Ministria Do T’i Hetojë Letërnjoftimet e UNMIK-ut

Në regjistrat e Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB) ende figurojnë njerëz që janë të pajisur me dokumente identifikimi të UNMIK-ut dhe që nuk i kanë ndërruar ato me dokumente të përhershme kosovare edhe pse ka vite që kur bëhet lëshimi i tyre nga Republika e Kosovës.

Janë 346 mijë e 678 letërnjoftime që kanë logon e misionit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara që e administroi Kosovën për mbi tetë vite.

Në Agjencinë e Regjistrimit Civil, një agjenci që operon në kuadër të MPB-së, japin disa versione rreth këtij kontingjenti të mbetur të letërnjoftimeve të UNMIK-ut.

“Ato mund t’i përkasin personave që kanë marrë paligjshëm dokumente të Kosovës, atyre që i kanë neglizhuar e nuk kanë ardhur për t’i marrë, të vdekurve, por edhe atyre që kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës”, ka thënë Blerim Camaj, kryeshef i deritashëm i ARC-së në një intervistë për Gazetën Jeta në Kosovë, para suspendimit të tij nga ministri Bajram Rexhepi në lidhje me rastin Natali Velija.

Camaj ka shtuar se disa nga këto dokumente dyshohet se janë marrë në mënyrë të rreme.

Për këtë, ai ka thënë se do të ngritet një komision hetues për të verifikuar në terren se kujt mund t’i përkasin këto dokumente, një pjesë e të cilave figurojnë edhe në librat amzë. “Hetimet do të bëhen në detaje për të mundur të qartësohet kjo sasi e letërnjoftimeve që figurojnë të mbetura pa u ndërruar”, ka deklaruar Camaj.

Vitin e kaluar, tri vjet që nga fillimi i lëshimit të dokumenteve të Republikës së Kosovës, numri i njerëzve që kishin nëpër duar letërnjoftime të UNMIK-ut ishte më i madh. Numri i tyre arrinte deri në 500 mijë letërnjoftime të lëshuara nga administrata e përkohshme e OKB-së në Kosovë.

Shifrën deri gjysmë milionë të këtyre letërnjoftimeve, ish drejtori i ARC-së e kishte raportuar para Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
 
As atëherë dhe as tash ai dhe ministria nuk kishin mundur të shpjegonin se kujt i përkisnin këto dokumente identifikimi.

As aktualisht drejtues të ARC-së nuk kanë mundur të japin këtë shpjegim.

Po ashtu, nga drejtues të ARC-së nuk qartësohet se si është zbritur kjo shifër prej një viti nga 500 mijë në afro 350 mijë.  
Ndërkohë, vendet e Bashkimit Europian dhe të tjera po vazhdojnë tu dërgojnë autoriteteve në Kosovë lista azilkërkuesish kosovarë për të vërtetuar shtetësinë e tyre në kuadër të procesit të liberalizmit të vizave . 

Sabrie Rashani, udhëheqëse e sektorit civil në Ministrinë e Punëve të  Brendshme, ka konfirmuar se pas kërkesave që marrin nga shtete të ndryshme bëhet procesi i verifikimit të shtetësisë në terren.

Ky proces ka rezultuar deri më tani me mijëra shtetas “të rremë” të Kosovës, thotë Rashani.