Mikja e Shqipërisë me zemër të thyer

Në verën e vitit 1921 një zonjë angleze po shtegtonte nëpër Shqipëri. Por, ky shtegtim më shumë i ngjante një turneu mbretëror, sesa një vizite standarde turistike. 

“Në mbrëmje, një delegacion pritës erdhi të më nderonte me drita e këngë, ndërsa tërë rruga ishte mbushur me njerëz të varfër por mirënjohës që brohorisnin,” shkruante ajo. “Unë u shtanga. Dola në ballkon… [por] isha e kapluar nga emocionet dhe nuk arrita tu përgjigjem si duhet. Iu falënderova aq sa munda.” 

Kush ishte kjo mysafire kaq e pazakontë dhe pse ishte popullata vendore aq e devotshme ndaj saj? Në fakt, kjo mysafire ishte Edith Durham, vajza e një kirurgu londinez dhe një grua që në moshën e saj të mesme kishte filluar punën si zbuluese, etnologe, punëtore humanitare, reportere e luftës dhe përkrahëse e lirisë për shqiptarët. 

Arsyeja përse kaq shumë shqiptarë erdhën “për ta nderuar” atë ishte e thjeshtë. Ajo mbase më shumë se cilido i huaj tjetër ka ndihmuar në vendosjen e shtetit të ri shqiptar në hartë. 

Znj. Durham nuk e solli pavarësinë e Shqipërisë – atë e sollën shqiptarët. Ajo madje nuk ishte fare e pranishme kur flamuri kuqezi i Skënderbeut u ngrit në Vlorë në vitin 1912. 

Por, shpallja e pavarësisë ishte një gjë, ndërsa ruajtja e saj diçka krejt tjetër. Shtetet nuk mund të ruanin pavarësinë e tyre nëse fuqitë e mëdha nuk i përkrahnin ato, ndërsa kryqëzata që znj. Durham në Britani e kishte zhvilluar si përkrahëse e shqiptarëve i ndihmoi shumë vendit në sigurimin e  përkrahjes nga kjo superfuqi globale e kohës. 

Durhami arriti në Ballkan në vitin 1900, kur ishte në fund të viteve të tridhjeta. E fascinuar me atë që gjeti në këtë rajon, ajo qëndroi në të deri me fillimin e luftës në vitin 1914, kur u detyrua të kthehet në Britani, vend ky të cilin ajo mezi arrinte ta njihte  më. 

Tokat shqiptare, thellë në Perandorinë Otomane, ishin pothuajse të panjohura për botën anglofone. Para saj, këto vise i kishin vizituar vetëm poeti Bajron, piktori Eduard Lir dhe një numër fare i vogël britanikësh. Edhe më të pakët ishin ata që kishin vizituar rajonet malore të veriut të vendit përreth Shkodrës, male këto që znj. Durham i kishte bërë shtëpi të dytë. 

Znj. Durham kishte rrezikuar mjaft kur kishte vizituar këto vise të panjohura në këmbë, por shqiptarët e mirëpritën si princeshë dhe krijuan një lidhje dashurie të dyanshme me të që zgjati deri në vdekjen e saj në Londër në vitin 1944. 

Megjithëse ishte e intriguar nga ideja e zbulimit të “një toke që koha e kishte harruar,” prapambeturia e shqiptarëve e tmerronte atë. Gjatë një rrugëtimi të gjatë nëpër Serbi ajo kishte dëshmuar përparimin e mahnitshëm të këtij vendi. Atje kishte dëshmuar ndërtimin e hekurudhave të reja, vendosjen e dritave elektrike, ndërtimin e shkollave dhe godinave tjera dhe kjo bënte që ajo të frikësohej për atë se çfarë do t’i ndodhë Shqipërisë pas shpërbërjes së Perandorisë Osmane. Krahasuar me Serbinë, siç shkruante ajo, Shqipëria ishte një “gërmadhë pa rrugë”. 

Përkrahja e shqiptarëve nuk përshtatej me opinionin e britanikëve mbi Ballkanin, opinion ky i cili nga fundi i viteve të ‘70 të shekullit XIX ishte kryesisht i ndikuar nga një narrativ pro-krishterimit. Shkrimtarët britanikë pareshtur shkruanin për represionin ndaj të krishterëve në Ballkan, ndërsa shqiptarët i cilësonin si pionë otomanë e madje edhe si të pafe. 

