Shkencëtari i Vitit Nuk Avancohet në UP

Mentor Sopjani, shkencëtar i shpërblyer në Kosovë , e ka ndërmend të largohet nga vendi nëse vazhdohet t’i bëhet padrejtësi, ashtu siç pretendon ai. 

Sopjani edhe pse është shpallur Shkencëtari i Vitit 2013 nga MAShT-i, nuk po arrin të avancohet në grada, ndonëse që katër vjet ka konkurruar në çdo konkurs të Universitetit të Prishtinës për mësimdhënës të lëmisë së tij-biologjisë.

Ai më 2010 bashkë me kolegë ndërkombëtarë zbuluan funksionet e një proteine që i mbron veshët nga shurdhimi, si pasojë e traumave akustike.

Zbulimi u botua në revistën “The Faseb Journal” në ShBA, e cila figuron se është njëra ndër revistat më të cituara në fushën e biologjisë në botë http://www.fasebj.org/  

Por Sopjani që kishte bërë doktoratën në Universitetin e Tubingenit në Gjermani, ishte kthyer në Kosovë më 2010, me qëllimin e ushtrimit të profesionit. Por u dëshpërua. 

“Asnjëherë nuk kam besuar se do të ballafaqohem me padrejtësi të këtij niveli”, thotë ai.

Sopjani është ankuar më 19 mars të këtij viti në rektoratin e UP-së.

Por rektorati i UP-së i tha Gazetës Jeta në Kosovë se nuk mund të zhvleftësojnë vendimet e mëhershme për të cilat ka kaluar afati i ankimimit. 

Ankesa e tij në të njëjtën datë  është dorëzuar edhe në MAShT por as ata nuk i kanë dhënë përgjigje.  

MAShT-i ende nuk ka dhënë përgjigje në pyetjet e Gazetës.

Hapësirë vetëm për asistentë

Ndonëse me një karrierë të bujshme shkencore si dhe, sipas tij,  me  rreth 50 punime shkencore të botuara në revista të rëndësishme shkencore ndërkombëtare krejt çka i ofroi vendi i tij është pozita e një asistenti në Fakultetin e Mjekësisë. 

Këtë pozitë e mban qysh nga vitet 2004-2005 për lëndët biologji gjenetike dhe biologji molekulare kur kishte të përfunduara vetëm studimet master.

Ai për t’i vazhduar studimet e  postdiplomës, doktoratës dhe postdoktoratës u lirua pa pagesë për rreth 3 vjet e gjysmë  nga UP-ja, për t’u rikthyer prapë si asistent.

Por që nga 2010-ta ka konkurruar në mbi tetë pozita mësimdhënësish të fushës së biologjisë në kuadër të fakulteteve të ndryshme në UP, por në të gjitha është refuzuar. 

Mjekësia, Shkencat Matematiko-Natyrore, Xehetaria e Metalurgjia dhe Bujqësia e Veterinaria kanë qenë fakultetet ku aplikoi Sopjani. 

Dekani i Xehetarisë dhe Mertalurgjisë në Mitrovicë, Izet Zeqiri, ka pranuar që Sopjani të ketë konkurruar  në vitin 2012. 

Por, sipas tij,  ky konkurs nuk kishte pasur fitues pasi ishte anuluar për shkak se Komisioni ishte vonuar në kryerjen e punës dhe ishte marrë vendim të ripërseritej.

Dekanë të fakulteteve tjera ende nuk kanë dhënë përgjigje lidhur me pretendimet e tij.

Ia fshehin arritjet shkencore 

Konkursi i fundit në të cilin Mentor Sopjani aplikoi, ishte për mësimdhënës në fakultetin e mjekësisë. 

Komisioni recensues për mësimdhënës në lëndën Biokimi kishte propozuar  Valdete Topçiun.

Në raportin e komision recensues të datës 6 shtator 2012 në të cilin ishte propozuar Topçiu për profesor asistent, nuk përputheshin të dhënat për sa i përket punimeve shkencore. 

Nga 48 punime shkencore sa i paraqiten në fillim në faqen e parë të raportit ku bëhet renditja e konkurrentëve, ato në faqen tetë ku prezantohen punimet e kandidatëve veç e veç zbresin në 29.

Po ashtu në faqen tetë Topçiut i përshkruhen gjithsej 29 punime duke përfshirë abstraktet dhe konferencat. Ndërsa si punime shkencore i përshkruhen edhe prezantimet në kongrese.

Valdete Topçiu në një përgjigje të shkruar për gazetën e ka arsyetuar faktin se pse ka ndryshime të të dhënave në raport.

