Fituesi i Rregullt - Accord

(E plotësuar)

Shumë gurë, pak ujë që rrjedh e plot beton.

Për rregullimin e 1.5 km të shtratit të lumit “Erenik” që kalon nëpër komunën e vocërr e të re të Junikut, me qëllim që të shmangen vërshimet, kanë nisur të harxhohen 1.5 milionë euro.

Rregullimi i shtratit të lumit, që vlerësohet si më i rëndësishmi në rajon me rreth 515.5 kilometra gjatësi, është ndarë në katër  faza tenderuese. Në dy pjesët më të mëdha të tij, kompania “Accord Investments-SAH” në konzorcium me një kompani tjetër ka qenë pjesë e ofertuesit fitues.

Po ashtu, Accord ka qenë pjesë e konzorciumit fitues edhe për ngritjen e një parku krahas lumit.

Ndonëse makineritë për këtë punë i merr me qera dhe betonin e blen diku tjetër, Ismet Kelmendi, njëri nga pronarët e Accordit, thotë se “kompania është lider” në biznes në këtë komunë.  

Hasan Krasniqi, menaxher i prokurimit në Junik, thotë se ky është njëri nga investimet më të mëdha që po bën komuna e vogël e Dukagjinit, e krijuar tash vonë me procesin e decentralizimit.

foto  
Foto: Korab Basha  

 

Madhësinë e tij ai e llogarit edhe me buxhetin e komunës. “Bashkë me të hyrat vetanake dhe grantet qeveritare, Juniku ka për investime kapitale 240 mijë euro në vit”, thotë Krasniqi për Gazetën Jeta në Kosovë. 

Nga katër fazat e rregullimit të shtratit të këtij lumi, vetëm njëra është pranuar teknikisht edhe pse komuna pagesën ende nuk e ka shlyer. Të tjerat, ose presin të pranohen ose nuk kanë nisur ende.

Krasniqi thotë se kryetari i komunës po ashtu ka shprehur dëshirën që punët në shtratin e lumit të zgjaten deri në 2 km.

Në Accord punon “Mustafë Qeveria”

Gazeta Jeta në Kosovë ka pranuar një denoncim nga një qytetar nëpërmjet platformës sociale  www.kallxo.com. 

“Pas kompanisë qëndron personi i njohur si Mustafë Qeveria”, ka shkruar ai. “Puna është kryer me material shumë të dobët e cilësi shumë të ulët”.

Gazeta Jeta në Kosovë ishte në Junik. Tek pjesa e shtratit të lumit që është rregulluar, në të dy anët e tij, ka trotuare dhe disa copëza parqesh. Banorëve u pëlqen.

“Është mirë të ecësh këtej”, thotë Avdyl Qeçtaj (78). “Edhe pse po thonë se materiali është i dobët”.

Hasan Krasniqi, drejtuesi i prokurimit në komunë, thotë se i ka atestet nga operatori. “Në kontratë është garancioni pesëvjeçar. Çfarëdo që prishet, për detyrë e ka kompania ta rregullojë”, thotë ai.

E “Mustafë Qeveria” nuk figuron askund se është pronar i ndonjë kompanie. Në të vërtetë, ai është Mustafë Selmanaj. I afërt me Rasim Selmanajn, kryetarin e komunës së Deçanit.

“Unë jam punëtor me rrogë në firmë. Pronar është Isa (Ismet Kelmendi v.j)”, thotë Mustafë Selmanaj. “Me Rasim Selmanajn krejt Kosova është e afërt”.

Mustafë Selmanaj thotë se gjithçka që ka fituar e ka fituar vetë. “Por nuk jam për ato gjëra që ju po mendoni”, tha ai.

foto  
Foto: Korab Basha  

 

Kompania “Accord Investments-SAH”, që vazhdimisht fiton tenderët e këtij projekti së bashku me nga një kompani të dytë në formë konzorciumi për rregullimin e shtratit të lumit “Erenik”, sipas të dhënave të Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve (ARBK), ka pronarë Shpëtim Selmanajn dhe Ismet Kelmendin.

