Gastarbeiterë në Lindje

Ky shkrim fillimisht është botuar më: 19.08.2013 

Qeveria e Kosovës thotë se është duke bërë “përpjekjet maksimale” që të dërgojë kontingjentin e parë të punëtorëve në Katar në fillim të vitit 2014, disa ditë pasi miratoi fillimin e negocimit për marrëveshjen për “rregullimin e fuqisë punëtore të qytetarëve të Kosovës” në shtetin arab.

Detajet e këtij lloji të punësimit nuk janë ende të specifikuara, por nisma është e ndjeshme pasi qeveria është kritikuar së voni për faktin se mijëra kosovarë janë regjistruar në muajit e fundit si emigrantë ilegalë në kërkim të punës në perëndim të Europës, duke kaluar përmes Hungarisë.

Papunësia në vend llogaritet zyrtarisht rreth 35 për qind. Në Katar mendohet të bëhet eksport legal i forcës punëtore, por lehtësimi i këtij lloj punësimi nga ana e qeverisë nuk vlerësohet si zgjidhje e qëndrueshme nga ana e saj për papunësinë. Gjithashtu, Katari kritikohet për standardet e punës dhe vetë Ministria e Jashtme e Kosovës e vonoi vendimin e qeverisë për rreth një javë.  
 
Më 7 gusht, me kërkesën e ministrit të jashtëm Enver Hoxhaj, kabineti i ministrave shtyri fillimin e këtyre negociatave. Artan Behrami, zyrtar për informim në ministrinë e jashtme, tha se shtyrja ishte kërkuar “për shkak të nevojës për disa sqarime shtesë të cilat tashmë janë tejkaluar”. Behrami shtoi se draft-marrëveshja është rekomanduar nga pala e Katarit.

Ministria e jashtme nuk dha detaje për “sqarimet shtesë” dhe as për draft-marrëveshjen në fjalë. Qeveria një javë më vonë autorizoi ministrin e punës dhe mirëqenies sociale Nenad Rashiq për të kryer negociatat në drejtim të kësaj marrëveshje.

Rashiq i tha Gazetës Jeta në Kosovë se marrëveshja është iniciuar gjatë një takimi të mëhershëm në Gjenevë me homologun nga Katari, në një konferencë të Organizatës Botërore të Punës (ILO). Sipas tij, ajo mund të arrihet deri në fillim të vitit të ardhshëm. 

“Detaje të tjera do të sqarohen gjatë vizitës së parë të delegacionit kosovar në shtetin e Katarit”, thotë Rashiq, në përgjigjet e tij të lëshuara nëpërmjet ministrisë. “Aty do të diskutohen edhe detajet si numri i fuqisë punëtore, kualifikimet e tyre etj”.

“Ende nuk dihet se për çfarë periudhe kohore mund të jenë kontratat, por pas negociatave, besojmë se do të kemi informacion, edhe pse sipas standardeve ndërkombëtare për kontrata të punës marrëveshja lidhet në mënyrë direkte mes punëdhënësit dhe punëmarrësit”, thotë Rashiq.

Zëvendësministri i punës Fatmir Shurdhaj i tha gazetës se beson që takimi i parë me autoritetet e Katarit do të zhvillohet në muajin shtator.

“Ne jemi duke bërë përpjekje maksimale që në fillim të vitit 2014 të dërgojmë kontingjentin e parë të punëtorëve në Katar”, tha Shurdhaj. “Kosova ka një numër të madh të personave të kualifikuar që janë punëkërkues të regjistruar në zyrat tona rajonale dhe komunale”.

“Kampe josanitare pune”

Katari është një shtet arab në Gjirin Persik, me popullsi pak nën 2 milionë banorë dhe ka fqinjë Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabinë Saudite.

Vendi është i pasur me naftë mirëpo po përjeton një bum ekonomik në sferën e ndërtimit, sipas mediave dhe organizatave botërore. Por, Katari, njëkohësisht ka probleme serioze me standardet e punës.

Më 10 gusht, revista britanike The Economist raportoi se ILO, një trupë e Kombeve të Bashkuara, pretendon se rreth 600,000 punëtorë në rajon mund të klasifikohen si viktima të trafikimit. “Kjo është diçka që Katari do të donte ta shmangë derisa përgatitet për të qenë nikoqir i kampionatit botëror të futbollit më 2022 pasi po importon shumë punëtorë për të ndërtuar stadiume”.


