Fakulteti i Arteve Përjashton Ideatorët

Alban Nimani, profesor në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës ka bërë dy prurje të rëndësishme në këtë fakultet.

Ka ideuar dy lëndë të reja si dhe ka përpiluar planprogramin e ri të masterit në Fakultetin e Arteve. 

Ai thotë se kishte arritur t’i realizonte këto, falë përvojës që kishte marrë nga një trajnim i kryer në universitetin prestigjioz të Arizonës në SHBA. 

Për ta bërë këtë, i kishte ndihmuar edhe Lyra Zajmi, profesoreshë në Fakultetin e Arteve. 

Nimani, thotë që nuk kishte pritje se do të vlerësohej për kontributin e dhënë, por nuk kishte besuar se nuk do të ligjëronte lëndët për të cilat u trajnua në Arizonë, ndonëse në planprogramin e akredituar për vitin akademik 2013-2014 figuronte emri i tij si mësimdhënës i tyre.

Fakulteti i Arteve ka shpërfillur planprogramin e akredituar për vitin 2013-2014 nga Agjencia Kosovare e Akreditimit në të cilin figurojnë si profesorë Nimani e Zajmi për lëndët përkatëse. 

Nimani figuron si mësimdhënës për lëndët Intermedia performancë e Web artit dhe Aplikimi audiovizuel të cilat u futën për herë të parë në këtë vit akademik.

Por këto lëndë tashmë  mbahen nga profesori Faik Krasniqi. 

Për padrejtësinë që profesori Nimani pretendon t’i jetë bërë, është ankuar disa herë në Dekanat e po ashtu edhe në Rektorat, si dhe në Agjencinë e Akreditimit. 

Sipas tij me këto vendime dekani i fakultetit ka bërë shkelje ligjore.

“Dekanati ne kundërshtim me ligjin, ia ka ndarë dy lëndët e mia prof. Faik Krasniqit, i cili ka thirrje për te ligjëruar Grafikën reklamuese”, ka thënë Nimani, duke shtuar më tej që një veprim i tillë bie në kundërshtim me planprogramin e akredituar.

Por profesori Faik Krasniqi ndonëse  ka thirrje për lëndën Grafikë reklamuese, thotë të ketë njohuri për lëndët që është duke ligjëruar aktualisht.

Thotë të ketë edhe akreditim për të ligjëruar këto lëndë. 

“Normal që jam i akredituar për t’i ligjëruar këto lëndë, jam profesor ordinar dhe kam të drejtë t’i jap këto lëndë. Jam i aftë për t’ i dhënë këto lëndë”, ka thënë Krasniqi. 

Por ai nuk figuron të jetë i akredituan në planprogramin e miratuar nga Agjencia Kosovare e Akreditimit.

Që ai t’i ligjërojë këto lëndë, profesori Krasniqi thotë  të ketë vendosur dekani Rusinovci. 

Por profesori Nimani nuk është i vetmi që i janë marrë lëndët. E njëjta gjë i ka ndodhur edhe  profesoreshës Lyra Zajmi. 

Profesoresha Zajmi sikurse Nimani, pretendon se i janë bërë padrejtësi kur e kanë përjashtuar nga mbajtja e lëndëve. 

Dizajn korporativ, lënda e cila ishte përcaktuar me orarin e  rregullt të mbahej nga ajo, tashmë ligjërohet nga profesori Muhamet Ahmeti.

“Ndryshimi është bërë pa dijenine time dhe të prof. Alban Nimanit. Thjesht jemi vënë para aktit të kryer. .. Mendoj që ky akt shpreh mosrespekt jo vetëm ndaj meje dhe prof. Nimanit, por edhe ndaj Agjencise per Akreditim”, ka thënë Zajmi. 

Por, profesori Muhamet Ahmeti, i cili mban gradën e profesorit të asocuar për lëndën Përgaditja e librit, deklarohet se janë studentët të cilët në një mënyrë e kanë përjashtuar Zajmin.

Ndërsa e pranon që në planprogramin e vitit akademik 2013-2014, profesoresha Zajmi ishte e akredituar për lëndën që tashmë ky e jep. 