Për t’iu kundërvënë atyre, znj. Durham bombardonte gazetat britanike me letra e shkrime, duke kërkuar trajtim të barabartë të të gjithë popujve të Ballkanit, jo vetëm të të krishterëve. Ajo gjithashtu përpiloi materialet për një hulumtim mbi zakonet dhe kulturën e Shqipërisë Veriore, i cili u publikua në vitin 1909 nën titullin Shqipëria e Lartë. 

Ajo gjithashtu lobonte tek mbreti i Malit të Zi, besimin e të cilit e gëzonte duke qenë se asaj iu dha nën menaxhim edhe pavijonin malazez në Ekspozitën e Shteteve të Ballkanit në Londër në vitin 1907. 

Njëkohësisht, ajo kishte punuar me disa politikanë dhe dijetarë të shquar britanikë, si deputeti Aubrey Herbert dhe gazetari radikal Henry Nevinson dhe bashkë me ta kishte lobuar te ministri i Jashtëm lordi Grey. 

Në vitet 1912 dhe 1913, fuqitë e krishtera të Ballkanit u pajtuan që pas shpërbërjes së Perandorisë Otomane gadishullin do ta ndanin mes veti. Frika më e madhe e znj. Durham u bë realitet kur u bë e qartë se Shqipëria do të fitonte “lirinë” brenda kufijve tejet të tkurrur. 

Fuqitë e mëdha ia mohuan Shkodrën Malit të Zi, por ky ishte një rast i rrallë i koncesionit para parimit të vetëvendosjes. Znj. Durham u prek shumë nga humbja e Gjakovës dhe Dibrës. Ajo thoshte se një gjë e tillë nuk është as etike e as e bazuar historikisht; në fakt kjo do të ishte katastrofale për të ardhmen ekonomike të vendit.

Znj. Durham kishte kaluar nëpër Kosovë disa herë dhe përderisa bashkëndjente me pakicën serbe atje, ajo mendonte se ky territor ishte pothuajse tërësisht shqiptar. Pretendimet serbe mbi Kosovën, shkruante ajo, i ngjajnë “një ëndrre të natës paraprake, ndërsa në dritën e diellit ne jemi të rrethuar me popullatë shqiptare.”

Në jug, ku po vepronin grekët, znj. Durham nuk arriti të bënte diçka më shumë. Ajo dhe z. Nevinson u kishin shkruar telegram fuqive të mëdha gjatë takimit për Shqipërinë që mbahej në Londër për t’i informuar ato se Korça kurrë nuk ka qenë dhe kurrë nuk do të bëhej greke. Si rezultat i kësaj, kufiri shqiptar u shty më në jug. Ata të dy e kishin “shpëtuar Koricën [sic]”, kishte thënë ajo më vonë në mënyrë lakonike. 

Por, veprat e znj. Durham nuk përfshijnë vetëm shkrim e lobim. Në vitin 1913, teksa refugjatët nga Gostivari, Dibra e qytetet tjera po kalonin kufirin e po hynin në Shqipërinë e cunguar, znj. Durham themeloi organizatën e saj për ndihmë humanitare, Fondin Shqiptar për Shpëtim, përmes së cilës shpëtoi mija jetë. 

Ka të ngjarë që disa prej tyre të kenë qenë pjesë e turmës në Tiranë e cila po brohoriste emrin e saj kur ajo erdhi në vizitë në vitin 1921. Megjithatë, kjo nuk i mjaftonte asaj. Disa vite më parë, teksa qëndronte e ulur pranë kishës së Shën Naumit në brigjet e Liqenit të Ohrit, ajo po ëndërronte riaranzhimin e kufijve në Ballkan. Ajo do t’u “qëndronte besnike shqiptarëve… e kur të vjen finalja e madhe, unë do t’i përkrah ata,” shkruante ajo atëbotë. 

Znj. Durham ndihej sikur i kishte dëshpëruar ata, sikur jeta e saj ka qenë e pavlerë. Gjatë një momenti dëshpërimi pas pritjes që iu bë në Tiranë, ajo kopjoi një rresht nga poema melankolike e Cristina Rossettit: “Rri e qetë, rri e qetë, o zemra ime e thyer”, shkruante ajo. “Zemra ime e heshtur, rri e qetë dhe e thyer”. Znj. Durham nuk e kishte vlerësuar ndikimin e saj drejt. Në fakt, ajo kishte bërë shumë për shqiptarët dhe këta të fundit duhet të mos e harrojnë këtë. 

Libri i ri i Marcus Tanner-it, “Mbretëresha e Maleve Shqiptare, Edith  Durham dhe Ballkan”i, është publikuar nga I B Tauris.