“Pra këtu (në faqen e parë) kërkohen publikimet  e kandidatit si përmbledhje e aktivitetit shkencor  ku  numërohen  jo vetëm punimet, por  edhe konferencat dhe kongreset  si vendore ashtu edhe  ndërkombëtare”, ka thënë Topçiu, e cila si punime i ka futur edhe takimet me studentë dhe takimet me kolegët mjekë. 

Ajo ka deklaruar kështu ndonëse në raportin e komisionit specifikohet të përshkruhen “punimet (me dhe pa recension)”, pa u përfshirë edhe konferencat, takimet apo ligjëratat.

“Në faqen 8  të raportit tim recensues figurojnë  më pak punime se në faqen e parë, sepse në faqen 8 kërkohen vetëm punimet me impakt faktor  dhe punimet në 4 vjetët e fundit”, ka thënë Topcciu.

Luljeta Begolli, kryetare e komisionit po ashtu ka dhënë një sqarim për këtë.

“Në faqen e parë janë numëruar të gjitha punimet, ndërsa në faqen 8 vetëm punimet e botuara në revistat ndërkombëtare me impakt faktor dhe publikimet në 4 vjetët e fundit”, ka thënë  Begolli, ndonëse në faqen e parë Topçiut ia ka përshkruar si punime me dhe pa recension ndërkombëtar edhe takimet me studentë.

Mirëpo, në tabelën e faqes 8 kërkohet përshkrimi i “numrit të përgjithshëm të punimeve shkencore”, ndërsa punimet me impakt faktor kërkohen në faqen 9 të raportit. 

Begolli ende nuk e ka komentuar këtë.

Por kjo nuk është mangësia e vetme e këtij raporti. 

Raporti përshkruan vetëm të dhënat e kandidates së propozuar, por jo edhe të Sopjanit dhe Aziz Behramit. 

Sipas praktikës së mëparshme të Fakultetit të Mjekësisë raporti i komisionit recensues për zgjedhjen e stafit akademik duhet të përmbajë përshkrimin e të dhënave të të gjithë kandidatëve. 

Të vetmet të dhëna për dy kandidatët tjerë konkurrues jepen në faqen e parë të raportit në të cilat përshkruhet nota mesatare, grada,  përvoja arsimore dhe numri i punimeve, por jo edhe aktivitetet e tjera siç i janë përshkruar Topçiut.

Sopjani thotë që ia kishte dërguar komisionit një dosje prej 500 faqesh lidhur me aktivitetin e tij profesional, akademik e shkencor. Thotë po ashtu të ketë mbi 50 punime shkencore e jo 41 siç i përshkruhen në raport. 

Anëtarët e komisionit nuk kanë dhënë përgjigje se pse nuk i kanë vendosur në buletin edhe të dhënat e dy kandidatëve të tjerë. 

Por anëtarët e komisionit të cilët e kanë refuzuar Sopjanin deklarohen se në këtë konkurs nuk ka pasur parregullsi.

“Kandidati Sopjani nuk ka mundur të avancohet, sepse nuk ka qenë asnjëherë pjesë e Katedrës së Biokimisë”, ka shkruar kryetarja e komisioni Begolli dhe anëtari i komisionit Hidajet Paçarizi në një përgjigje të përbashkët të shkruar për Gazetën Jeta në Kosovë. Pjesë e komisionit ishte edhe Suzana Manxhuka.

Por Sopjani ndonëse ka kryer doktoratën në Fakultetin e Biologjisë në Universitetin e Tubingenit “Eberhard Karlsa” në Gjermani, ai studimet postdiplomike i kishte ndjekur për drejtimin e biokimisë.

Ndërsa kandidatja Topçiu, e cila edhe është avancuar nga ky konkurs në profesor-asistent, është specialiste e biokimisë klinike. 

Gjithashtu për ngritjen e Sopjanit në pozitën e profesorit pak shpresa jep edhe Halil Ahmeti, prodekan në Fakultetin e Mjekësisë. 

“Ai (Mentor Sopjani) është biolog, jo mjek, prandaj është e pamundur të ngritet në cilësinë e profesorit për lëndët mjekësore”, tha Ahmeti. 

Por zbulimi që e ka bërë Sopjani i ka takuar fushës së mjekësisë, ndërsa edhe MAShT-i i kishte ndarë çmimin për mjekësi, e jo për ndonjë fushë tjetër. 

Por Ahmeti shton se Sopjani të vetmen mundësi që të avancohet në thirrjen e profesorit në Fakultetin e Mjekësisë e ka kur të shpallet konkurs për profesor në lëndën mësimore Biologji me Gjenetikë. 

Por ai ende nuk ka dhënë përgjigje lidhur me ndryshimin e të dhënave të kandidatëve në buletin që Sopjani pretendon se janë bërë qëllimshëm.