Kthimi në Kontejnerë

Idriz Mekolli me familjen e tij është kthyer para tetë muajsh nga Novi Pazari i Serbisë dhe jeton në një kontejner në afërsi të fshatit Plemetin. 

Ai është nga Fushë Kosova dhe me tu kthyer në shtëpinë ku ka jetuar, para rreth dy vitesh, ka parë se familja ishte zgjeruar dhe nuk kishte vend për familjen e tij të ngushtë. 

Mekolli është vendosur në një kontejner në Plemetin, të ndërtuar me vetfinancim, fshat afër Obiliqit i njohur për mbylljen e kampit të saj në vitin 2007 ku kanë jetuar një numër i madh i familjeve nga komunitetet. Familjet ishin vendosur në një ndërtesë, të cilës i referohen si “banesa sociale”.

Mekolli ka mbuluar disa vrima në kontejner dhe e ka lyer me gëlqere për ta dezinfektuar hapësirën ku do të jetojë me familjen e tij. 

Idrizi ka përgatitur hapësirën për të jetuar me familjen | Foto: Mihane Mustafa

 

 

 

 

 

 

 

 

 

 

Ai shpreh brengën e tij derisa dimri po afrohet. “Jetoj me tre fëmijët dhe bashkëshorten në këtë kontejner shumë të vogël, me kushte shumë të vështira. S’kam tjetër zgjidhje. Ftohtë po bëhet shumë”, Mekolli i tha Gazetës Jeta në Kosovë. 

Rrëfimi i Gëzim Hasanit është tjetër. Ai po ashtu, në të njëjtën kohë, ishte kthyer nga Novi Pazari i Serbisë ku ka jetuar që nga viti 1999. Atij i ndërtohet shtëpia pasi që ka pronë të veten. 

Ai kishte blerë një parcelë të tokës në Plemetin dhe shtëpia i qe ndërtuar nga Danish Refugee Council, DRC.

Kjo organizatë është në bashkëpunim me institucionet kosovare në ofrimin e ndihmës për ndërtimin e shtëpive për të kthyerit.

“Unë kam jetuar në Novi Pazar prej vitit 1999 dhe jam kthyer në vitin 2010. Kaluan dy vite dhe tash po më ndërtohet shtëpia”, Hasani i tha Gazetës Jeta në Kosovë.

Hasani tregon se ka qenë në komunë dhe është interesuar për dy vite për ndërtim të shtëpisë por komuna ishte arsyetuar për mungesë të buxhetit.

Gezim Hasani shpjegon detajet e planit të shtëpisë | Foto: Mihane Mustafa

 

 

 

 

 

 

 

 

 

S’ka parcela të lira

Ministria për Kthim dhe Komunitete, MKK, thotë se komunat duhet tu sigurojnë prona të gjithë të kthyerve të cilët përmbushin disa prej kritereve,

“Të gjithë të kthyerit që nuk kanë prona të tyre, që kanë jetuar në Kosovë në vitin 1998/99 që mund të dëshmojnë se kanë jetuar në Kosovë, në bazë të letrës së Kryeministrit nga viti 2009, komunat duhet tu mundësojnë ndarjen e pronave në shfrytëzim nga këto familje që përmbushin kriteret e parashkruara për ndarjen e ndihmës në procesin e kthimit”, tha Igballe Maloku, nga zyra për informim e MKK-së.

Halil Qerimi, udhëheqës i zyres për komunitete në komunë të Fushë Kosovës, thotë se komuna nuk mund të ofroj zgjidhje për të kthyerit që nuk kanë prona. 

“Nuk ka parcela të lira në komunën tonë”, tha Qerimi duke shtuar se nuk e kishin bërë asnjëherë një gjë të tillë.

Ndërsa komuna e Obiliqit do të shikoj mundësitë e saj për të ofruar ndihmë të kthyerve por njëherë kanë në plan të shqyrtojnë rastet ku toka e komunës është uzurpuar nga persona të ndryshëm.

“Me siguri se do tiu dalim në ndihmë të kthyerve dhe jemi të interesuar që të ketë kthim sa më të shpejtë për të gjithë ata që kanë jetuar këtu. Kosova është shtet i lirë”, tha Predrag Joviq, nënkryetari i komunës së Obiliqit.

Kolegu i tij, Ljubomir Gjorgjeviq, i cili kryeson zyrën për komunitete dhe kthim në komunën e Obiliqit, tha se komuna prej vitit 2010 ka ndërtuar 50 shtëpi për të kthyerit nga komunitetet jo shumicë që përfshijnë serbët, romët, ashkalitë, egjiptianët dhe boshnjakët.

Për 2012, vetëm një shtëpi është ndërtuar nga komuna e Obiliqit edhe pse për këtë vit janë planifikuar të ndërtohen 24 shtëpi. 

“Shumë  e vështirë. Ministria për kthim para nuk ka, po ashtu edhe zyra jonë nuk mund t’i ndihmojmë”, tha Gjorgjeviq. 

“Për të kthyerit nga Serbia të cilët nuk kanë tokë të tyre, për ta kemi disa kontejnerë dhe disa banesa sociale të cilat edhe disa janë të zbrazëta dhe për ndonjë rast i vendosim këtu”, tha Gjorgjeviq.

Ai tha se deri më tani janë 70 familje që janë kthyer dhe nuk kanë prona dhe zgjidhja e vetme për ta janë kontejnerët.