Lehtësia e Një Identiteti Tjetër

Drejtoria e administratës komunale të Kamenicës, në muajin nëntor 2009, kishte nxjerrë një aktvendim me të cilin ia ndërronte mbiemrin B. Poroshticës në B.Rizahi.

Në arsyetimin e vendimit shkruante se aplikantit nuk i pëlqente mbiemri Poroshtica dhe se, sipas tij, familja e kishte marrë atë për shkak të vështirësive gjatë kohës së regjimit serb dhe donte ta kthente mbiemrin që e kishin paraardhësit – Rizahi. 

Për të aplikuar për ndërrimin e mbiemrit, atij i duhej një certifikatë se nuk ishte nën hetime. Gjykata e Kamenicës ia kishte lëshuar atë.

Paraprakisht, Poroshtica e kishte ndërruar edhe vendbanimin nga Gjilani në Koretin të Kamenicës.

foto  
Vendimi për ndërrimin e vendbanimit  

 

z.Poroshtica tani kishte një identitet krejt të ri. Problemi i vetëm është se që nga viti 2007 ai ishte duke u gjykuar në Gjykatën e Qarkut në Gjilan për një vepër të rëndë penale.

Ai së bashku me gjashtë persona tjerë akuzoheshin për kultivim të narkotikëve në një parcelë në komunën e Kamenicës.

Mungesa e një sistemi unik të të dhënave për personat të cilët janë në procedurë penale në gjykatat kosovare ka krijuar mundësinë që persona të cilët janë duke u ndjekur penalisht ta ndryshojnë emrin dhe mbiemrin.

Edhe pse ligji për emrin dhe mbiemrin e potencon qartazi që emrin dhe mbiemrin nuk kanë të drejtë ta ndërrojnë personat që kanë precedentë penale, rasti i hulumtuar nga Gazeta Jeta në Kosovë shpërfaqë se të paktën B.Poroshtica arriti ta bënte këtë.

Qytetari i lindur më 3 shkurt 1975 në Gjilan, gjatë kohës kur po gjykohej në Gjykatën e Qarkut të këtij qyteti për kultivim të narkotikëve, ka arritur që në zyrën e gjendjes civile në Kamenicë, në nëntor të 2009-tës, ta ndërronte mbiemrin e tij nga Porushtica në Rizahi.

Kjo ishte mundësuar falë defekteve në menaxhimin e të dhënave për të kaluarën e mundshme kriminale të atyre që gjykohen në gjykatat kosovare. Porushtica, kishe arritur me certifikatën e gjykatës së Kamenicës të “dëshmonte” se ai nuk ndiqej penalisht.

Para se të aplikonte për ndërrimin e emrit dhe për të marrë certifikatën që nuk ishte nën hetime, Porushtica kishte qenë banor i komunës së Gjilanit. Mirëpo sigurimi i një certifikate se nuk ishte nën hetime në gjykatën e Gjilanit – që i duhej për ta ndërruar mbiemrin – ishte e pamundur pasi ajo kishte të dhëna se Porushtica ndiqej penalisht.

Për t’iu shmangur kësaj, Porushtica kishte ndërruar vendbanimin e tij nga komuna e Gjilanit në Kamenicë.

Pastaj ai kishte marrë një dëshmi nga Gjykata Komunale e Kamenicës se nuk ishte nën hetime dhe kishte aplikuar në zyrën e gjendjes civile për ta ndërruar mbiemrin.

foto  
Ish-përgjegjësi i gjendjes civile në Kamenicë  

 

Ish-udhëheqësi i gjendjes civile në komunën e Kamenicës, Selami Rexhepi, thotë për Gazetën Jeta në Kosovë se ndërrimi i mbiemrit tek ky person lejohej pasi ai dëshmoi para zyrtarëve se nuk ndiqej penalisht.

Referenti i gjykatës komunale të Kamenicës, Musa Ahmetaj, thotë se kjo gjykatë nuk ka të dhëna për të kaluarën kriminale të qyteteve të tjera dhe fakti se qytetari e ka ndërruar vendbanimin e ka vënë në lajthitje gjykatën e cila ka ofruar edhe dëshminë se ai nuk ndodhej nën hetime.

“Ne nuk kemi pasur njoftim se ndaj këtij qytetari ka pasur procedurë penale për shkak se ai ka qenë banor i Gjilanit. Sipas të gjitha gjasave, ky banor ka tentuar të marrë certifikatë në Gjilan, mirëpo pasi i është pamundësuar ai e ka ndërruar vendbanimin dhe e ka vënë në lajthitje gjykatën tonë”, thotë Ahmetaj.

Administratorja e Gjykatës Komunale të Kamenicës, Valbona Dovërbeli, thotë se mosfunksionimi i një sistemi unik të menaxhimit të të dhënave në gjyqësor mundëson paraqitje të rasteve të këtilla. “Në mungesë të një sistemi të të dhënave është mundësuar që një i dyshimtë me ndërrim të vendbanimit nga një qytet në tjetrin të vijë dhe të marrë në gjykatën tonë dëshmi se nuk është nën hetime, pasi që ne nuk i kemi të dhënat e qyteteve të tjera”.

Sipas saj, raste të tilla kur të dyshuarit ndërrojnë emrin apo mbiemrin mund të ndodhin me qëllim që t’i iket përgjegjësisë penale.

