Avokatja Shkel Ligjin Para të Cilit u Betua

Teuta Zhinipotoku mund të detyrohet të zgjedhë njërën prej dy angazhimeve që ka: avokate, ose  këshilltare ligjore në Agjencinë Kosovare të Pronës. 

Zyra e Prokurorit Disiplinor që funksionon brenda Odës së Avokatës të Kosovës ka filluar hetimet ndaj rastit të Zhinopotokut. 

Hetimet kanë nisur pas denoncimit të rastit më 27 janar 2014 në Odën e Avokatëve të Kosovës nëpërmjet një emaili anonim të cilin e ka siguruar Gazeta Jeta në Kosovë.

“Tani jemi në fazën e hetimeve, në grumbullimin e informacioneve në sqarimin e rasteve të cilat janë edhe kërkesa ligjore nga Ligji për Avokatinë”, tha prokurori Florim Shefqeti 

“Me këtë rast, edhe për rastin e cekur nga ana juaj lidhur me avokaten Teuta Zhinipotoku”.

Prokurori disiplinor Shefqeti ka thënë se ata kanë kontaktuar Agjencinë Kosovare të Pronës për rastin e Teuta Zhinipotokut. 

“Ne kemi kontaktuar Agjencinë Kosovare të Pronës për rastin e Teuta Zhinipotokut dhe kemi marrë informacione të nevojshme”, tha ai. 

Por Zyra për Informim e AKP-së ka thënë se nuk kanë pranuar ndonjë kërkesë për informacion nga Zyra e Prokurorit Disiplinor. 

AKP-ja ka konfirmuar se avokatja Zhinipotoku është e punësuar aty.

Ndërkaq avokatja Zhinopotoku nuk ka dashur të komentojë lidhur me këtë çështje. 

“Nuk kam as një koment rreth kësaj teme”, ka thënë ajo shkurt përmes telefonit.

Ajo gjendet edhe në listën e avokatëve të licencuar që është e publikuar në faqen zyrtare të Odës së Avokatëve të Kosovës. Zhinipotoku është licencuar si avokate më 8 dhjetor 2013.

Ligji për Avokati në bazë të të cilit duhet të punojnë avokatët në Kosovë, tregon rastet kur një avokat e humb të drejtën e ushtrimit të detyrës së avokatit. 

Neni 39 i këtij Ligji, në pikën 1.8 thotë se “Avokati e humb të drejtën për ushtrimin e avokatisë, nëse themelon marrëdhënie pune, përveç në zyrë të avokatisë, zyrën e përbashkët ose shoqëri të avokatëve”.

Ndërsa, Zhinipotoku, ani pse si avokate nuk ka të drejtë të themelojë marrëdhënie pune, siç parashihet në ligj, ajo është e punësuar që nga dhjetori i vitit 2009 edhe në Agjenicinë Kosovare të Pronës. 

“Teuta Zhinopotoku ka filluar me punë në Agjencinë Kosovare të Pronës (AKP) në dhjetor të vitit 2009”, i ka thënë Gazetës, Zyra për Informim e AKP-së. “ Emërimi i saj si shërbyese civile është me afat të pacaktuar”, vijoi sqarimi i zyrës.