Të Papërgjegjshmit

Nenad Rashiq,  ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale gjatë vitit 2013 ka shpenzuar 7 mijë e 296 euro nga kredit kartela për udhëtime zyrtare dhe nuk i ka arsyetuar ato te zyrtarët financiarë të këtij dikasteri qeveritar. 

Shembullin e tij e kanë ndjekur edhe dy zëvendësministrat Fatmir Shurdhaj e Berat Luzha. 

Gazeta Jeta në Kosovë nëpërmjet qasjes në dokumente publike ka zbuluar  emrat e zyrtarëve të ministrisë që kanë kryer veprime në shpërputhje me rregullat shtetërore. 

ZAP-i ka ofruar listën me emrat e zyrtarëve të MPMS-së që kanë shpenzuar nëpërmjet kredit kartelave, por që nuk i kanë arsyetuar ato te përgjegjësit financiarë në ministri.

Zyra e Auditorit të Përgjithshëm ka gjetur se katër zyrtarët e lartë të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale nuk kanë arsyetuar avancet e shfrytëzuara për udhëtime jashtë vendit në vlerën e 19 mijë e 935 eurove. 

Udhëzimi Administrativ qeveritar për Kredit Kartelat për Udhëtimet Zyrtare thotë se përdoruesi i kartelës duhet të dorëzojë raportin mujor të shpenzimeve në institucion deri më datën 5 të muajit vijues.

“Ai (përdoruesi i kartelës) është përgjegjës t’i kontrollojë pagesat e bëra me kredit kartelë dhe të ofrojë arsyetim për pagesat e bëra”, shkruan në këtë udhëzim. 

Nuk ka limit të caktuar se sa lejohet të shpenzojë një ministër apo zëvendësministër nëpërmjet kredit kartelës, pasi që udhëzimi administrativ përcakton se ministritë duhet të vendosin vetë për të caktuar limitet se sa duhet të shpenzojë një zyrtar i caktuar. 

“Ne nuk kemi gjetur dëshmi nëse këto shpenzime janë të autorizuara sipas UA për Kredit Kartele për Udhëtime Zyrtare ” ZAP

Ndërkaq ZAP-i  në rastin e Ministrisë së Punës e Mirëqenies Sociale konkludon se vonesa në mbylljen e avanceve dhe mosarsyetimi i mjeteve të shpenzuara mund të rezultojë në shpenzime të parregullta.

“Ne nuk kemi gjetur dëshmi nëse këto shpenzime janë të autorizuara sipas UA për Kredit Kartele për Udhëtime Zyrtare”, thuhet në raportin e ZAP-it për këtë ministri të publikuar në korrik të këtij viti në të cilin nuk përmenden emrat e zyrtarëve që nuk janë treguar të përgjegjshëm. 

Raporti i referohet performancës së kësaj ministrie përgjatë vitit 2013.

Ministri Nenad Rashiq tha për Gazetën Jeta në Kosovë se shumica e udhëtimeve të tij jashtë vendit janë arsyetuar me kohë dhe me raporte. 

“E di që ndodh në praktikë që nëse nuk i keni mbyllur 1 euro borxh, atëherë tërë shuma e mjeteve mbetet si e ‘pa mbuluar’ dhe besoj që këto veprime teknike kanë krijuar përshtypjen që shpenzimet nuk janë të rregulluara”, tha Rashiq.

Megjithatë Zyra e Auditorit të Përgjithshëm shkuan në raport se ministri Rashiq duhet që të sigurojë rritjen e përgjegjësisë së zyrtarëve me rastin e udhëtimeve zyrtare, duke dëshmuar dhe arsyetuar saktë shpenzimet e ndodhura dhe duke mbyllur me kohë avancet. 

“E di që ndodh në praktikë që nëse nuk i keni mbyllur 1 euro borxh, atëherë tërë shuma e mjeteve mbetet si e ‘pa mbuluar. Nenad Rashiq

Mijëra euro të paarsyetuara nga dy zëvendësministrat 

Por më shumë sesa vetë eprori i tij, gjatë vitit të kaluar ka shpenzuar zëvendësministri Fatmir Shurdhaj. 

Ai ka shpenzuar nëpërmjet kredit kartelës për udhëtime zyrtare jashtë vendit një shumë prej 10 mijë e 737 eurosh. Shurdhaj ende nuk ka komentuar lidhur me të gjeturat e auditimit. 

Shurdhaj nuk ka dashur të komentoj të gjeturat e auditorit. Ai në një përgjigje me shkrim, tha se zyra për informim e MPMS duhet të jap përgjigje.

Berat Luzha, zëvendësministri tjetër, ka shpenzuar 1 mijë e 25 euro.  

Luzha tha për Gazetën Jeta në Kosovë se 1 mijë e 25 euro i kishte tërhequr nga kartela gjatë një udhëtimi në Mal të Zi vitin e kaluar.

Sipas tij, 710 euro ishin arsyetuar me fatura, kurse rreth 314 euro i kanë mbetur të paarsyetuara.

“Mjetet e paarsyetuara me fatura janë kthyer  më 24 mars 2014. Vonesa e kthimit të mjeteve është bërë edhe nga disa probleme procedurale”, tha Luzha .

