Frikë nga “Lista Rezervë” në Agjencinë për Investime

Kryeshefi i Agjencisë për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA), Valdrin Lluka, tregoi javën e kaluar se ka përgatitur për nënshkrime 18 kontratat e të punësuarve, që do të jenë pjesë e kësaj agjencie. 

Krijimi i agjencisë, e cila do të jetë përgjegjëse për mbrojtjen dhe promovimin e investimeve dhe që do ta mbështetë zbatimin e politikave në fushën e zhvillimit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, ishte paraparë edhe me Ligjin për Investime, të dekretuar në fund të vitit 2013 nga Presidentja Atifete Jahjaga. 

Agjencia është në kuadër të Ministrisë së Tregtisë dhe është krijuar pas bashkimit të Agjencionit për Promovim të Investimeve në Kosovë (APIK) dhe Agjencionit për Ndërmarrje të Vogla dhe të Mesme (AMNVM), ashtu siç parashihet edhe në këtë ligj. 

Duke folur nga zyra e tij me mure të zbukuruara me fotografi të vendeve më atraktive të Kosovës, Lluka tha se bashkimin e dy agjencive e kishte filluar që nga janari, menjëherë pasi Presidentja Jahjaga kishte dekretuar atë ligj.

Por procedurat për bashkimin e këtyre dy agjencive kishin zgjatur deri në maj të këtij viti. 

“APIK dhe Agjencia për Përkrahjen e NVM-ve janë bashkuar në një: Agjencia për Investime dhe Përkrahje të Ndërmarrjeve në Kosovë – KIESA”, kishte shkruar Lluka në profilin e tij më 14 maj 2014. 

Lluka, ka qenë kryeshef i Agjencionit për Promovim të Investimeve në Kosovë (APIK) dhe ushtrues i detyrës së udhëheqësit të Agjencionit për Ndërmarrje të Vogla dhe të Mesme (AMNVM), deri në një vendim të Qeverisë, që e kishte emëruar atë kryeshef të Agjencisë së re.

Si kryeshef i APIK, Lluka ishte emëruar në vitin 2011 dhe kishte mandat deri më27 korrik 2014.

Por para se t’i përfundojë mandati, kryeministri në largim Hashim Thaçi më 23 korrik 2014 ia ka vazhduar mandatin edhe për tri vite bashkë me vazhdimin e kontratave edhe për disa sekretarë të përhershëm të ministrive dhe për kryeshefë të agjencive qeveritare. 

Duke qenë se kontratat u vazhduan në kohën kur qeveria e dalë nga zgjedhjet e 8 qershorit ende nuk është formuar, vendimet janë kritikuar nga partitë tjera që nuk janë pjesë e qeverisë.

Të dy agjencionet kanë pasur 25 të punësuar, por me aprovimin e Ligjit për Investime është paraparë të bëhet rekrutimi i zyrtarëve të këtyre dy agjencive.

Megjithatë, nuk duket të ketë vend për të gjithë.

Rregullorja për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e vendeve të punës së MTI-së, parasheh që në agjencinë e re, të jenë 18 të punësuar, ndërsa pjesa tjetër do të mbesin tepricë apo jashtë organogramit të ri të Agjencisë së re (KIESA).

Ndonëse Lluka gjatë intervistës tha se ka përgatitur aktvendimet për 18 të punësuarit në Agjencinë e re, Gazetës Jeta në Kosovë nuk iu ofrua qasje në listën e atyre që janë punësuar me arsyetimin se nënshkrimi i aktvendime nuk ka përfunduar akoma. 

“Departamenti i Financave dhe Shërbimeve të Përgjithshme na bënë me dije se procesi i nënshkrimit e aktvendimeve tëtë punësuarve në KIESA ende nuk ka përfunduar tërësisht, ndaj edhe na sugjerojnë që të mos dalim me emra të personave të cilët kanë nënshkruar këto aktvendime”, ka thënë Lulzim Demolli, zëdhënësi i Ministrisësë Tregtisë dhe Industrisë.

“Lista nuk do të jetë konfidenciale, mirëpo duhet pritur deri në përfundim të procesit”.

