Nën Tendë Duke Pritur Kompensimin nga Shteti

Kur njerëzit e tjerë paketojnë gjërat e tyre për të ikur nga i nxehti që po mbretëron këto ditë në ndonjë vend më të freskët për pushime, disa të tjerë kanë vendosur që këto ditë t’i kalojnë nën një tendë të vendosur shumë pranë Qeverisë së Kosovës.

Janë rreth 40-të ish-punëtorët e Fabrikës së Tubave në Ferizaj që kërkojnë t’u kompensohen pagat për kohën kur janë larguar me dhunë nga puna gjatë regjimit serb 1989-1999. 

Besim Reçica, 48 vjeçar, tregon se ai bashkë me shokët e tij kanë hyrë në javën e shtatë të grevës, për të kërkuar të drejtën e tyre legjitime. 

Reçica i cili është nga fshati Llugaxhi i Komunës së Lipjanit, tregon se ai është i papunë, ndërsa familja e tij përbehet nga tetë anëtarë. 

“Ka kohë të mendoj se çfarë do të bëj me paret që do t’i marr, por mendoj se do të investoj në shkollimin e fëmijëve”, tha grevisti Reçica për Gazetën Jeta në Kosovë të enjtën e javës së kaluar. 

Reçica thotë se sa janë të vendosur të qëndrojnë në tendën ku tashti është shumë nxehtë. 

Ata po hyjnë në ditën e 45-të të grevës së tyre. 

Ai tregon se para një jave i kishte vdekur nëna dhe menjëherë pasi kishin përfunduar të pamen u është bashkuar grevistëve të tjerë. 

“Çështja më nuk është vetëm te paret tona, kjo çështje ka kaluar në kauzë, rasti jonë duhet me tregu një herë e gjithmonë se duhet me u respektuar ligji”, i ka thënë Reçica, Gazetës Jeta në Kosovë. 

Por as AKP-ja dhe as Qeveria nuk kanë kompensuar punëtorët edhe përkundër vendimit të fundit të Kuvendit dhe vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2010 që i obligon  këto dy institucione të ndajnë rreth 26 milionë euro për 912 ish-punëtorët e Fabrikës së Tubave. 

Gazeta Jeta në Kosovë në 25 prill të këtij viti kishte raportuar se vendimi i Kuvendit të Kosovës, i marrë me 19 mars të vitit 2014 që obligonte Qeverinë dhe Agjencinë Kosovare të Privatizimit për të paguar 50 përqindëshin e shumës së përgjithshme të borxhit ndaj ish-punëtorëve të Fabrikës së Tubave në Ferizaj, nuk ishte kryer brenda afatit prej 30 ditësh, siç parashihte vendimi.

Qeveria e Kosovës nuk ka kthyer përgjigje rreth kësaj çështjeje. 

Por Ali Shabani, kryetari i Këshillit Grevist të ish-punëtorëve të Fabrikës së Tubave, thotë se do të qëndrojnë në tendë, derisa sa të konstituohet Kuvendi i Kosovës. 

“Ne do të kontaktojmë me ta që ata të na garantojnë se kjo çështje të realizohet menjëherë dhe posa të formohet bordi i AKP-së të bëhen pagesat”, thotë Shabani. 

“Nëse nuk kemi garancion nga Kuvendi ne do të qëndrojmë këtu deri sa të plotësohen kërkesat tona”.

Ndërsa AKP-ja përmes një komunikate për media ka thënë se “Agjencia është duke bërë përgatitjet teknike si dhe llogaritjet e nevojshme, ashtu që posa Kuvendi i Kosovës të emërojë anëtarët e rinj të Bordit të Drejtorëve, Agjencia do të paraqesë për aprovim të Bordit kërkesat për pagesa të punëtorëve të Fabrikës së Gypave”.

Kuvendi i Kosovës, i pyetur nga Gazeta rreth kësaj çështjeje, ende nuk ka kthyer përgjigje. 

Kryministri Thaçi harron grevistët

Gjatë kohës së fushatës zgjedhore, grevistët ishin vizituar nga shumë personalitete si dhe në disa raste nga kryeministri në largim Hashim Thaçi. 

Pasi kanë përfunduar zgjedhjet parlamentare, kryeministri Thaçi thonë se nuk është dukur më andejpari për t’i vizituar ish-punëtorët e Fabrikës së Tubave, të cilëve u pati premtuar edhe mbështetje. 

“Jam me ju, e kam nxjerrë vendimin e Qeverisë, nesër prej Kuvendit të Kosovës pritet që krejt partitë politike aty me votu, edhe me shti në rend ditës, mundësisht me u majtë seanca nesër pasdite, ose më së largu të martën, edhe me u përmbyllë një herë e përgjithmonë kjo punë”, u pati thënë Thaçi më 16 mars ish-punëtorëvë, deri sa i vizitoi në tendën e ngritur afër qeverisë. 

Kryetari i grevistëve Shabani, thotë se prej institucioneve që janë përgjegjëse për zbatimin e vendimit nuk ka qenë askush, për t’i vizituar. 

“Ka qenë për vizitë kryetari i Ferizajt Muharrem Svarqa, avokati i popullit Sami Kurteshi dhe Bexhet Shala, nga Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut”, tha Shabani. 

Shabani ndonëse tregon se 4 nga 40 grevistët e tjerë janë duke u trajtuar, pasi kanë pasur probleme shëndetësore, thotë se nuk do të ndalen me grevën derisa të derdhen paratë në xhirollogaritë e tyre. 

“Ju edhe vet po e shihni që këtu temperaturat janë shumë të larta, këta kanë dhembje koke, barku dhe ngritje të tensionit”.

Ndërsa AKP-ja përmes një komunikate për media u ka bërë thirrje grevistëve ta ndërpresin grevën para Qeverisë së Kosovës.  

“AKP-ja siguron punëtorët grevistë se do të respektojnë plotësisht udhëzimet e Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës lidhur me zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, Qeverisë e Kuvendit të Kosovës për kryerjen e pagesës së punëtorëve Fabrikës së Gypave në Ferizaj”, thuhet në këtë komunikatë të lëshuar të hënën.  

Vendimi i Dhomës së Posaçme për Fabrikën e Gypave, nuk lejon AKP-në, që të bëjë shpërndarjen e këtyre fondeve pa qenë tre anëtarë ndërkombëtarë në bordin e AKP-së.