemsidini, i kishte thënë studentëve se është duke pritur nga Universiteti i Prishtinës që të blente printerin dhe në rast se do të funksiononte mirë  atëherë edhe UPZ-ja do ta blinte një të tillë në të njëjtin vend.

Të njëjtat arsye i ka pranuar edhe vetë ushtruesi i detyrës së rektorit për Gazetën Jeta në Kosovë. 

Udhëzimi administrativ që rregullon këtë fushë përcakton se studentëve duhet të iu lëshohet diploma në afat prej katër javësh nga dita e diplomimit, përkatësisht pas plotësimit të kushteve për fitimin e diplomës.

Nga mospërfillja e këtij udhëzimi ngjashëm si Hulaj është dëmtuar edhe studenti Kujtim Hameli.

Edhe ai ka përfunduar vitin e kaluar studimet për Administrim Biznesi në Kontabilitet.

Ai tregon se si për shkak të mungesës së diplomës ka pasur shumë vështirësi për të vazhduar studimet post diplomike në Universitetin e Stambollit në Turqi. 

Hameli kishte fituar një bursë studimesh në këtë universitet por që më pas nuk ishte pranuar në mungesë të diplomës. Për të mos mbetur pa studiuar,  Universiteti i Prizrenit i kishte lëshuar atij një letër arsyetimi për ta dërguar në universitetin turk e me të cilën sqarohej se universiteti kosovar ka probleme teknike në lëshimin e diplomave, por që kjo letër nuk ishte pranuar.

“Është turp për një universitet publik të gjejë arsye se nuk ka printer për të shtypur diplomat”, thotë Hameli.

Por Hamelit iu njoh e drejta për studime në Turqi tek pasi universiteti i Stambolli kishte dhënë një afat shtesë për kompletimin e dokumentacionit në të cilën UPZ i kishte dhënë atij një çertifikatë diplomepër pamjen e së cilës Hameli thotë të ishte turpëruar në Turqi. 

“Vërtetë, shume poshtëruesenjëletër e thjeshte A4, një format i pa strukturuar me gabime drejtshkrimore, një vule dhe njënënshkrim i dekanit. Me vinte turp t’a prezantoja ne universitet ne Turqi”, thotë ai. 

Thotë se e ka dorëzuar në Stamboll por ende nuk e di sigurt a do t’i pranohet.

Ai pranon që disa herë studentët kanë shkuar për tu ankuar në rektorat që problem i diplomave të zgjidhet , por që kjo sipas tij nuk është bërë deri më tash. 

“Tani, ka kohë që vizitojmë dyert e universitetit duke kërkuar lëshimin e diplomave, por edhe kësaj radhe krerët e universitet tonë nuk ngurrojnë për  të na injoruar pa arsye”, shton më tej Hameli.

UPZ gjuan topin tek Universiteti i Prishtinës

Shemsedin Zahidini, ushtruesi i detyrës së rektorit në Universitetin e Prizrenit, e pranon që në mungesë të një printeri ky universitet nuk është duke lëshuar diploma, por thotë që kjo nuk është bërë për faj të tij. 

Ndonëse Universiteti i Prizrenit është hapur në tetor të vitit 2010, porosia për ta blerë printerin për shtypjen e diplomave është bërë tek pas katër viteve.

Sipas Zahidinit, prej nëntorit kur edhe ai kishte marrë këtë pozitë ka tentuar disa herë ta porosis printerin në vendin e njëjtë ku e ka blerë edhe UP-ja por që sipas tij atyre iështë prishur dhe nuk ka dashur “të gjuaj para kot”.

“Prej nëntorit deri më tash, tamam sa kemi dashur ne ta porosisim printerin  që e ka Universiteti i Prishtinës, thanë (UP) jo mos e porositni se na u prish i yni”, thotë Zahidini. 

Ai thotë se nuk e di në cilin vend i porosit printerët universiteti i Prishtinës.

Universiteti i Prishtinës, sipas tij, e ka bërë një porosit të re të printerit që shtyp diploma dhe po presin deri sa të vije. 

Por, UP-ja mohon e këtë. Thotë se ka printer që shtyp diploma e certifikata të notave.

Por  megjithatë UP-ja ka një defekt tjetër. 

Sipas zyrës për informim në rektoratine  UP-së, ky universitet ka problem  me aparaturën që vendos fletëzën ndriçuese të sigurisë në diploma mjet ky i cili është porositur për ta blerë po jo edhe printeri ashtu siç deklaron ud i rektorit të UPZ-së, Shemsedin Zahidini. 

“Kjo aparaturë ka defekte, riparimi i të cilave është i kushtueshëm dhe se nuk ia vlen të riparohet. Andaj duke u bazuar në këtë, është vendosur të blihet një aparaturë e re për këtë funksion. Për këtë tenderimi është në proces”, thuhet në përgjigjen e zyrës për informim të UP-së. 

Sipas UP-së ka pasur probleme të kohëpaskohëshme me printerë për shtypjen e diplomave. Por megjithatë UP-ja ka lëshuar diploma përgjatë viteve me përjashtim të disa muajve kur janë paraqitur defekte.

“Një printer është blerë gjatë mandatit të Mujë Rugovës (2009-2012). Ky printer është dëmtuar pa mundësi riparimi gjatë mandatit të Ibrahim Gashit (2012-2014)  për shkak të vërshimeve që kishin përmbytur hapësirën ku funksionon Zyra për Diploma. Për shkak të kësaj është dashur të blihet edhe një printer (pra i dyti), i cili aktualisht është në funksion.

Ndërkohë Ministria e Arsimit ende nuk ka dhënë një përgjigje lidhur me problemin në Universitetin e Prizrenit. 

Arbër Morina dhe Afërdita Maliqi, këshilltarë të ministrit Buja, nuk kanë dhënë përgjigje duke e arsyetuar se janë në pushim.