Zyrtarët e gjendjes civile në Komunën e Kamenicës kanë pranuar se kanë zhvilluar procedurën në të cilën kanë ndërruar mbiemrin e Porushticës, mirëpo, sipas tyre, ata nuk kanë qenë në dijeni se ky i pandehur kishte lëndë penale në gjykatë.

Gazeta ka kontaktuar me ish-udhëheqësin e gjendjes civile në komunën e Kamenicës, Selami Rexhepi, i cili e kishte udhëhequr procedurën e ndërrimit të mbiemrit për Porushticën.

Ai tha se nuk ishte në dijeni se Porushtica ishte duke u gjykuar. “Ne kemi pranuar dëshminë e lëshuar nga gjykata se ai nuk ishte nën hetime dhe kjo na ka mjaftuar”, thotë Rexhepi.

foto  
Enver Ajvazi  

 

Ndërsa shefi i tanishëm i gjendjes civile në Kamenicë, Enver Ajvazi, është i çuditur me faktin se të dhënat e gjyqësorit të cilat dëshmojnë të kaluarën kriminale mund të mos jenë të sakta. “Certifikata e hetimeve për ndërrim të mbiemrit kërkohet. Jam i çuditur që gjykatat nuk i kanë ato të dhëna”, tha Ajvazi.

Por, ai pranon se në rastet kur ndërrohet vendbanimi, gjendja civile nuk kërkon të dhëna për të kaluarën e mundshme kriminale.

Gazeta ka tentuar të kontaktojë me të panderin Poroshtica , i cili e ka ndërruar mbiemrin e tij, por intervistimi i tij ka qenë i pamundur pasi ai për momentin ka thënë se ndodhet jashtë vendit.

Babai i Poroshticës thotë se arsyeja e vetme e ndërrimit të mbiemrit të tij ka qenë punësimi. Ai ka theksuar se djali i tij gjithmonë i është përgjigjur seancave gjyqësore.

Gazeta po ashtu ka kontaktuar me gjyqtarin Vllasimir Dimiq në gjykatën e Qarkut të Gjilanit i cili është duke gjykuar lëndën e Poroshticës.

Dimiq tha se i pandehuri i është përgjigjur në vazhdimësi ftesave të gjykatës.

Mirëpo gjykatësi nuk ka qenë në dijeni se i pandehuri ka ndërruar mbiemrin e tij. “Ne si gjykatë nuk kemi të dhëna se i pandehuri Poroshtica ka ndërruar mbiemrin. Ai në senacat gjyqësore po paraqitet me mbiemrin e vjetër”, tha gjyqtari Dimiq.

foto  
Vendimi se Poroshtica nuk ishte duke u ndjekur penalisht  

 

Qytetari “zbuloi” se kishte marrë pjesë në rrahje

Mungesa e të dhënave të sakta nga ana e gjykatave po shkakton huti dhe humbje kohe për një numër qytetarësh.

Qytetari i Vushtrrisë, Enver Aliu, ishte ftuar dy herë gabimisht në emër të dikujt tjetër nga Gjykata Komunale e këtij qyteti.

“Dy herë më kanë thirrur, një herë në vitin 2005 dhe herën e dytë në vitin 2010. Problemi këtu është se ne jemi 3 persona me emër dhe mbiemër të njëjtë”, thotë Aliu. “Në vitin 2005 mua më erdhi thirrja urgjente që të paraqitem në gjykatë. Kur shkova atje, e mora vesh se unë gjoja kisha qenë pjesëmarrës në një rrahje”.

 

 

“Në vitin 2005 mua më erdhi thirrja urgjente që të paraqitem në gjykatë. Kur shkova atje, e mora vesh se unë gjoja kisha qenë pjesëmarrës në një rrahje”. Enver Aliu

 

Ky qytetar thotë se në këtë lëndë nuk kishte kurrfarë të dhëna të cilat vërtetonin se ishte pikërisht ai personi për të cilin bëhej fjalë. “Kjo thirrje nuk kishte as numër personal, as datëlindje apo rrugë”.

E megjithatë gjykatësi i këtij rasti kishte përdorë një trik për të vërtetuar pohimet e Aliut. “Ai për ta vërtetuar se a jam unë ai Enveri, doli në korridor dhe me telefon tentoi të më thërras për të vërtetuar se a ishte numri im. Dhe e pa se ishte gabim”, pohon Aliu.

Pesë vjet më vonë ky qytetar thotë se përsëri ishte ftuar nga po e njëjta gjykatë gabimisht lidhur me një blerje të një automjeti.

Sipas thirrjes, ai nuk i ishte përmbajtur kontratës së nënshkruar.

Aliu nuk kishte as leje të vozitjes, e as automjet.

Zyrtari i IT-së në Këshillin Gjyqësor të Kosovës, Fatmir Selimi, pranon se KGJK-ja ka probleme të këtij lloji.

Por, ai thotë se këto probleme do të zgjidhen pas tri viteve, pas funksionalizinit të sistemit të tekonologjisë informative.

“Teknikisht sistemi është funksional. Disa gjykata i kanë mbi shumicën e lëndëve të regjistruara në sistem por ato mbesin vetëm në sistem, mirëpo ne iu kemi ofruar mbështetje”.