“Jo, Mustafa nuk është pronar. Pronari jam unë”, thotë Ismet Kelmendi. “Mustafa mund të punojë atje për mua, por pronari jam unë. I vërteti”.

Accordi dhe partnerët

Biznesmeni Ismet Kelmendi pohon se “Accord Investment-SAH” është në fillimet e veta. Ai thotë se tenderin aktual e ka fituar në bashkëpunim me firmën “Noti”.

Kontrata është për pjesën e katërt të projektit dhe është dhënë më 2 gusht, e ka vlerën 317891.36 euro. Kontrata, e publikuar në faqen e Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik,  është lidhur mes komunës së Junikut dhe kompanive Accord e Noti.

Kompania “Noti” figuron edhe si fitues i vetëm i kontratës së parë për shtrirjen e shtratit të Lumit në kontratën e publikuar nga KRPP, të dhënë më 5 tetor 2010 në vlerën 443,089.20 eurove.

Por, edhe shefi i prokurimit të Junikut Hasan Krasniqi edhe pronari Ismet Kelmendi i “Accordit” kanë konfirmuar se kjo kompani ishte në konzorcium me “Notin” për pjesën e parë të tenderit, ndonëse kështu nuk figuron në KRPP.

“Accord ka qenë pjesë e konzorciumit me ‘Notin’ në fazën e parë të tenderit”, tha Krasniqi. “Ajo ka pasur gjithë dokumentacionin e nevojshëm, përfshirë licencën dhe çeritifikatën e biznesit”

“Kemi qenë me ‘Notin’ në fazën e parë dhe të fundit”, tha Kelmendi, për Gazetën Jeta në Kosovë”.

Përveç që nuk figuron në kontratën e KRPP-së, Accord sipas shënimeve të saj në webfaqen e ARBK-së po ashtu nuk ka qenë e konstituuar në atë kohë pasi ka si datë konstituimi 25 shkurtin e 2011-tës.

Hysni Hoxha, kryetar i Organit Shqyrtues të Prokurimit, thotë se Accord duhet të ketë qenë nënkontraktor pasi nuk ka mundur të jetë pjesë e konzorciumit pa qenë e licencuar.

Krasniqi i prokurimit të Junikut tha po ashtu se në këto njoftime për dhënie tenderi “vendoset vetëm emri i liderit të grupit”.

Kompania Accord nuk kishte as mjete pune dhe e blente betonin.

“Edhe në dokumentacion e kam treguar se nuk kam makineri, por shkruan se kam të drejtë me marrë me qira. Jam me kompaninë Noti-i”, thotë Ismet Kelmendi. “Normal që kam të drejtë edhe kështu. Është sipas tenderit me të gjitha rregullat”.

Hasan Krasniqi, i prokurimit në komunën e Junikut, thotë se dy kompani e kanë fituar tenderin. Noti ka makineritë e nevojshme.

Po ashtu, në ditën kur gazeta ishte te lumi, të martën më 20 nëntor, aty punonin dy makineri të kompanisë “Fidani-L”.  

Lulzim Beqiraj, pronar i kësaj kompanie, thotë se nuk ka lidhje me “Accord Investments-SAH”. Sipas tij, vetëm në një tender të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal për rregullimin e një parku afër lumit, ka qenë bashkë me këtë kompani, më 2010.

“Tenderi ka qenë 28 mijë e 700 euro dhe ka përfunduar”, thotë Beqiraj. “Ne vetëm beton çojmë atje, e furnizojmë”. 

Po ashtu, Fidani-L konfirmon se Accord Investments ka porositur betonin prej saj. “Nuk kemi lidhje me shtratin ‘Erenik’. Accord Investments e ka fituar tenderin”, thotë Beqiraj, pronar i kompanisë “Fidani-L”.

