Kryetari Paralel Udhëton me Veturë Zyrtare Kosovare

Më 16 dhjetor 2011, shtatëdhjetë e dy orë pasi ishin ndaluar në pikën kufitare të Jarinjës, 25 kamionë që transportonin rreth 300 tonë ndihma humanitare nga Rusia për serbët e Kosovës kishin arritur në desteniacionin e vet, në depon e Kryqit të Kuq (të Serbisë) në Zveçan.

Ndihmat përfshinin ushqime, çadra, batanije e karburante dhe ato ishin menduar t’iu dorëzohen familjeve serbe që jetojnë në Kosovë.

Një vit më vonë, Boban Jeftiqi, kryetar i komunës paralele të Kamenicës që financohet nga Serbia dhe që ka zyrën në Ranillug, më 16 janar 2012, merr rrugë për në veri për të dërguar një listë të banorëve të fshatit Ropotovë që kishin nevojë për këto ndihma.

Jeftiq, i komunës paralele, merr një veturë nga komuna e Ranillugut e ngritur më 2010 si pjesë e planit gjithëpërfshirës për statusin të ish-ndërmjetësit Martti Ahtisaari.

“Nuk e kam vozitur vetë veturën dhe atë e kam kërkuar në cilësi të qytetarit të komunës së Ranillugut e jo si kryetar i Kamenicës. Shkova për nevoja që ishin në interes të qytetarëve”, tha Jeftiq për Gazetën Jeta në Kosovë. “Nuk është hera e parë që vozitem me vetura zyrtare. Edhe më herët kam udhëtuar me vetura të qeverisë por edhe të zyrës për komunitete”.

Jevtiq tha se në veri kishte kërkuar ndihmë rreth rregullimit të një përroi të Ropotovës.

Por i pyetur se përse në urdhëresën për shfrytëzimin e veturës zyrtare, figuron “zyrtari Boban Jeftiq…”, ai u përgjigj: “Ka qenë një gabim dhe as që e kam shikuar se si shkruan aty”.

Edhe kryetari i Ranillugut, Gradimir Mikiq, thotë se vetura i ishte dhënë Jeftiqit si një prej përfaqësuesve të fshatit Ropotovë.

“Nuk ia kam dhënë si kryetar , sepse kryetar jam unë dhe atë nuk e njoh si kryetar”, tha Mikiq. “Qëllimi ka qenë me i dërgu disa lista me nevoja të qytetareve serbe të kësaj pjese me që kishte një donacion nga Rusia dhe kjo listë është përpiluar nga ana e përfaqësuesve të Kishës”.

Ai tha se dhënia e veturës Jeftiqit nuk është në kundërshtim me asnjë ligj pasi aty “nuk pa pasur asnjë interes” jo-publik. “Për shembull, çfarë interesi kam unë që në mënyrë të organizuar e bëjmë bartjen e nxënësve shqiptarë për në shkollë nga Ranillugu në Kamenicë , apo veturën ia japim në shfrytëzim klubit të futbollit. S’po shoh gjë të keqe”.

Një rregullore e Qeverisë së Kosovës, e korrikut 2007, modeli i së cilës aplikohet nga disa komuna në urdhëresat e tyre (si për shembull nga Shtërpca), thotë se automjetet zyrtare “shërbejnë për kryerjen e detyrave zyrtare dhe përdoruesit e tyre duhet t’i shfrytëzojnë ato në mënyrë sa më ekonomike dhe efikase”.

Nuk figuron se komuna e Ranillugut ka rregullore përkatëse dhe as që Jeftiqi është zyrtar i saj.

Po ashtu, ligji për parandalimin e konfliktit të interesit, nuk lejon zyrtarin publik përmes nenit 11 që të (x) “ndërmarr veprime të cilat në ndonjë mënyrë do t’i përshtaten interesit personal të tij apo interesit të personave të afërt” dhe (xi) “të ndërmarr veprime të cilat në ndonjë mënyrë do t’i përshtaten apo do të favorizonin interesin privat të ndonjë personi tjetër në dëm të interesit publik”.

Që të dy, Mikiqi dhe Jeftiqi, thonë se në këtë rast janë marrë me interesin e qytetarëve.

Madje kryetari paralel i Kamenicës, Boban Jefqit, tha se organet e Republikës së Serbisë duhet të merren me serbët kosovarë që pranojnë pagesa të dyfishta – nga Beogradi dhe Prishtina.

“Nuk kam ndikim në aspektin ligjor për tua ndaluar pagat e dyfishta, se sikur të kisha do tua ndaloja”, tha Jeftiq. “Nuk jam i kënaqur me disa serbë që janë pasuruar në mënyra të ndryshme dhe të njëjtit kanë blerë pasuri në Serbi e disa të tjerë jetojnë në kushte të këqija”.