Çanta ia Shtrembëroi Kurrizin

D. Rexhepi tregon se ka gjithsej 13-të lëndë në shkollë, me plot 21-një libra obligative.

Nga e hëna në të premte, ajo mban nga pesë ose gjashtë orë mësimi për të cilat në çantën e saj ajo duhet të bartë afërsisht shtatë ose tetë libra, përfshirë këtu edhe fletoret si dhe mbathjet e shkollës.

Çanta e D. Rexhepit ka zakonisht rreth 8 kg. Tani, pas një kohe që kur e bartë atë, çanta i ka krijuar probleme me boshtin kurrizor.

Nëna e vajzës Xh. Rexhepi (nuk ka dashur t’i përmendet emri i plotë, për shkak të frikës se vajza mund të ndjehet keq nga fjalët që mund të dëgjoj prej shoqërisë në shkollë e gjetiu) tregon se në fillim të shtatorit vajza ishte ankuar se kishte dhimbje në pjesën e  kurrizit.

D. Rexhepi nuk ishte dërguar menjëherë për trajtim mjekësor. Familja nuk dyshonte për diçka serioze.

Por në këtë shkollën ka mjekë të cilët u bëjnë fëmijëve kontrolla të zakonshme. Më 9 tetor të këtij viti, pasi vajza ishte kontrolluar nga pediatrja e shkollës, ajo ishtë udhëzuar që të bënte një vizitë tek fizioterapeuti. 

Nëna e saj, më 10 tetor, e kishte dërguar tek mjeku. Vajza ishte diagnostifikuar me “shtrembërim minimal të kurrizit pa shenja për ndryshime të tjera”, shkruan në raportin e mjekut.

Nëna e vajzës, Xh. Rexhepi, tregon se edhe para katër vitesh e kishte ngritur këtë problematikë, atëherë kur vajza e saj nuk kishte probleme, por se askush nuk kishte ndërmarrë asgjë.

“Fatmirësisht skolioza e vajzës është në fazën fillestare, për shkak se e zbuluam herët”, tha Xh. Rexhepi për Gazetën Jeta në Kosovë. “Por kjo do të na kushtojë, vajza duhet të mbajë rreth 15 seanca të cilat janë edhe rrezatuese”.

Ajo nuk beson që gjendja do të ndërrojë shumë edhe pas mjekimit për vajzën dhe fëmijët tjerë, sepse ata, thotë ajo, prapë do të bartin çanta të peshës më të madhe se që duhet.

“Fëmijët e qytetit i kanë këto probleme, edhe pse i kanë shkollat shumë afër, por çfarë ndodhë me fëmijët që jetojnë nëpër fshatra e që ecin me kilometra, të cilët nuk e kanë fatin e vajzës sime, ta kenë mjekun në shkollë?”, tha Rexhepi.

Hazife Rafuna, pediatre në shkollën “Hasan Prishtina”, thotë se gjatë kontrollave të rregullta që ka bërë këtë vit, në klasat e shtata të kësaj shkolle, ka parë se është rritur numri i fëmijëve që kanë probleme me boshtin kurrizor.

“Jam e shqetësuar me rastet që i kam udhëzuar për ta vizituar fizoiterapeutin”, tha Hazife Rafuna, për Gazetën Jeta në Kososvë. “Prej pesë klasave sa kam kontrolluar, unë kam vërejtur nëntë raste të cilat kryesisht kanë qenë vajza”.

Xh. Rexhepi, është e habitur se si institucionet nuk ndërmarrin asgjë për ndërrimin e planit mësimor, edhe pse Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, gjatë vitit 2011, kishte paguar studimin e autorit Ismet Potera, i cili ka treguar se sa duhet të jetë ngarkesa fizike e nxënësit në raport me peshën dhe moshën e fëmijëve.

Studimi nuk është marrë në mënyrë serioze ashtu që të zbatohen rekomandimet, thotë Xh. Rexhepi. “Përpos që e kemi vendin e parë në Europë për analfabetizëm, tash Ministria po ‘prodhon’ edhe fëmijë me probleme shëndetësore, shkaku i papërgjegjësive të saj”.

Studimi të cilin e ka bërë autori Potera, për të cilin gazeta Jeta në Kosovë ka shkruar edhe në fillim të vitit 2012, ka dhënë rezultate jo të mira për nxënësit e klasave të para. Po ashtu, fëmijët e klasave të pesta dhe të teta mbajnë çanta mbi kufirin e lejuar.

Tek nxënësit e klasës së parë ishte vërejtur se çantat shkollore peshonin prej një deri në mbi tre kilogramë dhe se mbi 90 për qind e fëmijëve e bartin atë në shpinë.

Sipas standardeve të përcaktuara nga Organizata Botërore e Shëndetit, ngarkesa fizike tek fëmijët nuk guxon të kalojë 10 përqindëshin e peshës trupore të fëmijëve.

Ministria nuk bart përgjegjësi për dëmtimet e kurrizit

Arbër Morina, shef i kabinetit të ministrit të arsimit dhe këshilltar i tij, tha se ministria aprovon tekstet ose burimet mësimore, por nuk obligon se të gjitha ato duhet të merren me vete.

“Mësuesi e prindi duhet të merren me çështjen e orarit të mësimeve dhe ngarkesave ditore të tyre”, tha ai.

Morina shtoi se MAShT shqetësohet për çfarëdo problemi që dëmton shëndetin e nxënësit, por se për çështjen e dëmtimeve të kurrizit “nuk mund të bart përgjegjësi”.

“Nuk është vetëm problemi i bartjes së çantës, por edhe mënyra si bartet, lloji i çantës, mënyra e uljes në banka, qëndrimi në shtëpi etj”, tha ai. “MAShT e ka të pamundur që të menaxhojë edhe klasën, çantë etj”.

Ai tha se në bashkëveprim edhe me minsitritë e linjes në MAShT mendohet se duhet të bëhet vetëdijesim dhe se në të gjitha takimet, seminaret, trajnimet etj., ekspertët e ministrisë japin udhëzime e sugjerime se si duhet vepruar për të shmangur këto probleme.

“Politikat e Qeverisë për digjitalizim të shkollave do të ndihmojnë shumë në zvogëlimin e sasisë së mjeteve mësimore, pra edhe librave dhe fletoreve të tepërta”, tha Morina. “Po ashtu MAShT  përmbush me përpikëri kërkesat e ekspertëve dhe standardet pedagogjike të vendosur nga institucionet vendëse dhe ndërkombëtare”.