Frekuencat e Zërave të Kosovës (TV)

Z62FB dhe Z63MED janë shokë të ngushtë. Njëri është kosovar e tjetri anglez. Të dy kanë punuar në misione të ndryshme ndërkombëtare, por kodet nuk kanë të bëjnë asgjë me profesionin e tyre. Kodet janë mënyra që atyre u nevojitet për t’u qasur në një platformë që u jep atyre qasje në të gjitha vendet e botës. Zëri është mundësia e vetme për të komunikuar me njerëz nga e gjithë bota të cilët kanë kodet e ndryshme.

Komunikimi i tillë në një botë që çdo ditë përditësohet në teknologji, në pamje të parë nuk duket edhe aq interesant. Në një kohë kur dërgimi i videove, fotografive dhe shkrimit nga një cep i botës në tjetrin mund të bëhet në kohë reale, komunikimi nëpërmjet valëve ka mbetur modë e vjetruar.

Megjithatë numri i njerëzve të pasionuar nga komunikimi nëpërmjet valëve të radios është i madh. Harta e vendeve në të cilat ky lloj hobi zhvillohet është bajagi e madhe.

Vetëm në Kosovë janë mbi 50 të tillë. Dy prej tyre janë edhe Z62FB dhe Z63MED.

Z62FB  është Fehmi Bunjiku ndërsa Z63MED David Meadows.

Frekuencat e fatit

E shtuna e dytë e marsit ka qenë me fat për Bunjikun. Ka realizuar mbi 10 lidhje brenda një ore me vende të ndryshme të botës. Me pak fat në kapjen e frekuencave të lira, ai pret që deri në fund të ditës t’i realizojë dyfishin e lidhjeve.

Por kjo nuk është performanca më e mirë e tij në hobin që pakkush e ka në Kosovë. Deri më tani ka realizuar lidhje me mbi 100 shtete. E ky hobi është mjaft i shtrenjtë dhe kërkon përkushtim.

 Bunjiku është radioamator.

Të qenët radioamator nuk është çfarëdo hobi. Ka një shekull që kur në botë ekzistojnë radioamatorët.

“Ndoshta ky është rrjeti më i vjetër social”, thotë Bunjiku, i cili ka këtë hobi qysh prej vitit 1982.

Ai së bashku me disa të tjerë kanë qenë radioamatorët e parë në Kosovë. Aktiviteti i radioamatorëve ishte ndërprerë gjatë viteve ’90, pasi pushteti i atëhershëm serb kishte ndaluar funksionimin e tyre.

Për Bunjikun, radioamatorizmi është një hobi që mundëson komunikimin me njerëzit që nuk i njeh.

“Por nuk është njësoj sikur Skype, Facebook apo rrjete të tjera sociale. Është krejtësisht tjetër gjë”, thotë Bunjiku, teksa nga radi stacioni i tij tenton të gjejë valë të reja në rrjetin ajror.

Mbi kulmin e shtëpisë së Bunjikut është e vendosur një antenë nja 10 metra e lartë. Antenën e ka blerë në Gjermani nga një tjetër radioamator që ia ka shitur me çmim të lirë. Raportet e mira mes radioamatorëve janë një nga përfitimet e të zhvilluarit  të këtij pasioni.

Nën kulmin e shtëpisë së tij trekatëshe është një dhomë në të cilën duhet të hysh nëpërmjet dritares, duke përdorur shkallë të improvizuara. Kur të hysh brenda duhet ta ulësh kokën. Në një dhomë as një metër katrorë gjendet radiostacioni i tij.

Ndezja e aparateve të radiove është procesi i parë. Funksionimi i një radioamatori nuk është fare i thjeshtë. Fillimisht duhet ta kesh xhepin e mbushur ngase të kesh një radiostacion është goxha shtrenjtë për një hobi. Kompletimi i një radiostacioni për një radioamator kap koston prej 1 mijë eurove.

“Por ia vlen”, thotë Bunjiku, teksa shoku i tij David Meadows pohon me kokë.

Edhe anglezi që punon në misionin e UN-it në Kosovë ka radiostacionin e vet. Jashtë jetës si radioamator Bunjiiku dhe Meadows thërrasin njëri tjetrin me emra. Por si radioamatorë ata kanë kodet e veta. Kodet janë edhe gjëja kryesore te radioamatorët të cilët kanë një gjuhë specifike në të folur.

Por, çka flasin radioamatorët ndërmjet vete?

