Peja në Kërkim të Fillit për Lëmshin e “Çarshisë së Gjatë”

Përveç se perceptohet si një ndër qytetet më të bukura në Kosovë, Peja njihet  edhe për zanatet e vjetra që janë ushtruar në këtë pjesë të vendit.

Këto aktivitete të zejtarëve pejanë, shumica e të cilave janë realizuar në “Çarshinë e Gjatë”, tanimë po shuhen, pasi që zejtarët nuk po mund t’u bëjnë konkurrencë shitësve ilegalë.

Mjafton një ecje nëpër këtë pjesë të qytetit për ta vërejtur kaosin e krijuar.

Ibrahim Berisha është njëri ndër dyqanxhinjtë më të vjetër në Çarshinë e Gjatë.

Ai ushtron zanatin e farkëtarit që nga viti 1956 dhe ankohet se shitësit ilegalë u pengojnë shumë sidomos kur ata ushtrojnë të njëjtën veprimtari si tatimpaguesit.

“Na pe kuptojmë situatën qysh është. Ka disa njerëz që na pengojnë dhe nuk i lëmë, i lajmërojmë”, tha Berisha.

Nife Kuçi vjen nga Deçani çdo të shtunë në Çarshinë e Gjatë për të shitur çajra shërues.

Në pjesën ku ajo zë vend, frekuentimi në një ditë pazari është më i madhi.

Ajo është e vetëdijshme që u pengon dyqanxhinjve por thotë se Komuna u ka larguar nga pak çdokujt produktet  dhe në fund prapë i ka lënë ta ushtrojnë aktivitetin e tyre.

“Po, u pengojmë, por edhe kta e dijnë që skemi ka me ja majt. S’kemi cka me ba, ni familje e mbaj me këto që shes”, thotë Nife Kuçi.

Ajo thotë se asnjëherë nuk ka marrë nga komuna ndonjë informatë se deri ku mund t’i reklamojë produktet që shet.

“Ka hy komuna nga pak, por e dinë që jemi në skamje. Kryetarët nuk janë kah kujdesen për njerëzit që janë pa bukë. Na kanë lanë me punu se edhe na duhet me ba diçka”, tha Nife Kuçi.

Edhe Gani Rrustemaj nga fshati Lubeniq që tash e disa vjet shet ilegalisht çajra popullore  dhe perime të ndryshme në Çarshi thotë se ka ndodhë që Komuna të ua heq produktet por sipas tij shumica e bëjnë këtë punë ilegalisht.

Ai tha se asnjëherë pas përfundimit të luftës nuk është dënuar, ndërsa i kujtohen raste kur ka marrë ndonjë gjobë nga policia serbe para vitit 1999.

“Kajherë na kanë ba fjalë po prapë të gjithë jemi që shesim”, thotë Gani Rrustemaj.

Por qeleshepunuesi Afrim Lata thotë se shitësit ilegalë tashmë janë pothuajse para çdo dyqani.

“Ata nuk kanë as leje as kurgjo. Po thojnë tash është tregu i lirë dhe mundemi me mbajt çdo gjë”, thotë Lata.

Ata që e dinë historikun e Çarshisë së Gjatë thonë se ky vend dikur ka qenë “zonë e besës”.

Ismet Shala, kryetar i Shoqatës së Zejtarëve në Pejë, thotë për KALLXO.com se dikur në këtë çarshi, secili ka qenë i mbrojtur.

“Kur ka qenë në gjak njeri flitet se kur ka hy në Çarshi, s’ka guxu kush me e vra se aty ka qenë në besë të Çarshisë”, thotë Shala.

Por derisa mund të mburret me të kaluarën, tani Çarshisë i mbetet të vajtojë, por edhe t’i përshtatet realitetit.

“Sot janë diku 50% pronarët i kanë dhënë lokalet me qera. E ka dugojen një metër e gjysmë ai përpara ekspozon katër deri në pesë metra”, tha Shala

Ai thotë se punimet për rregullimin e Çarshisë së Gjatë do të fillojnë në vjeshtë.

Para pak ditësh ai ishte takuar edhe me kryetarin e Pejës, Gazmend Muhaxherin, për të biseduar rreth kësaj çështjeje.

“Të gjitha dokumentacionet e nevojshme Komuna i ka dorëzuar me insistimin e Kryetarit që është angazhuar vetë për me siguruar këto mjete edhe janë të bindur që 90 për qind i sigurojnë ato mjete kështu që në vjeshtë dojnë me fillu punimet”, tha Shala. 10:15-10:33 Ismet Shala

Për ta realizuar projektin, Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, po shpreson edhe në ndihmën financiare të Bashkimit Evropian.

“Jemi në pritje të fazës së dytë te vlerësimit në të cilin kemi apliku në fondin e BE-së për riparimin e Çarshisë së Gjatë,për ndriçimin dhe riparimin e dyshemesë. Besojmë që dikund me 25-26 të këtij muaji bëhet kualifikimi edhe pas këtij kualifikimi është faza e hartimit të detajizuar të planit për me implementu”, tha kryetari Muhaxheri për KALLXO.com.

Muhaxheri tha se kostoja e këtij investimi do të jetë rreth 500 mijë euro donacion dhe 10 përqind pjesëmarrje nga Komuna e Pejës.

“Kostoja është 500 mijë euro që vijnë donacion prej Bashkimit Europian dhe 10 përqind janë prej Komunës  së Pejës”, u shpreh ai.

Muhaxheri premtoi se komuna do të mundohet t’i subvencionoj disa nga  zejet që janë në zhdukje.

Por ka edhe të tilla zeje për të cilat thotë se nuk ka çfarë të bëjë, sikur që beson që edhe shitësit ilegalë do ta gjejnë një zgjidhje në të ardhmen.

“Besojmë se do të gjejmë një zgjidhje me i vendos dikund tjetër. Pas rregullimit të Çarshisë nuk do të gjinden më aty”, u shpreh Muhaxheri  01:49-01:54 Gazmend Muhaxheri.

Krejt këto ai planifikon që t’i përfundojë brenda një periudhe njëvjeçare.

“Pas një viti do të shohim një model se si duhet të jetë një Çarshi”, thotë ai. 01:56-02:10 Gazmend Muhaxheri.