Foto: wikimedia

Sipas një raporti të organizatës prestigjioze Human Rights Watch me seli në New York, të këtij viti, Katari ka më së shumti banorë të huaj në botë, 12 për qind.

Sipas organizatës, punëtorët e huaj përbëjnë 99 për qind të punëtorëve në sektorin privat, por ata nuk kanë të drejtë anëtarësimi në unione ose të marrin pjesë greva. Gjithashtu qëndrimi i tyre është i ndërlidhur me kompaninë sponzoruese dhe pa lejen e kësaj të fundit punëtorët nuk mund të ndërrojnë vendin e punës. Nëse punëtori e lë punëdhënësin, thotë HRW, punëtori mund të futet në burg ose të depërtohet nga shteti.

Gjithashtu për të lënë Katarin, vazhdon HRW, punëtorët e huaj duhet të marrin një vizë dalëse dhe kjo sërish varet nga kompanitë sponzoruese. “Sipas punëtorëve, në disa raste këto viza dalëse janë mohuar nga kompanitë sponzoruese”.

“Gjithashtu punëtorët e huaj kanë raportuar shkelje masive të punës me ankesa të zakonshme për mospagesë, për banim në hapësirë shumë të ngushtë dhe me shumë njerëz, kampe pune me kushte jo të domosdoshme sanitare, mungesë qasje në ujë të pijes”, thotë Human Rights Watch.

“Shumë punëtorë kanë thënë se marrin informacion të gabuar rreth punës dhe rrogave para se të arrijnë dhe të nënshkruajnë kontratat në Katar nën rrethana kufizuese”, shton raporti.

Punëtorët e huaj janë kryesisht nga India, Pakistani, Sri Lanka, Filipinet, Nepali dhe Bangladeshi.

The Economist thotë se Fondacioni Katari, një organizatë e krijuar nga Emiri, ka përpiluar ligje së voni për punëtorët e huaj në përpjekje që gjendja të përmirësohet. Mes tjerash, sipas tyre, kontraktorët që punojnë me fondacionin duhet t’u paguajnë punëtorëve biletat e udhëtimit, t’u japin tri javë pushim dhe t’u japin qasje në një makinë larjeje të rrobave.

Reagime: Zgjidhje e paqëndrueshme

Nisma është e prirë që ta vendosë qeverinë në qendër të kritikave ndërkohë që shumë kosovarë vazhdojnë të kërkojnë punë në perëndim.

Qeveria e Hungarisë thotë se qindra afganë dhe kosovarë vazhdojnë të hynë në këtë vend si emigrantë ilegalë. Ata vazhdojnë mbahen në disa qendra hungareze ndalimi.

Në mënyrë tragjike, në tetor të vitit 2009, në lumin Tisa cili në një pjesë të tij është edhe vijë kufitare ndërmjet Serbisë dhe Hungarisë, në përpjekje për të kaluar kufirin ilegalisht, nga përmbytja e varkës kishin humbur jetën 15 kosovarë, nga të cilët shtatë fëmijë.

Gazeta Jeta në Kosovë ka raportuar në gusht 2012 se disa shtete perëndimore, e sidomos Franca, është bërë target i azilkërkuesve të rinj kosovarë.

Sipas ministrisë së punës, 265,215 persona janë paraqitur si punëkërkues, ndërsa Agjencia e Statistikave të Kosovës thotë se 508,100 punëkërkues janë të aftë për punë.

Si rëndom për këso nismash parlamenti mbahet në terr informativ. Puhije Demaku

Hidajet Hyseni, deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës në pushtet dhe zëvendëskryetar i parë në komisionin parlamentar për punë te jashtme, tha se ministri Enver Hoxhaj nuk ka raportuar ndonjëherë në komision në lidhje me procesin e fillimit të negociatave me qeverinë e Katarit për rregullimin e fuqisë punëtore. Për këtë nismë nuk ishte i informuar as deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, anëtari i komisionit Skender Hyseni.

Puhie Demaku, anëtare e kryesisë së Vetëvendosjes dhe drejtuese e komitetit të saj për politikat e jashtme, tha se si rëndom për këso nismash parlamenti mbahet në terr informativ edhe pse ministri do të duhej të inicionte vetë debat po të donte rezultate të mira në politikën e jashtme.

