Policët që Morën Ryshfet në Bankën e të Akuzuarve

Gjykata Komunale në Prishtinë, të enjten, mbajti seancën në çështjen e policëve të suspenduar Hidajet Krasniqi dhe Veton Gashi, të cilët akuzohen për marrje ryshfeti.

Të dy policët e suspenduar kishin ardhur së bashku me avokatët e tyre në seancë. Kishin ardhur edhe dëshmitarët e rastit, por jo edhe i dëmtuari në këtë çështje F. H.

Sipas një të afërmi të tij, i dëmtuari gjendet në Danimarkë dhe e kishte të pamundur që të merrte pjesë në shqyrtim për një kohë, meqë kishte pasur probleme me lejen e qëndrimit.

Mbrojtja, para se të lexohej aktakuza, kërkoi që seanca të shtyhet, pasi që nuk i kishin shkresat e lëndës. Këtë e refuzoi gjykatësja e çështjes, Naime Jashanica, meqë tha se seanca ishte caktuar dhe palët ishin njoftuar me kohë.

Prokurori Imer Beka e lexoi propozim-akuzën, me të cilën akuzonte të pandehurit se kanë kryer veprën penale të marrjes së ryshfetit.

“Më datën 18 qershor 2012, në fshatin Sllatinë, komuna e Fushë-Kosovës, policët e komunikacionit që ishin në patrullë, Hidajet Krasniqi dhe Veton Gashi, në emër të ryshfetit i kanë kërkuar të dëmtuarit 300 euro që të mos i shqiptonin gjobën në komunikacion, pas një gabimi të të dëmtuarit. Policët i kanë marrë nga i dëmtuari vetëm 100 euro. Me këtë veprim kanë kryer veprën penale të marrjes së ryshfetit”, lexoi prokurori Beka, propozim-akuzën.

Të pandehurit u deklaruan se nuk ndihen fajtorë.

Gjykatësja në mungesë të të dëmtuarit, i cili njëherësh është dhe dëshmitari kryesor në këtë çështje, e shtyu seancën në afat të pacaktuar. Ajo obligoi të afërmin e të dëmtuarit që ta sjellë adresën e saktë të dëshmitarit në Danimarkë.

Ky rast ishte iniciuar pas një video-xhirimi të Gazetës Jeta në Kosovë, në të cilin shihen dy policët e trafikut, Hidajet Krasniqi e Veton Gashi të rajonit të Prishtinës, duke marrë mitë nga një qytetar.

Ngjarja ka ndodhur më 18 qershor të këtij viti. Rreth orës 15:30 policët e kishin ndaluar këtë kosovar, me banim në Danimarkë.

F. H. i kishte rrëfyer Gazetës Jeta në Kosovë se ishte ndaluar në dalje të Fushë-Kosovë, në drejtim të Pejës, për shkak se kishte tejkaluar shpejtësinë. Pas një kontrolli, zyrtarët policorë i kishin gjetur atij edhe një sasi të vogël disa gramësh droge në automjetin e tij dhe mungesë siguracionit të veturës. 

Sipas tij, dy policët për t’i mbyllur sytë para kësaj shkelje, i kishin kërkuar atij 300 euro mitë. Pasi që ai nuk kishte para me vete, ata i kishin kërkuar që të shkonte në shtëpi për t’i marrë. Gjithnjë sipas qytetarit, policët, për t’i siguruar paratë, ia kishin konfiskuar të gjitha dokumentet, kthimin e të cilave e kishin kushtëzuar me pagesën e parave.

“Më kanë thënë që nëse do të shpëtosh prej kësaj situate duhesh të na sjellësh 300 euro”, kishte rrëfyer qytetari.

Ai ishte kthyer për t’ua dorëzuar policëve 100 euro, pasi tha se 200 të tjera nuk kishte mundur t’i sigurojë.

Vendtakimi ishte në afërsi të urës së fshatit Vragoli, ku rreth orës 8 e 30 të mbrëmjes ekipi i BIRN-it arriti të xhirojë këta policë, të cilët të uniformuar vozisnin një veturë pa shenja policie të Policisë së Kosovës.

Mirëpo, prezenca e disa makinave të tjera i shtyu policët që ta ndërrojnë vendtakimin për dorëzimin e parave, duke vazhduar kështu për te ura në afërsi të Goleshit, ku edhe i shkëmbejnë dokumentet e konfiskuara me paratë të cilat ua kishte sjellë qytetari.

Pas dhënies së mitës, qytetari sërish tregon detajet e transaksionit me policët. “Ma bënë me drita”, tha ai. “Shkova, u thashë që i kam veç 100 euro. Më thanë bëj 200 bile, po u thashë që nuk muj dhe mi kthyen disa prej dokumenteve”, thotë qytetari.

Disa dokumente nuk iu kthyen, kurse ai hezitonte që këtë rast ta denonconte në polici.

<iframe src=”http://player.vimeo.com/video/49461963?title=0&byline=0&portrait=0&badge=0&color=2e5191″ width=”500″ height=”363″ frameborder=”0″ webkitAllowFullScreen mozallowfullscreen allowFullScreen></iframe> <p><a href=”http://vimeo.com/49461963″>Mitoja ne policine e Kosoves</a> from <a href=”http://vimeo.com/jetanekosove”>Jeta ne Kosove</a> on <a href=”http://vimeo.com”>Vimeo</a>.</p>

Raportimin e rastit në polici e bëri ekipi i Gazetës JnK, mirëpo çuditërisht raportimi me telefon në linjën 192 nuk hasi në një intervenim të shpejtë të policisë. Sipas rregullave të policisë, raportimi i rasteve të korrupsionit në Policinë e Kosovës duhet të kryhet në stacionet policore, e jo nëpërmjet telefonit.

Për ta bërë këtë, ekipi i Gazetës JnK ka shkuar në stacionin policor të Fushë-Kosovës, ku më pas me këtë rast fillon të merret Inspektorati Policor, i cili vetëm 1 orë e 40 minuta pas denoncimit i ndalon policët. Në xhepin e njërit prej tyre gjejnë bankënotën 100 euroshe, të cilën ata e kishin marrë nga qytetari.

Pas xhirimit të numrave serikë të parave të dorëzuara dhe përcjelljes së pamjeve, Inspektorati Policor i suspendoi këta zyrtarë policorë dhe ngriti kallëzim kundër tyre.

“Për këta policë tashmë është dorëzuar një kallëzim penal në prokurori dhe të njëjtit do qëndrojnë të suspenduar deri në momentin kur për ta të nxirret një vendim nga ana e gjykatës”, ka thënë shefi i hetimeve në Inspektoratin Policor, Jetullah Aliu.