Qeveria Nuk Tregon Totalin e Prokurimeve Sekrete

Kosova nënshkruan rreth gjysmë miliardë euro kontrata publike në vit, por shifrat mund të jenë edhe më të larta pasi qeveria lejon edhe prokurime sekrete kur ato kualifikohen në interes të sigurisë në vend. 

Derisa mjetet harxhohen nga arka e shtetit, fituesi i tenderit dhe malli që blihet mbahen sekrete. Shpenzimet bëhen duke mos zbatuar ligjin e prokurimit publik (LPP) dhe pa u mbikëqyrë nga institucionet kompetente të prokurimit. Nevojitet vetëm aprovimi i Qeverisë.

Jo më larg se më 12 shtator 2012, Qeveria nën drejtimin e Kryeministrit Hashim Thaçi ka dhënë pajtimin për përjashtim nga fushëveprimi i ligjit të prokurimit për shkak “të sekretit të ligjshëm dhe interesat e sigurisë së vendit”, kërkesën për shërbime të veçanta të pranuar nga Ministria e Punëve të Brendshme(MPB), të datës 27 korrik 2012. Në vendim nuk jepet asnjë detaj shtesë.

Më herët, më 13 prill 2012, Qeveria mori vendim të njëjtë edhe për një kërkesë të MPB-së si dhe aprovonte Listën e Autorizuar për vitin 2012 për pajisje për qëllime të veçanta që e klasifikonte si “konfidenciale”.

Përjashtim nga ligji i prokurimit i ishte siguruar edhe Ministrisë së Forcës së Sigurisë së Kosovës (MFSK) në lidhje me kërkesën e saj të datës 8 mars 2012 nr.534/2, për të njëjtat arsye.

Përpos Ministrisë së Punëve të Brendshme, tenderët e Agjencisë Kosovare të Inteligjencës (AIK), nuk publikohen në ueb faqen zyrtare të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRRPP), me arsyetimin e njëjtë.

Edhe objekti i ri i Agjencisë Kosovare të Inteligjencës, i cili planifikohet të kushtojë rreth 5 milionë euro, po ndërtohet nga kontraktorë që nuk janë zgjedhur duke pasur nevojë të zbatohet ligji për prokurimin. Gazeta JnK më herët ka shkruar se këtë objekt është duke e ndërtuar kompania “Ing Enginering”, e afërt me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK) në pushtet.

Përjashtimet e tilla parashihen në nenin 3 të ligjit të prokurimit ku thuhet se autoriteti kontraktues nuk do të kërkohet që të veprojë në përputhje me ndonjë procedurë të veçantë të prokurimit, apo të respektojë dispozitat e ligjit mbi transparencën gjer në shkallë kur përputhshmëria dhe respektimi do ta kompromitonin sekretin e ligjshëm, ose interesat e sigurisë gjatë kryerjes së aktiviteteve të prokurimit për dhënien e një kontrate publike.

Ilaz Duli nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik thotë se te prokurimet e tilla që klasifikohen si sekrete, nuk dihet kush e fiton tenderin, çfarë malli blihet dhe nuk ka asnjë ankesë. “Për këto vendos një grup punues i caktuar nga institucioni që kërkon të përjashtohet nga fushëveprimi i ligjit”, shprehet Duli. 

Kështu prokurimet sekrete nuk figurojnë as në raportet e rregullta të prokurimeve publike që përgatiten nga Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik(KRPP), e as në raportet e Zyrës së Auditorit të Përgjithshëm.

Në Zyrën e Auditorit të Përgjithshëm thonë se në auditimet e viteve paraprake nuk kanë në hasur në raste të përjashtimit të institucioneve nga Ligji i Prokurimit Publik, ndërsa auditimet për këtë vit vetëm sa kanë filluar.

“Raportet e auditimit për këtë vit do të publikohen vitin tjetër”, thotë Ilire Daija-Buza, kryesuese e Kabinetit të Auditorit të Përgjithshëm .

E pyetur në lidhje me vendimin e fundit të Qeverisë, përkatësisht të 12 shtatorit 2012, për përjashtim nga ligji të një aktiviteti të prokurimit të ministrisë së brendshme, Daije-Bua tha se faza e parë e auditimit ka filluar edhe në këtë ministri.