E gjersa diskutimi politik duket se ka munguar përpara vendimit të qeverisë, vëzhguesit e politikave publike nuk janë të bindur në qëndrueshmërinë e kësaj zgjidhje. 

Alban Hashani, drejtor i kërkimeve në Institutin për Hulumtime Zhvillimore (RIINVEST), thotë se marrëveshjet për punësim sezonal janë mundësi të mira që Kosova duhet t’i shfrytëzojë për të lehtësuar problemin e papunësisë në Kosovë. “Një institucionalizim i tillë i këtyre relacioneve do të siguronte që njerëzit të mos ndjekin rrugë ilegale për të emigruar për çështje punësimi, të cilat rrugë janë të kushtueshme dhe gjithsesi më të rrezikshme”, tha Hashani.

Sigurohet që njerëzit të mos ndjekin rrugë ilegale për të emigruar për çështje punësimi. Alban Hashani

Por Agron Demi, drejtuesi i Institutit për Studime të Avancuara GAP, thotë se punësimet sezonale duhet të shikohen vetëm si plotësuese të politikave për rritjen e punësimit.

“Fokusi primar i qeverisë duhet të jetë hapja e vendeve të punës brenda vendit”, thotë Demi. “Për momentin ‘eksportin’ e vetëm që Kosova mund ta bëjë është forca punëtore”.

Ai thotë se këso lloj punësimesh edhe tash ndihmojnë ekonominë kosovare. Sipas një studimi të GAP-it më 2011, vetëm të punësuarit kosovarë në Afganistan i sillnin ekonomisë së vendit rreth 50 milionë euro në vit. “Por assesi nuk duhet të shikohen si masa afatgjata”, shton Demi.

Në përgjithësi, sipas të dhënave të Bankës Qendrore të Kosovës, të hyrat nga dërgesat e emigrantëve në vitin 2012 silleshin në 605 milionë euro dhe ishin rreth 3.6 për qind më shumë krahasuar me vitin 2011.

Bekim Marmullaku, ekspert i makroekonomisë, thotë se nisma e qeverisë është masë e dëshpëruar drejt zbutjes së papunësisë. “Nuk është punë e një qeverie që të lehtësojë në dërgimin e qytetarëve të saj jashtë vendit për punësim, por të krijojë kushtet që këtu të hapen vende pune dhe të ketë zhvillim ekonomik”.

Demkau e Vetëvendosjes shton se nuk e di se cilat janë kushtet të marrëveshjes së iniciuar me Katarin, por se, sipas saj, është e vështirë të thuhet se zbutet papunësia duke i “dëbuar” njerëzit.

“Kjo është mundësi e përkohshme për të zbutur pakënaqësinë, për të amortizuar mundësinë e rebelimeve sociale”, tha Demaku. “Nuk është zgjidhje afatgjate”.  

Nuk është punë e një qeverie që të lehtësojë në dërgimin e qytetarëve të saj jashtë vendit për punësim. Bekim Marmullaku

“Vendet e punës duhet t’i krijojmë në Kosovë, e jo ta zbrazim Kosovën nga truri e fuqia
punëtore duke i vënë ata në dispozicion të zhvillimit të shteteve të tjera”, tha Demaku.

Për shkak se detajet nuk dihen, s’mund të thuhet as se a bëhet fjalë për punëtorë sezonalë, mysafirë etj.

Gastarbeiterët: Historia

Qeveria e Kosovës prej shpalljes së pavarësisë e deri më sot nuk ka bërë ndonjë marrëveshje të kësaj natyre me ndonjë shtet të BE-së ose me shtete të tjera për dërgimin e fuqisë punëtore.

Ky lloj aranzhimi nuk është i panjohur, megjithatë, për shqiptarët e Kosovës.

Më 4 shkurt 1969, sikurse u emërtua, marrëveshje për Gastarbeiter-ët (punëtorët mysafirë) ishte nënshkruar ndërmjet ish-Jogosllavisë dhe Republikës Federale Gjermane, në Bon.

Afër 700,000 serbë, kroatë, boshnjakë, shqiptarë kishin shkuar në Gjermaninë Perëndimore për të punuar deri në fillim të viteve 90-ta. Edhe atëherë Kosova ishte vendi më i pa zhvilluar dhe kishte një numër më të madh të papunësuarve në krahasim me republikat tjera jugosllave.