Luzha thotë se ZAP-i e ka marrë gjendjen e 31 dhjetorit të vitit 2013, kur nga shuma prej 1025 eurove kishin mbetur ende të paarsyetuara 314 euro. 

Ndërkaq Lazar Radulloviq, këshilltari politik i ministrit Rashiq, ka shpenzuar 877 euro e të cilat nuk i ka arsyetuar sipas të gjeturave të auditimit. 

MPMS-ja ia kishte paguar atij një avancë për udhëtim jashtë vendit. 

Radulloviq ende nuk ka komentuar lidhur me këtë konkludim.

Musa Demiri shef i Zyrës për Informim në MPMS,  tha se të gjitha udhëtimet në këtë ministri janë të autorizuara konform dispozitave ligjore.

Sipas tij, një pjesë e avanceve janë mbyllur e disa kanë mbetur ende të hapura.

“Por shërbimi i financave të gjithëve u ka kërkuar që t’i mbyllin avancet konform dispozitave ligjore”, tha Demiri.

Ai nuk tregoi se cilët prej drejtuesve të ministrisë i kanë mbyllur avancet e cilët jo.

“Ne jemi përgjigjur njëherë dhe nuk kemi çfarë të shtojmë më shumë”, tha ai.  

“Mjetet e paarsyetuara me fatura janë kthyer  më 24 mars 2014. Berat Luzha

Por përveç drejtuesve të ministrisë është edhe një person që nuk është zyrtar i saj, por i cili nuk ka arsyetuar shpenzimet e paguara nga MPMS-ja. 

Agim Shahini, drejtor i Aleancës Kosovare të Bizneseve, ishte  ftuar nga kjo ministri për të marrë pjesë në konferencën e organizatës ndërkombëtare të punës (ILO) të organizuar në Gjenevë të Zvicrës nga data 6 – 10 qershor 2012.

MPMS-ja i pagoi atij biletën e udhëtimit me aeroplan, akomodimin në hotel dhe ushqimin.

Totali i shpenzimeve për të ishte 1 mijë e 114 euro. 

Shahini tha për Gazetën Jeta në Kosovë se ka arsyetuar të gjitha shpenzimet e tij, por se ka mundur t`i vonojë faturat.

“Unë i kam dorëzuar të gjitha faturat në MPMS, por mund të ndodh që auditori ka gjetur këto shpenzime para se unë t`i dorëzoj faturat. Pra nuk e përjashtoj mundësinë që t`i kem vonuar ato”, tha Shahini.

Ndërkohë Ministria e Financave, që është autoritet përgjegjës për menaxhimin e financave publike në kuadër të së cilës operon departamenti i thesarit, nuk ka dashur të komentojë lidhur me veprimet e krerëve të Ministrisë së Punës e Mirëqenies Sociale.

“Kjo çështje ka të bëjë me MPMS-në dhe përgjigjet kërkoni në këtë ministri”, tha Muharrem Shahini shef i Zyrës për Media në MF.

Edhe autoriteti më i lartë qeveritar, Zyra e Kryeministrit, ende nuk ka dhënë përgjigje lidhur me këtë rast.

Dedaj ishte shkarkuar për mosarsyetim të shpenzimeve

Përderisa ZKM-ja ende nuk ka dhënë përgjigje lidhur me Rashiqin dhe vartësit e tij, në një rast të mëhershëm kishte pasur reagime nga ekzekutivi. 

Kryeministri në largim Hashim Thaçi në korrik të 2010 kishte shkarkuar Gjergj Dedajn zëvendësministrin e Ministrisë së Transportit dhe Telekomunikacionit, vetëm dy ditë pasi që ishte emëruar në këtë pozitë, për shkak të keqpërdorimeve gjatë mandatit si zëvendësministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale.

“Këtë vendim kryeministri Thaçi e ka marrë bazuar në të gjeturat e fundit nga organet kompetente që flasin për keqpërdorimet dhe keqmenaxhimin që z. Dedaj e ka bërë gjatë periudhës kur ka ushtruar detyrën e zëvendësministrit në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale”, thuhej në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit të muajit korrik të vitit 2010.

Sipas kësaj komunikate veprimi i kryeministrit Thaçi kishte ndodhur në vazhdën e luftës së pakompromis ndaj korrupsionit, dukurive negative dhe fuqizimit të qeverisjes së mirë.

Gazeta Koha Ditore pati shkruar në korrik të vitit 2010 se Gjergj Dedaj gjatë vitit 2009 si zëvendësministër i Punës dhe i Mirëqenies Sociale, kishte shpenzuar mbi 33 mijë euro nga kartela financiare, në udhëtimet zyrtare.

Dedaj pati arsyetuar veten duke thënë se faturat përkatëse i kishte dorëzuar tek zyrtarët financiarë të Ministrisë së Punës.

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale atëkohë pati thënë se ishin duke shqyrtuar raportet financiare dhe faturat të cilat i kishte dorëzuar si mbulesë ish-zëvendësministri Dedaj për shpenzimet e bëra gjatë udhëtimeve të tij.