Përleshjen e Policëve e Ndalën Qytetarët

Dolën në vendin e ngjarjes së një aksidenti automobilistik, në rrugën që lidh Komoranin me Shtimen, për të parandaluar konfliktin e mundshëm mes të aksidentuarve dhe për të kryer matjet e nevojshme që përcaktojnë fajtorin, por u përfshinë vetë në një grindje që mund të përfundonte me pasoja. 

Tre pjesëtarë të Policisë së Kosovës, u përleshën me fjalë, shtyrje e fyerje, të hënën që shkoi, duke harruar se për çfarë kishin dalë në terren. 

Të pranishmit e rastit, gjatë kësaj ndodhie, treguan për Gazetën Jeta në Kosovë se në kulmin e grindjes së punonjësve të policisë, dy prej tyre nxorën nga brezi armët zyrtare, por qytetarët e mbledhur rreth tyre, i ndanë dhe nuk lejuan që grindja të dilte jashtë kontrollit. 

Sipas dëshmitarëve, duke iu përgjigjur thirrjes për një aksident trafiku, pas disa minutash në vend të ngjarjes erdhi një patrullë e njësive patrulluese të policisë. Patrullat e tilla janë të parat që reagojnë për të qetësuar të përfshirët në aksidente dhe për të siguruar vendin e aksidentit.

“Kush je ti me na urdhëru neve. Isa Dreshaj

Patrulla erdhi nga njësitë e policisë së Shtimes, ndërsa menjëherë një pjesëtar i saj, rreshteri Naim Rexha thirri njësinë e trafikut për t’i bërë matjet e aksidentit. Ai ishte aty me një koleg të tijin.

Dëshmitari Isa Dreshaj tregon se patrulla e policisë së trafikut është vonuar më shumë se një orë e gjysmë, ndërsa kur ka ardhur ia ka zënë rrugën makinës me të cilën policët nga Shtimja kishin udhëtuar drejt vendit të aksidentit. 

Dreshaj tregon se Rexha u ka kërkuar policëve të trafikut që ta lirojnë rrugën, por ata e kanë fyer, duke i thënë: “Kush je ti me na urdhëru neve”. 

Sipas dëshmitarit, në fjalosje e sipër njëri nga policët e trafikut e ka goditur rreshterin Rexha me një bllok shënimesh. Të dy policët e trafikut pastaj kanë nxjerrë revolet zyrtare nga brezi. 

Ngjarjen e rëndë thuajse me të njëjtat fjalë e përshkruan edhe Shaqir Jetullahu që si Dreshaj qëlloi aty ku policët deshën gati të vriten mes veti. 

“Kur kanë ardhë mas dy ore ata [policët e trafikut], e kanë parku veturën në mes të rrugës. Polici i Shtimes u ka kërku me ua liru rrugën dhe aty i kanë shti fjalët”, thotë Jetullahu. 

“Kur kanë ardhë mas dy ore ata [policët e trafikut], e kanë parku veturën në mes të rrugës. Shaqir Jetullahu

Ai tregon se pas fjalosjes, ka pasur edhe shtyrje mes të përfshirëve në grindje, ndërsa pas shtyrjes, polici i trafikut ka nxjerrë revolen nga brezi. 

Hysen Kurtbobaj, që po ashtu pa nga afër grindjen mes tre pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, tha se konflikti u acarua kur rreshteri Rexha u kërkoi llogari policëve të trafikut për vonesën, ndërsa ua bëri me dije se do t’i lajmëronte eprorët për këtë. 

“Si ka ardhë njësia e trafikut rreshteri u ka thanë: “ku jeni o burrat e dheut”, e ata [policët] ia kanë kthy kush je ti me na komandu dhe kanë dalë prej xhipit duke i thanë [rreshterit] se vimë kur dojmë vetë”, shpjegon Kurtbobaj. 

Pas këtyre fjalëve, Kurtbobajt thotë se rreshteri e ka shtyrë policin e trafikut, ndërsa polici ka nxjerrë revolen. 

Sipas Kurtbobajt, qytetarët më pas u kanë hyrë ndërmjet policëve të nxehur, duke mos lejuar që të përdoreshin armët. 

Përveç rreshterit Naim Rexha, në këtë incident u përfshinë edhe policët e trafikut Sejdi Rashiti dhe Vesel Bytyqi. 

Rastin e konfliktit mes tyre, policia e mbajti fshehur, ndërsa tre të përfshirët në grindje nuk deshën të flasin për Gazetën Jeta në Kosovë, me arsyetimin se një gjë të tillë nuk ua lejon rregullorja e brendshme e policisë. 

Gazeta ka kuptuar për përleshjen të njëjtën ditë, më 16 shtator.

Zëdhënësi i policisë për rajonin e Ferizajt Agim Gashi tregoi se rreshteri dhe dy policët e trafikut janë suspenduar.

“Si ka ardhë njësia e trafikut rreshteri u ka thanë: “ku jeni o burrat e dheut”. Hysen Kurtboja

Ai në përgjigjet e tij me shkrim nuk tregoi nëse gjatë kacafytjes së policëve janë përdorur arrmët e zjarrit, ndërsa nuk u përgjigj as nëse shkak i incidentit ka qenë vonesa e policëve të trafikut për të dalë në vendin e aksidentit. 

Zyrtarët e Inspektoratit Policor thanë se rastin në bashkëpunim me prokurorin e kanë inicuar si sulm. 

“Tre zyrtarët policorë janë suspenduar për 48 orë dhe në ndërkohë hetuesit e IPK-së kanë nisur hetimet për veprën penale të sulmit”, thotë Arbër Beka. 

Beka nuk ka bërë me dije se cili nga të përfshirët dyshohet seishte nxitës kryesor i konfliktit. 

Zyrtarët policorë janë kthyer në vendin e punës, derisa vazhdojnë të hetohen nga Inspektorati Policor i Kosovës.