Por dilema se kush do të mbesë brenda agjencisë se re e kush do të jetë në listën tepricë i ka shkaktuar probleme kryeshefit Lluka. 

Ai ka thënë se tashti është duke e përpiluar listën e atyre që do të mbesin jashtë agjencisë së re. 

“Nga këta që kanë qenë, ne jena mundu me i marrë më të mirët”, tha Lluka për Gazetën Jeta në Kosovë.

Përshkak të sfidave që thotë se ka pasur në krijimin e listës, ngase ka pasur punëtorë të pakënaqur që do të largohen nga puna, ai thotë se është vonuar procesi për krijimin e agjencisë së re.

“Me të gjithë ata që do të mbesin në listën rezervë jemi kuptuar kryesisht, përveç dy rasteve të cilët kanë bërë më shumë probleme”, ka thënë Lluka. 

Por zëdhënësi Demolli bie në kundërshtim me Llukën kur thotë se akoma nuk ka një listë rezervë. 

“Më duhet të ta potencoj që akoma nuk ka listë rezervë  dhe se është procedurë e gjatë deri në formimin e saj”, ka thënë ai. 

Punëtorët që kanë mbetur jashtë agjencisë së re, edhe për një muaj do ta vazhdojnë punën në këtë institucion. 

Nëse ata brenda një muaji nuk sistemohen diku në MTI ose në Qeveri, më pas shkojnë nga puna si staf tepricë. 

Por Mursel Zymberi, kryetar i Sindikatës së Shërbyesve Civil, i ka thënë gazetës se Qeveria e Kosovës është e obliguar që t’i sistemojë të gjithë të punësuarit të cilët kanë kontrata të përhershme, në rast të shuarjes së pozitave të tyre. 

“Ata nuk guxojnë me i hedh punëtorët në rrugë, përpos nëse largohen për shkelje ligjore”, tha Zymberi. 


Gëzim Gjikolli

Lluka: Nuk e kam shkelur Ligjin, stafi që kisha brenda nuk i plotësonte kriteret 

Por dy drejtoritë e këtij agjencioni do të udhëhiqen nga persona që nuk kanë qenë pjesë e këtyre dy agjencive pasi drejtor për Zhvillimin e Sektorit Privat është emëruar Agon Dula, ndërsa drejtor për Promovimin e Sektorit Privat është emëruar Gëzim Gjikolli. 

Lluka thotë se kur një pozitë nuk ka ekzistuar më herët, për atë pozitë mund të hapet konkurs. Ai thotë se fillimisht kanë hapur konkurs të brendshëm. 

“Ne e kemi bërë përzgjedhjen që mos me i lanë njerëzit palidhje me dalë jashtë, por nuk kemi pasur asnjë rast që ka plotësuar kushtet për këto dy pozita. Vetëm dy drejtorët janë punësuar nga jashtë”, ka thënë Luka, ani pse Ligji për Investime dhe Rregullorja për Organizimin e Brendshëm dhe Sistematizimin e vendeve të punës së MTI-së, parashihte sistemimin e punëtorëve të brendshëm në këto pozita. 

Lluka nuk konsideron se ka shkelur Ligjin për Investime dhe Rregulloren e Punës së MTI-së. 

“Nuk konsideroj që kam bë shkelje, për arsye se unë nuk jam kundër sistemimit të krejt zyrtarëve, mirëpo kriteret që është dashur me i plotësu për drejtor, unë nuk i kam gjetur këtu”, thotë ai.

Sipas Mursel Zymberit, Qeveria është e obliguar “t’i korrigjojë vendet e lira të punës” në mënyrë që të sistemohen ata shërbyes civilë që janë të rrezikuar.

“Në rastin e tillë kur ka shuarje të pozitave, e mandej mund të hap konkurs për vende të reja të punës nëse ka”. 

“Por në asnjë mënyrë, nuk mundet një punëtor që ka kontratë me mbet pa punë e me ardhë dikush nga jashtë”. 

Lluka thotë se punësimet nga jashtë kanë ndodhur pikërisht pasi stafin brenda e ka pasur të pakualifikuar. 