Në fakt ata nuk bisedojnë për gjëra të zakonshme, as nuk hapin debate sikurse në rrjetet sociale. Shumica e muhabeteve të tyre ka të bëjë me motin, llojin e antenës që e përdorin, teknologjinë që e kanë dhe tema të ngjashme.

Radioamatorizmi funksionon që prej vitit 1900 dhe kontrollohet nga Organizata Ndërkombëtare për Radioamatorizëm që edhe ka krijuar rregullat e komunikimit që ndalojnë bisedat politike, ekonomike apo biznesore.

Radioamatorët mund të jenë të kufizuar për të folur për gjëra të caktuara dhe për të zgjatur muhabete për çështje të ndryshme, por ata nuk kanë kufij me kë të komunikojnë.

“Radioamatorët komikojnë edhe me anije kozmike. Pra mund të komunikojmë edhe me një objekt hapësinor që lëviz në 27 mijë kilometra në orë”, thotë Bunjiku. Por ai vetë s’ia ka arritur kurrë ta bëjë këtë. Thotë se është goxha zor të kapen valët e një anijeje kozmike.

E David Meadows ka komunikuar edhe me mbretër. Njëherë është lidhur me mbretin e Jordanisë.
“Radioamatorizmi është pasioni që e zhvillon qysh i ri, shpenzon orë duke kërkuar zëra nëpër botë dhe papritmas e dëgjon një zë nga Alaska apo Antarktiku. Të jesh pranë kësaj radioje është paksa misterioze, sepse kërkon për frekuencë ku nuk ka zë të qartë dhe papritmas zëri im është duke u dëgjuar në gjithë botën”, thotë Meadows, i cili me profesion është ekspert i komunikimit. Është përdorues i rrjeteve të famshme sociale, por radioamatorizmin nuk e lë kurrë anash.

“Radioamatorizmi do të jetë përgjithmonë, nuk do të shuhet, sepse gjithmonë do të jetë dikush si unë ose si dikush tjetër që do ta përdorë”, thotë Meadows.

E Kosova ka mbi 50 radioamatorë të licencuar.

Radioamatorët në kërkim të klubit

Java që shkoi, la pas edhe ceremoninë e licencimit të 50 radioamatorëve në vend. Ata janë licencuar nga Autoriteti Rreglluativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare të Kosovës. Kanë edhe shoqatën e tyre që është themeluar në vitin 2012.

Për ta marrë këtë licencë, nevojiten njohuritë bazike në radiokomunikim dhe dhënia e provimit mbi njohuritë teknike dhe të sigurisë, pasi që shpeshherë radioamatorët kanë qenë ata që kanë ndihmuar në rastet emergjente. Por radioamatorët e rinj të Kosovës, shumica studentë të fakulteteve të telekomunikimit, shpresojnë që rastet emergjente të mos jetë pjesë e agjendës së tyre.

Ata kanë tjetër brengë. U mungon një radioklub me anë të të cilit do të mund të lidheshin me botën.

“ Kemi idenë që të bëjmë një radioklub që studentët të aftësohen më shumë. Edhe pse kemi bo praktikë na nevojitet që të zhvillojmë shumë thirrje. Deri tani grupi jonë ka bërë 1 mijë thirrje nga 600 shtete”, tha Elona Shatri, studente e vitit të parë në Fakultetit Teknik, e licencuar për radioamatorizëm.

Kolegu i saj, Blendon Krasniqi, ka bindjen që komunikimi nëpërmjet radios është shumë i sigurt dhe më interesant.

“Kontrollon pasjijsen, e di si shkon dhe vjen informata. Por unë do ta shfrytëzoj për të treguar për Prizrenin, qytetin tim”, thotë Krasniqi.

Edona Sela, studente nga Dibra e Maqedonisë thotë se është pasionuar me radioamatorizëm, për shkak se për dallim nga mënyrat e tjera të komunikimit, këtu nuk zgjedh bashkëbiseduesit.

“Këtu mund të kërkosh se kush është i lirë dhe vetë paraqitet”, thotë Sela.

E drejtuesja e Shoqatës së Radioamatorëve të Kosovës, Vjollca Belegu-Caka, thotë se ndihet krenare me suksesin e radioamatorëve të Kosovës. Ajo ka qenë njëra ndër pak radioamatore në Kosovë

“Jam e gëzuar që e kam humbur këtë status, sepse ndoshta po e shihni se mbi 70 për qind e radioamatorëve të licencuar janë femra”, tha Belegu-Caka.

Kësisoj frekuencat ajrore të Kosovës do të jenë të zëna me zëra femrash.