Hasan Krasniqi, drejtuesi i prokurimit në Junik, thotë se tenderët janë pak të komplikuar. “Unë kërkoj vetëm dokumentet bazike në mënyrë që të rritet konkurrenca”, thotë Krasniqi. “Pastaj kompanitë që kanë fituar këtë projekt gjithmonë kanë qenë në konzorcium. Mangësitë e njërës i ka plotësuar tjetra”.

Sipas tij, në tenderët e shpallur, komuna ka kërkuar makineri dhe kushte të tjera për t’u plotësuar – dhe të gjitha ato i ka përmbushur konzorciumi. “Përveç fazës së parë, për shkak të kohës, në tenderët e tjerë kriteri ka qenë çmimi më i lirë”, thotë Krasniqi.

Me tre tenderë të fituar, qoftë edhe pa makineri, “Accord Investments–SAH” tash është gati për konkurrencë. “Kjo është puna e parë. Ne shkojmë duke u rritur. Përpara ‘Noti’ ka qenë lider e tash ne jemi lider e ai na përcjell”, thotë Ismet Kelmendi, pronar i “Accord Investments-SAH”.

Ai insiston se gjithçka bëhet në mënyrë legale. “Ke të drejtë edhe pa makineri me konkuru. Betonin e marr nga firma tjera. Mjafton tenderin, e të tjerat i fiton në bashkëpunim. Në tender hyn një kompani tjetër që i ka këto makineri”.

foto  
Foto: Korab Basha  

 

Kompania “Noti” kishte fituar vetë edhe fazën e dytë të tenderit për shtratin e lumit më 25 korrik 2011 në vlerën 141,654.46 euro. Fazën e tretë figuron se e kishte fituar VB Tofaj SH.P.K & T.T.P Fidani-L më 29 qershor 2012 në vlerën 83620.46 euro.

Shpallet tenderi me premtim gojor

Projekti në tërësi i lumit ‘Erenik” është 1.5 milionë euro, në gjatësi 1.5 km. Projekti është  ndarë në katër faza. Faza e parë kushton 443 mijë euro dhe është në përfundim e sipër.

Tash komuna pret vetëm të bëhet pranimi teknik. Faza e dytë kushton 135 mijë euro e cila ka përfunduar vitin e kaluar.

Faza e tretë kushton 83 mijë euro e cila teknikisht është pranuar, por komuna nuk e ka shlyer borxhin. Kurse faza e katërt është 485 mijë euro dhe planifikohet të përfundojë në tre vitet e ardhshme.

Hasan Krasniqi nga prokurimi në komunën e Junikut thotë se projekti për shtratin e lumit “Erenik” ka qenë i  madh.

“Donacionin e parë e kemi pasur nga Qeveria, nga zv.Kryeministri Hajredin Kuçi. Ai na ka pas premtuar 300 mijë euro”, thotë Krasniqi.

Sipas tij, nga zyra e Kuçit u kishin thënë se për këtë projekt deri 500 mijë euro mund t’i mbulojë Qeveria. 

“Kemi tenderuar dhe kemi pritë që deri në 500 mijë euro të vijë kontrata. Ka ardhur oferta 443 mijë euro”, thotë ai.

Në këtë mënyrë, pa asnjë shkresë zyrtare, vetëm me një premtim gojor, Juniku ka shpallur tender, edhe pse paratë e premtuara nga Qeveria nuk i ka pasur në llogari.

““300 mijë euro na i kanë qitur atë vit (2010), por me atë kontratë kemi mbetur edhe 143 mijë euro borxh. Edhe këto zotime nga Ministria e Ekonomisë na kanë ardhur javën e kaluar për 143 mijë euro”, thotë Krasniqi.

Sipas tij, deri më tash për projektin e Erenikut janë tenderuar 1 milionë e 147 mijë euro.