“Gjatë auditimit të rregullsisë së kësaj Ministrie do të përcillet mënyra se si e kanë shpenzuar buxhetin e tyre, përfshirë mënyrën e prokurimit. Çështjet që kanë të bëjnë me vitin 2012 do të trajtohen gjatë këtij sezoni të auditimit. Raporti final i auditimit për këtë Ministri do të publikohet më së voni në Qershor të vitit 2013”, ka shtuar Daija-Buza.

Sipas saj, sezoni i auditimit 2012/13 ka filluar në shtator të këtij viti dhe se zyra e auditorit ka planifikuar të kryejë rreth 110 auditime.

As zyrtarët e Ministrisë së Financave, e cila është përgjegjëse për të hyrat dhe shpenzimet buxhetore të institucioneve, nuk i bëjnë të ditur se sa para shpenzohen në prokurime sekrete.

Menderes Ibra, këshilltar i ministrit Bedri Hamza, tha për Gazetën Jeta në Kosovë se shpenzimet në prokurimet sekrete nuk janë kompetencë e MF. “Ato janë kompetencë e e organeve dhe e institucioneve përkatëse bazuar në ligjet që rregullojnë materien në fjalë”, thotë Ibra.

Drejtori ekzekutiv i Institutit “Riinvest”, Lumir Abdixhiku, pajtohet që një pjesë e buxhetit të shtetit mos të bëhet publike, meqë, siç thotë ai, shteti duhet të financojë aktivitetet sekrete. “Janë disa aktivitete të inteligjencës, për të cilat në një shtet normal nuk do të duhet t’i dijë gjithkush”, shprehet Abdixhiku.

Mirëpo Abdixhiku thotë se Ministria e Financave do të duhej ta japë shumën bruto të prokurimeve sekrete, përderisa kjo nuk e zbulon qëllimin e aktiviteteve.

Fidan Kalaja, menaxher i programeve në Lëvizjen “Fol”, thotë se lejimi i prokurimeve të këtilla i jep mundësinë Qeverisë që të përjashtojë nga fushëveprimi i ligjit të prokurimit aktivitetet e caktuara “me çka vihet në dyshim transparenca e shpenzimit të parasë publike”.

Sipas tij, sektori i prokurimit është njëri nga burimet kryesore të gjenerimit të korrupsionit në Kosovë.

Ligjin e Prokurimit Publik nuk e zbaton as Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK), jo për shkak të ruajtur interesat e sigurisë në vend, por se ka hartuar rregullat e veta të prokurimit, bazuar në Ligjin mbi BQK-në.

Besnik Kada, zëdhënës i BQK-së, thotë se këto prokurime zbatohen në përputhje me parimet e përgjithshme të transparencës, qasjes së barabartë dhe trajtimit të barabartë, si dhe me parimet e mosdiskriminimit e konkurrencës së drejtë.

Kada shtoi se zbatimi i proceseve të prokurimit auditohet nga shefi i auditimit të brendshëm të BQK-së dhe auditori i jashtëm.

Tenderët më të kushtueshëm të BQK-së gjatë këtij viti kanë qenë një furnizim me trezorë modularë të sigurisë së lartë i cili ka kushtuar rreth 65 mijë euro dhe që e ka fituar kompania “Protec”nga Prizreni, një furnizim me pajisje për arkën dhe trezorin të cilin e ka fituar kompani kroate “EXOR” në vlerë prej 42 mijë eurosh si dhe një për shërbime të auditimit të jashtëm të pasqyrave financiare të BQK-së për periudhën 2011-2013 që e ka fituar  “Grant Thornton” nga Prishtina në vlerë prej 51 mijë euro.

Kontratat e negociuara

Në bazë të raportit vjetor të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP), gjatë vitit 2011 në tërë Kosovën janë nënshkruar 12310 kontrata publike sipas ligjit për prokurim.

foto  
Të dhënat e KRPP-së  

 

Ato kishin vlerën e 552,150,768 eurove.

Më 2010, ishin nënshkruar kontrata në vlerë 482,068,848 euro, ndërsa më 2009 në vlerë të         778,153,515 eurove.

Në vitin 2011, 6.1 për qind e totalit të vlerës së kontratave kishin qenë të negociuara.