“Shtet i Paraburgimeve”

Këshilli Gjyqësor i Kosovës rrezikon të humbas miliona euro për shkak të padive që po ngriten nga qytetarët të cilët janë mbajtur në paraburgim, e më pas janë shpallur të pafajshëm.

Një komision në kuadër të KGjK-së u ofron kompensim atyre që janë dëmtuar nga paraburgimet. Për një ditë qëndrimi në paraburgim një qytetari i ofrohen nga 6 deri në 25 euro.

Vetëm gjatë këtij viti ky komision ka paguar 135 mijë e 560 euro për kompensimin e dëmeve të 71 personave

Mirëpo, të pakënaqur me vlerësimet e dëmtimit, disa qytetarë kanë filluar ta padisin KGJK-në për ta rritur shumën e kompensimit.

Rexhep Ibishi ishte mbajtur në paraburgim nga 14 dhjetori 2012, për pesë muaj radhazi, me dyshimet se ishte marrë me kontrabandim të cigareve. Gjithashtu, atij i ishte konfiskuar malli në vlerë prej 200 mijë eurosh. 

Pas pesë muajsh, ai është liruar si i pafajshëm nga Gjykata Komunale në Gjilan dhe Gjykata Supreme e Kosovës. “Për pesë muaj paraburgim mi kanë ofruar kompensim 2200 euro”, thotë Ibishi.

 
Rexhep Ibishi ka paditur me sukses KGjK-në  

Ai, i pakënaqur me këtë shumë, ka ngritur dy padi ndaj KGJK-së në Gjykatën Komunale të Prishtinës. E para për kompenzimin e dëmit moral ndërsa e dyta për kompenzmin e mallit të konfiskuar një pjesë e të cilit, sipas Ibishit, ishte dëmtuar gjatë kohës sa ai kishte qëndruar në paraburgim

Dhjetë vjet pasi që Ibishi ishte paraburgosur, Gjykata Komunale në Prishtinë ka vendosur për padinë e tij të parë. Kjo gjykatë në shtator të këtij viti ka vendosur që ta rrisë shumën e kompensimit të dëmit material nga 2200 euro në 10 mijë euro.

Ibishi thotë se këtë shumë të parave e ka marrë, ndërsa pret nga gjykata edhe zgjidhjen e padisë së dytë për kompensimin e mallit – e cila kap një vlerë prej rreth 170 mijë euro.

Kompensim të ngjashëm nga gjykata është duke pritur edhe urologu Tunë Pervorfaj, i cili ishte arrestuar në 2008-tën së bashku me doktorët e tjerë në aferën e njohur si “Rasti Medicus”.

Pervorfaj kishte qëndruar në paraburgim për një muaj ndërsa pas hetimeve nga prokuroria ai ishte shpallur i pafajshëm.

Avokati i Pervorfit, Nikë Shala, tregon se për këtë kohë qëndrimi në paraburgim klientit të tij i janë ofruar 530 euro. “Ne nuk e kemi pranuar ofertën nga KGJK-ja dhe për këtë kemi ngritur padi në gjykatën komunale, me të cilën kemi kërkuar që në emër të dëmit material dhe moral  Pervorfajt t’i ofrohen 450 mijë euro”, thotë Shala.

Lënda për kompenzimin e mallit të Ibishit si dhe padia e doktorit Pervorfajt presin zgjidhjen nga Gjykata Komunale e Prishtinës.

Padi të tilla dhe shumë të tjera të cilat mund t’i vijnë në të ardhmen KGJK-së, i kanë shtyrë drejtuesit e  gjyqësorit të kërkojnë kujdes nga gjyqtarët të cilët e caktojnë masën e paraburgimit.

Kjo kërkesë u është adresuar gjyqtarëve në një konferencë të cilën e ka organizuar KGjK-ja larg syrit të opinionit.

 
Fejzullah Hasani, kryetar i supremes, thotë se Kosova është shtet paraburgimesh  

 

Kreu i Gjykatës Supreme, Fejzullah Hasani, dhe kryesuesi i KGJK-së, Enver Peci, kanë pranuar se gjatë kësaj konference u kanë kërkuar gjyqtarëve që të kenë kujdes të shtuar në caktimin e paraburgimit.

Sipas Hasanit, pjesa më e madhe e kërkesave të prokurorëve për caktim të paraburgimit miratohen nga gjykatat. “Sipas të dhënave që ne disponojmë, mbi 90 për qind e kërkesave të prokurorëve për paraburgim janë aprovuara. Për këtë arsye ne jemi shndërruar në shtet të paraburgimeve”, thotë kreu i supremes.

Sipas tij, kjo shifër është disa herë më e lartë se shifra e Kroacisë ku vetëm 25 për qind e kërkesave të prokurorëve aprovohen nga gjykatat.

Ky trend nuk është normal, thotë edhe Kryesuesi i KGJK-së Enver Peci. Gjyqtarët të cilët vendosin për paraburgim, sipas Pecit, në pjesën më të madhe të rasteve nuk e vlerësojnë nëse masa që po e caktojnë është e nevojshme për ta siguruar prezencën e të  dyshuarit në procedurë.

“Ne u kemi kërkuar gjyqtarëve kujdes më të shtuar në vendimet e tyre”, thotë Peci.

Tani e tutje gjyqtarët do të mbikëqyren më shumë në caktimin e masave të paraburgimit, shtoi Peci, duke pohuar se gjatë vlerësimit të punës së tyre ata mund të marrin nota negative për shkak të numrit të madh të vendimeve të pabazuara.