“Sfidën kryesore e kam që jo i gjithë stafi e njeh gjuhën angleze, por edhe ndonjë gjuhë tjetër bën”, tha Lluka. 

“Nuk mundesh ti me dërgu dikë që e promovon Kosovën jashtë pa e ditë anglishten”. 

Përveç gjuhës angleze, i rëndësishëm për Llukën është edhe prezantimi si dhe komunikimi që drejtorët do të kenë me donatorët. 

“Unë njerëz të tillë brenda nuk kam pasur, e ne nëse nuk kemi donatorë ma mirë është me e mbyllë agjencinë”, thotë Lluka, duke treguar se brenda vitit të fundit kanë arritur me i siguruar 12 milion euro donacione.

I pyetur pse nuk i ka larguar punëtorët e pakualifikuar, gjatë tri viteve, sa ai ka udhëhequr APIK, Lluka ka thënë se “është shumë e vështirë të largohet nga puna dikush që e mbanë pozitën e shërbyesit civil”.

“Për dy vite në vlerësimet që ju bëhen atyre, duhet me thënë se ata kanë bërë gjithçka keq, në mënyrë që me i largu nga puna, e për dy vite ata bëjnë diçka të mirë bile”, ka thënë Lluka.

Konkurset për pranimin e dy drejtorëve janë hapur në muajin shkurt, por ato kanë dështuar tri herë, siç thotë Lluka për shkak të shantazhimeve që i janë bërë nga punëtorët e pakënaqur, të cilët nuk do të sistemoheshin në Agjencinë e re. 

Punëtorët me të cilët ka kontaktuar Gazeta Jeta në Kosovë, nuk kanë dashur të flasin rreth kësaj çështjeje, pasi akoma thonë se ndihen të rrezikuar se mund të mbesin në listën rezervë. 

Por Naim Abazi, Kryetar i Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës, që ka monitoruar procedurat e konkurseve në MTI, thotë se deritash nuk ka pasur asnjë ankesë zyrtare nga punëtorët të cilët pretendojnë se do të mbesin në listën rezervë.

“Ata kanë qenë në Këshill… janë anku vetëm gojarisht, por ankesë zyrtare akoma nuk kanë bërë”, i ka thënë Abazi, Gazetës Jeta në Kosovë. 

Ai thotë se është miratuar vendimi për pozitën e drejtorit të për Promovimin e Sektorit Privat, pasi që “të gjitha procedurat e punësimit kanë qenë në rregull”. 

“Shumë shpejt do ta miratojmë edhe vendimin për pozitën e drejtorit të drejtoratit të zhvillimin e sektorit privat, për të cilin do të ju njoftojmë me kohë”, tha Abazi. 

Edhe Zymberi, kryetar i Sindikatës së Shërbyesve Civil, ka thënë se në zyrën e tyre nuk ka shkuar ndonjë ankesë nga punëtorët e pakënaqur.

“Deri sot nuk ka pasur ndonjë ankesë të tillë me shkrim as nga ata që i bëjnë pozicionimet, as nga ata që janë të rrezikuar nga këto pozicionime”, ka thënë Zymberi. 

Në këto konkurse që ishin hapur për pozitat e drejtorëve kërkohej që aplikuesit të kenë diplomë universitare, 6 vjet përvojë pune, duke përfshirë 3 vite punë në vende udhëheqëse. Kritere tjera ishin edhe aftësia në organizim, komunikim dhe në përcaktimin e prioriteteve të punëve si dhe gatishmëri për të vepruar në mënyrë të pavarur dhe me pak mbikëqyrje, ndërsa gjuha angleze ka qenë e preferuar.


Agon Dula

Joshja me Fondin për Kuadro

Lluka pranon se ka lobuar në shumë forma, që në dy pozitat e drejtorëve t’i ketë njerëzit e kualifikuar. 

“Unë nuk e fshehi faktin se kam lobuar, s’kam lanë vend pa dërguar e-mail, ftesa, njerëzit që i kam njoftëi kam lutur ta shpërndajnë shpalljen. Nënjëfarë forme, mu dashke pozitave me ju bë pak reklamë”, tregon Lluka.  

