Shtien me Armë Para Qeverisë

Në fotografitë e realizuara nga Gazeta Jeta në Kosovë shihen dy qytetarë duke shtënë me armë, mu para Qeverisë së Kosovës, më 29 nëntor.

Në sheshin Nëna Terezë, atë ditë shumë veta kishin dalë për të festuar lirimin si të pafajshëm të liderit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, nga Tribunali Penal Ndërkombëtar në Hagë për akuzat për krime lufte.

Ndonëse këto të shtëna janë parë e dëgjuar nga qindra njerëz, Policia e Kosovës nuk ka hapur ndonjë rast përkatës. Në raportin e policisë, të datës 30 nëntor, nuk është shënuar se policia ka iniciuar hetim për këto të shtëna.

 
Festimet, 29 nëntor, Sheshi Nënë Tereza, Prishtinë | Foto: Korab Basha  

 

Edhe pse në vazhdimësi Policia e Kosovës dhe OJQ-të u kanë bërë thirrje qytetarëve që të mos shtien me armë zjarri gjatë festimeve, këto thirrje po rezultojnë të jenë jo-efektive.

Vetëm gjatë festës së 28 nëntorit Policia e Kosovës ka arresuar 4 persona,të cilët janë zënë në flagrancë duke shtënë në ajër me armë.

Këto gjuajtje janë të rrezikshme.

14-vjeçari nga fshati Reznik i Vushtrrisë, Egzon Makiqi, ishte plagosur në kurriz nga një plumb qorr më 14 korrik të këtij viti.

Dyshohet se plumbi ishte shtënë në fshatrat përreth.

“Kam qenë duke i ruajtur lopët në ara kur më ka rrokur plumbi”, thotë Egzoni.

 
Egzon Makiqi, i plagosur nga plumi qorr  

 

Ai tregon se disa çaste para se të plagosej, kishte dëgjuar të shtëna nga armët të cilat vinin nga fshati Nadakovc, i cili ndodhet aty afër.

Nëna e Egzonit, Ajshja, tregon se pas këtij rasti djali i saj ishte traumatizuar. “Kur i dëgjon duke gjuajtur na thërret të gjithëve të hyjmë brenda”, thotë Ajshja.

Sipas nënës së Egzonit, për këtë plagosje askush deri më tani nuk ka marrë përgjegjësi.

Viktimë tjetër e plagosjes së kësaj natyre me armë zjarri është edhe Avni Zeneli nga Podujeva, i cili ishte plagosur më 28 gusht në oborrin e shtëpisë së tij.

Plumbi besohet të ketë ardhur nga festimet në dasma.

Avniu tregon se pak qaste para se plumbi ta godiste në këmbë, ai kishte qenë duke e mbajtur në prehër djalin 6 muajsh.

“Djalin e kam pasur në prehër, duke e mbajtur në dorë…deshta ta ndezë një cigare dhe për këtë ia dhashë vëllait ta mbajë djalin”, tregon ai. “Si jam ulë në karrige, veç kur i kam dëgjuar degët e qershisë dhe e kam dëgjuar dhimbjen në këmbë”, thotë Avniu.

Si pasojë e plagës në këmbë, përveç shqetësimeve që ishin krijuar në familjen e Avniut, atij i ishte dashur të kalojë edhe disa ditë në spital për trajtim.

 
Avni Zeneli, i plagosur derisa rrinte në oborr  

 

Rrezikut të ngjashëm i eskpozohen pjesa më e madhe e qytetarëve të Kosovës. Kjo për faktin se në Kosovë që nga lufta e fundit llogariten të jenë lënë në duart e qytetarëve rreth 400 mijë armë zjarri, apo gati tek çdo i katërti banor.

Kodi penal vendosë tash vetëm dënime me burg

Që nga viti 2000 e deri më tash Policia e Kosovës ka konfiskuar 16 mijë e 344 armë zjarri.

Mirëpo ata tek të cilët u konfiskuan këto armë nuk morën dënime të larta.

Edhe pse Kodi Penal i Republikës së Kosovës parasheh dënime deri në tetë vite burgim për ata të cilët kapen duke shtënë në ajër apo duke poseduar armë, gjykatat e vendit në pjesën më të madhe të rasteve janë duke shqiptuar dënime me gjobë.

Sipas statistikave të Sekretariatit të Këshillit Gjygjësor të Kosovës, nga 749 lëndë të zgjidhura gjatë vitit 2010, gjykatat kanë shqiptuar vetëm 53 dënime me burg ndërsa në 545 raste dënime me gjobë, shifër përafërsisht e njëjtë është edhe gjatë vitit 2011 ku nga 1 mijë e 51 lëndët e gjykuara vetëm 35 janë me burgim ndërsa 847 të tjera janë dënime me gjobë të cilat sillen nga 300 deri në 500 euro. (shih dokumentin).

Një politikë e tillë e dënimeve është e pakuptimtë për Nazim Sahitin nga Forumi për Iniciativë Qytetare.

“Ajo çfarë ne kemi adresuar gjatë fushatave tona ka qenë politika e ulët e dënimeve, të cilat i shqiptojnë gjykatat tona pasi që kemi parë që dënimet me gjobë nuk po e kanë efektin e tyre”, thotë Sahiti.

Në Kosovë më shumë mund të dënohesh nëse zihesh duke vozitur pa leje sesa të kesh armë, thotë Ferdinand Nikolla nga organizata Saferëorld në Kosovë.

“Nga ajo çfarë kemi parë deri më tani dënimet për armëmbajtje sillen rreth 300 euro gjobë. Kjo është absurde, kur ditet se në Kosovë 300 euro është dënimi nëse zihesh duke vozitur pa leje”, thotë Nikolla.
Kryetari i Gjykatës së Qarkut në Prishtinë, Hamdi Ibrahimaj pranon se pjesa më e madhe e dënimeve për armëmbajtje është dënim me gjobë mirëpo sipas tij kjo bëhet për shkak se Kodi Penal u ka lejuar gjyqtarëve që të zgjedhin në mes dënimit me gjobë apo atij me burg.

“Gjyqtarët llogarisin gjendjen ekonomike dhe materiale të atij që dënohet dhe ne kemi menduar që një dënim prej 500 eurosh nuk është dënim i vogël për një familje në Kosovë”, thotë Ibrahimi.

 
Foto: Korab Basha  

 

Mirëpo, sipas Ibrahimit, hyrja në fuqi me 1 janar e Kodit të ri Penal të Kosovës do ua pamundësojë gjyqtarëve që për rastet kur personat shtijnë në ajër me armë të shqiptojnë dënime me gjobë.

“Kodi i ri Penal ka paraparë dënim vetëm me burg prej një deri në pesë vite për këta persona”, thotë Ibrahimi.

Sipas tij, në këto raste gjyqtarët nuk do kenë mundësi të shqiptojnë dënime me gjobë për kryesit të cilët zihen duke gjuajtur me armë.