“Studentët kanë bojkotuar profesoreshën (Lyra Zajmi), nuk kanë dashur t’i mbajnë orët me të, prandaj unë edhe po i mbaj, kështu që nuk i kam marrë lëndë askujt”, ka deklaruar Ahmeti.

Adem Rusinovci, dekan i Fakultetit të Arteve ka pranuar që profesorët Ahmeti dhe Kransiqi nuk kanë thirrje për t’i ligjëruar lëndët e reja.  

Por thotë që për këtë kanë vendosur studentët të cilët kanë të drejtën e zgjedhjes.

“Studenti ka të drejtë ta zgjedh profesorin. Nëse dikush ma ngjet që Alban Nimanit iu ka marrë e drejta e landës së vet,  prej punës dal”, ka deklaruar Rusinovci. 

Sipas tij, studentët me vetiniciativë kanë përzgjedhur profesorët e tjerë,  ndërsa ka përmendur edhe një peticion të nënshkruar nga 15 studentë të masterit të cilët ishin deklaruar për refuzim të professorëve Nimani dhe Zajmi. 

Ndërkohë Nimani thotë që këta studentë janë shantazhuar nga studenti Genc Rezniqi i cili sipas tij me qëllimet për t’u bërë asistent, ka dalë në mbrojtje të dekanit dhe profesorëve. Sipas Nimanit, Rezniqi u ka bërë thirrje studentëve vazhdimisht për bojkot. 

Rezniqi, i kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë, deklaroi se ka pretendime për t’u bërë kryeministër, por jo edhe asistent në Fakultetin e Arteve.

Thotë gjithashtu të mos u ketë bërë thirrje studentëve për bojkot ndaj profesorëve Nimani e Zajmi. 

Por në një profil në rrjetin social Facebook në emër të Genc Rezniqit shihet se si ky person u bën thirrje studentëve për të bojkotuar dy profesorët Nimani dhe Zajmi, me arsyetimin se nuk janë të zotët të mbajnë lëndët e tyre. 

Rezniqi nuk ka dashur të komentojë lidhur me përmbajtën e publikimeve në Facebook.

Agjencia e Akreditimit kërkon sqarim nga rektorati 

Planprogrami i akredituar për master në Dizajnin grafik, siguruar nga Gazeta Jeta në Kosovë, tregon se professorët Alban Nimani dhe Lyra Zajmi janë përcaktuar për t’i ligjëruar këto lëndë. 

Mundësia e ndërrimit të profesorëve nuk është e paraparë me këtë planprogram.

Basri Muja, drejtor në Agjencinë e Akreditimit të Kosovës, thotë se janë njoftuar lidhur me problemin në Fakultetin e Arteve.

“Muajin e kaluar AAK ka pranuar një shkresë nga disa professorë të Fakultetit të Arteve të UP-së, në të cilën ata shprehin brengën e tyre lidhur me dukurinë e zëvëndësimit të profesorëve të vlerësuar gjatë procesit të akreditimit me professorë jokompetentë…”, ka thënë Muja në një përgjigje të shkruar.

Sipas tij, pas ankesave që ka marrë kjo agjenci nga profesorët Nimani dhe Zajmi, ka kërkuar sqarime nga Rektorati për shkeljet eventuale të bëra në Fakultetin e Arteve. 

Muja thotë se pas marrjes së përgjigjes nga Rektorati do të veprohet konform ligjit. 

Sipas tij, Ligji për Arsimin e Lartë dhe Udhëzimi Administrativ për Akreditimin e Instuticioneve të Arsimit të Lartë, mundëson tërheqjen e akreditimit për një institucion apo program studimi në rast se nuk përfillen kushtet në bazë të të cilave është dhënë akreditimi. 

Por Qerim Qerimi, prorektor për mësim në UP, thotë se tashmë është vonë për të ndërmarrë masa, pasi që viti akademik është afër përfundimit.

Ai thotë se pas pranimit të ankesës nga profesorët është takuar me dekanin e Fakultetit të Arteve. 

“Pavarësisht vullnetit të menaxhmentit për të trajtuar këtë rast, duke marrë parasysh edhe faktin që tashmë ka kaluar mëse gjysma e semestrit akademik, del të jetë vonë për të bërë çfarëdo modifikimi ne procesin e mësimdhënies”, ka thënë Qerimi.