Gëzim Gjikolli që është punësuar më 17 qershor në pozitën e drejtorit për promovimin e sektorit, thotë se për konkursin që kishte hapur MTI kishte kuptuar përmes bisedave me kolegë dhe shpalljeve të porta e kësaj ministrie. 

Gjikolli ka treguar se i ka plotësuar të gjitha kriteret që kërkoheshin për këtë pozitë. 

Ai më herët ka punuar në MTI ndërsa për  pesë vite e ka udhëhequr “Dukagjni Invest” në projektin e kullave të Dukagjinit. 

Gjikolli thotë se Valdrin Llukën e ka njohur pasi të dy kanë përfituar bursa studimi në Amerikë në periudha të ndryshme. 

“Afërsia ka qenë e zakonshme për dy alumni të njëjtës skemë tëbursës”, ka thënë Gjikolli për gazetën Jeta në Kosovë. 

Ndërsa Agon Dula tregon se punën në Agjencionin e ri e ka nisur me 14 korrik 2014. Thotë se për shpalljen e konkursit publik nga MTI e ka informuar motra e tij, pasi e kishte parë në njërën nga gazetat e përditshme kosovare.  

Edhe Dula, thotë se i ka plotësuar të gjitha kriteret që janë kërkuar në konkurs. Ai për 12-të viteka punuar në sektorin bankar. 

Ndërsa ngjashëm si Gjikolli edhe Dula është njohur me Llukën gjatë kohës së studimeve. 

“Me Valdrin Llukën kemi pas raporte të mira kolegiale”, ka thënë Dula. 

Por, kryeshefi Lluka thotëse afërsia e tyre mes kolegësh, nuk ka bërë që Gjikolli e Dula të emërohen në këto pozita. 

“I kam njoftë, por nuk i kam njoftë që me thanë se i kam marrë me të njofshëm”, ka treguar Lluka. 

Por Lluka duket se është kujdesur për dy kolegët e studimeve, tash udhëheqës i tyre, që pozitat e dy drejtorëve t’i rekomandojë edhe tek fondi për kuadro, pasi ai thotë se profilet si të Gjikollit e të Dulës nuk mund të paguhen rreth 500 euro në muaj. 

Lluka për fondin e kuadrove thotë t’u ketë folur njerëzve edhe kur janë hapur konkurset. 

“Ti në shpallje nuk guxon me cek se ka fond të kuadrove pozita, nuk guxon me përmend, se nuk është e garantume njëgjë e tillë”, tha Lluka, deri sa thotë se edhe Gjikollit e Dulës, u ka shpjeguar për procesin e fondit të kuadrove. 

“Nuk është që erdhe në punë dhe është i garantuar fondi për kuadro. Unë i rekomandoj si pozita për këtë fond tek ministrat, a i aprovojnë ose jo nuk e di”, thotë ai. 

Skema e Fondit për Kuadro është skemë e përkohshme përmes të cilës Qeveria e Republikës sëKosovës ka ndarë fonde për të mundësuar pagesa më të larta për një numër të pozitave të caktuara në Shërbimin Civil, të cilat janë me rëndësi prioritare dhe strategjike për Qeverinë.

Gjikolli i ka treguar gazetës se ai pagën do ta ketë rreth 600 euro, ndërsa nëse i aprovohet kërkesa për të përfituar nga Fondi për Kuadro, ai do të marrë edhe rreth 400 euro shtesë në muaj. Ai thotë se ka qenë i njoftuar për ekzistencën e fondit për kuadro,por jo konkretisht për pozitën e tij.

Pagë të ngjashme do të ketë edhe Dula, drejtor në zhvillimin e sektorit privat. 

Gazeta Jeta në Kosovë në mars tëvitit 2013 kishte raportuar se Valdrin Lluka, kryeshef i Agjencisë për Promovimin e Investimeve (APIK), rekomandoi për këshilltar të tij Serton Ajetin me të cilin ka një firmë të përbashkët. Punësimi i Ajetit u bë nëpërmjet fondeve të Bankës Botërore në një projekt me synim forcimin e ambientit për biznes.