Nuk Marrin As Vendet e Rezervuara

Valdete Osmani nga Ferizaj u regjistrua këtë vit në drejtimin fizioterapi në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës. 

“Kriteret për tu regjistruar kanë qenë shumë të larta”, thotë nëntëmbëdhjetë vjeçarja. 

Ajo mundi të regjistrohej vetëm falë kuotës së diskriminimit pozitiv të komuniteteve Romë, Ashkali dhe Egjiptianë. 

“Arrita të gjej vend falë këtij diskriminimi pozitiv. Jam shumë e lumtur që jam regjistruar dhe besoj do tia shoh hajrin”. 

Osmani është vetëm një nga 48 studentët nga komunitetet Romë, Ashkali dhe Egjiptian të regjistruar këtë vit në UP, nga  gjithsej 14 mijë sa pranoi universiteti përfshirë në degët e tij në Prizren e Pejë. 

24 prej tyre janë pranuar në mënyrë të rregullt ndërsa 24 të tjerë janë pranuar përmes një diskriminimi pozitiv.

Sahit Muçolli, drejtor i shërbimit për studentë në UP, thotë se një numër kandidatësh janë pranuar edhe pse nuk kanë hyrë në afate të rregullta “me kërkesën e përfaqësuesve të këtyre komuniteteve si dhe të organeve përkatëse që merren me problemet e tyre”.

Janë 192 vende të rezervuara për komunitetet Romë, Ashkali dhe Egjiptianë në Universitetin e Prishtinës, atë të Prizrenit dhe të Pejës.

 

 

Jam shumë e lumtur që jam regjistruar dhe besoj do tia shoh hajrin. Valdete Osmani

 

Ato krijohen përmes një kuote prej 43 për qind nga numri i përgjithshëm i maturantëve përkatës për secilin komunitet, tregon Enesa Kadiq, udhëheqëse e divizionit për komunitete dhe gjini në Ministrinë e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT). 

Sipas të dhënave të MASHT-it, 526 nxënës kishin përfunduar shkollën e mesme – apo 243 Romë (0.2 për qind), 70 Ashkali (0.1 për qind) dhe 213 egjiptianë (0.2 për qind).

Kështu, vetëm në UP janë 120 vende të lira për ta pavarësisht rezultatit. 

Por, as shumica e këtyre vendeve nuk u mbushën. 

Organizatat e shoqërisë civile u bëjnë thirrje familjeve që të dërgojnë fëmijët në shkollë, mirëpo edhe disa studentë ankohen për vështirësi ekonomike. 

Bajram Ilazi, 19 vjeçar nga fshati Gjurkoc i komunës së Shtimes, po ashtu student i mjekësisë, thotë se atë e ndihmon familja. 

Disa kandidatë janë pranuar në fakultetin e mjekësisë fal diskriminimit pozitiv

 

“Nëse do të më jepej mundësia për një punë me një  gjysmë orari,  do ta kisha pranuar me gjithë dëshirë vetëm e vetëm për t’i hequr shpenzimet”, tha ai. Ilazi. “Por kur t’i mbaroj studimet, besoj se do të gjej një vend punë ose do të hap ordinancë private”.  

Fisnik Bajrami, 24 vjeç nga Mitrovica, është absolvent në fakultetin e shkencave matematikore-natyrore, në departamentin e Biologjisë në UP.

Ai ishte me më shumë fat pasi dy vitet e para të studimeve kishte bursë stimuluese nga OJQ “Hulumtoni, mësoni, studioni”, HMS, me seli në Zvicër.

“Ata ishin njerëz vullnetarë dhe për çdo muaj mblidhnin fonde për studentët e komuniteteve”, tha Bajrami. “Mirëpo kam pasur përkrahje maksimale edhe nga familja ime”.

Sipas tij, që të dyja – ndihmesa ekonomike dhe mbështetja e familjes – janë të rëndësishme për studentët. 

Përballja me braktisjen e shkollimit

Organizata jo-qeveritare “Ballkan Sunflowers” ka qenë dhe vazhdon të jetë një lider në vetëdijesimin e komunitetit për rëndësinë e shkollimit. 

Në muajin shtator, ajo organizoi edhe një tryezë të rrumbullakët ku ftoi drejtorët e shkollave si dhe mësimdhënësit që të flasin për fëmijët e komuniteteve Romë, Ashkali dhe Egjiptianë. Misioni i OSBE-së në Kosovë e mbështeti tryezën.

Zëvendës koordinatori i projektit, Driton Berisha, thotë se komunitetet duhet të punojnë që t’i japin vullnet fëmijëve që të shkojnë në shkolla dhe t’i mbështesin ata.

Përveç mbështetjes, vazhdojnë të hasen probleme edhe me paragjykime. 

Ergit Qeli, i cili po i monitoron dy shkolla në komunën e Gjakovës për këtë organizatë, tha se atje kishte problem me ndarjen e nxënësve të komunitetit në një klasë. 

“Mirëpo drejtori i njërës nga shkollat bëri një zgjidhje duke i vendosur nga tre nxënës nga mazhoranca për secilën klasë ku dominojnë komunitetet”, tha Qeli.

Një pjesë e rinisë e komunitetit minoritar që është veçanërisht e vendosur, siç janë Bajram Ilazi dhe Valdete Osmani, kanë vendosur t’i sigurojnë vetes një perspektivë më të mirë duke u shkolluar në nivelin e lartë, por ka edhe shumë sosh të cilët vendosin të ndjekin ligjërata për t’u aftësuar profesionalisht në një drejtim. 

Këtë aftësim ua ofron Qendra Edukative Sociale “Don Bosko” në Prishtinë.

Në këtë qendër ata aftësohen për saldim,ujësjellës, ngrohje qendrore, përpunim ushqimi dhe trajnime për edukatorë.

Koordinatori i qendrës, Anton Gojani, tha se ka shumë prej komuniteteve të cilët janë duke ndjekur trajnimet. “Ne qe 4 vite me radhë jemi duke mbajtur kurse për të gjithë – për shqiptarët, serbët dhe komunitetet Romë, Ashkali dhe Egjiptianë”, tha Gojani.

Nga këto komunitete, nëpër trajnime të ndryshme janë 58 veta – për edukatorë, për fillim biznesi, për përpunim ushqimi, për saldim dhe për ngrohje qendrore.