Gjermania nuk bëri gabim që mori punëtorët e huaj pasi ata patën dorë në këtë bum ekonomik

Sipas një studimi të porositur për nevoja të Parlamentit të Australisë më 2012, të titulluar “Historia e Gastarbaiterëve gjermanë”, Gjermania kishte nisur këso marrëveshjesh që nga viti 1955 me Italinë për të vazhduar me shtete tjera.

Ajo kishte nevojë për forcë punëtore dhe marrëveshjet ishin me përfitim për të.

“Zhvillimi ekonomik i shpejtë pas Luftës së Dytë Botërore ishte përshkruar me të drejtë si mrekullia ekonomike gjermane (Wirtschaftswunder). Ai i hapi rrugë progresit teknologjik gjerman”, thotë studimi. “Gjermania nuk bëri gabim që mori punëtorët e huaj pasi ata patën dorë në këtë bum ekonomik”.

Por debatet filluan në vitet ’70 në lidhje me integrimin e tyre.

Kompanitë kishin investuar në aftësimin e punëtorëve dhe u nevojiteshin edhe më tej shërbimet e tyre, por politikanët nuk kishin menduar dhe zbatuar politika integrimi. Me gjenerata të tëra turqish, për shembull, kishin jetuar në Gjermani dhe nuk flisnin gjermanisht, thotë studimi.

Tek më 1991 punëtorët mysafirë morën të drejtën e shtetësisë. Më 2006, Gjermania inicioi edhe kurse të detyruara integrimi. Më 2009 u nxor një “kartë diversiteti” që obligon kompanitë të ndihmojnë punëtorët me kontekst emigrimi. Mbi 16 milionë njerëz besohet të kenë sot kontekst emigrimi në Gjermani.

Përkundër orvatjeve të kësaj natyre, më 2010, kancelaria gjermane Angela Merkel deklaroi se “multikulturalizmi ka vdekur”.

“Pikëfillimi i këtij debati është historia e Gastarbeiter-ëve”, thotë studimi australian. “Ajo që ka shkuar gabim është mendimi se të gjithë punëtorët mysafirë do të ktheheshin në vendet e tyre kur të mos ishin më të nevojshëm. Gjermanët nuk priten se kjo do të bëhet temë afatgjate dhe nuk konsideruan asimilimin e emigrantëve”.

Ne kërkonim forcë punëtore; na erdhën njerëz

Sipas studimeve të emigracionit, zakonisht nxitet ndërlidhje mes kulturave përkatëse dhe mund të pritet emigrim më afatgjatë i punëtorëve në vendet pranuese.

Shkrimtari i njohur zviceran, Masch Frisch, e kishte përmbledhur herët këtë debat në kontekstin e Zvicrës. “Ne kërkonim forcë punëtore; na erdhën njerëz”.

Takime të zyrtarëve kosovarë me ata të Katarit:

Doha, Katar, 29 January 2013: Zëvendëskryeministrja Edita Tahiri në takim me zëvendëskryeministrin e Katarit Ahmed Bin Abdullah Bin Zaid Al-Mahmoud.

SHBA, 21 shtator 2011: Kryeministri Hashim Thaçi takim me Emirin e Katarit Sheikh Hamad bin Khalifa al-Thani.

New York, 22 shtator 2010: Presidenti Fatmir Sejdiu dhe Kryeministri Hashim Thaçi priten nga emiri i Katarit Sheikh Hamad bin Khalifa al-Thani.

Katar, 7 shtator 2010: Kryeministri Hashim Thaçi takim me princin e Katarit Tamim Bin Hamad Al Thani.

SHBA, 26 shkurt 2009: Presidenti Fatmir Sejdiu dhe Kryeministri Hashim Thaçi takime me ambasadorë të 19 shteteve, përfshirë të Katarit.

Vjenë, maj 2008: Ministri i Jashtëm Skënder Hyseni në takim me Përfaqësuesin e Përhershëm të shtetit të Katarit pranë organizatave të OKB-së në Vjenë, Ali Khalfan Al Mansouri.


Tri fotot e fundit: Presidenca dhe Qeveria e Kosovës