Nis “Haxhi Zeka”. Ligjin e Buxhetin Më Vonë

Kosovës iu shtua edhe një universitet publik, i treti me rradhë pas atij të Prizrenit, që ende dy vjet pas themelimit nuk po mund të kthjellet, e atij të Prishtinës të cilit me protesta në kërkim të kushteve më të mira studentët nuk po ia lëshojnë derën.

Më 1 Tetor 2012 u hap Universiteti Publik i Pejës “Haxhi Zeka”.

Ai është akredituar nga Agjencia e Akreditimit e Kosovës (AAK) më 9 korrik 2012 por akreditimi i tij është duke u kontestuar dhe mund të jetë në kundërshtim me ligjin për arsimin e lartë. 

Neni 10, pika 2 e këtij ligji, përcakton kushtet që duhet plotësuar një bartës i arsimit për hapjen dhe përdorimin e emrit “Universitet”. 

Aty thuhet se “…emërtimi ‘Universitet’, mund t’i jepet vetëm atij bartësi të akredituar të arsimit të lartë, që ka ofruar kurse apo programe të akredituara për së paku pesë vjet…”.

Sipas dokumentit të akreditimit, të cilën e posedon Gazeta Jeta në Kosovë, ky universitet është akredituar vetëm për periudhë një vjeçare — nga 1 tetori deri më 30 shtator 2013 — dhe jo ashtu siç parshihet me ligjin për arsimin e lartë. (shih dokumentin) 

Kryetarja e Këshillit Shtetror të Cilësisë, Ferdije Zhushi Etemi, nënshkrimi i së cilës figuron në vendimin për akreditimin e universitetit publik të Pejës, thotë se janë bazuar në vendimin e Ministrisë së Arsimit për themelimin e këtij universiteti dhe se “kjo mjafton”. 

“Asgjë nuk është në kundërshtim me ligjin sepse asnjë universitet nuk bëhet për një ditë”. 

Zhushi-Etemi thotë se AAK-ja kërkon të përmbushen disa parakushte që “Haxhi Zeka” të akreditohet për pesë vjet. Akreditimi i tij është bërë si “universitet në themelim e sipër”, ka shtuar ajo. 

Sa i përket nenit 10 të ligjit për arsimin e lartë, Zhushi thotë se ky nen ka të bëjë me “programe të doktoratës”. Por në ligjin për arsimin e lartë nuk gjendet ky specifikim. 

Zhushi nuk ka sqaruar për Gazetën Jeta në Kosovë nëse ka ndonjë bazë tjetër ligjore me të cilën parashihet emërimi i institucioneve të larta publike si “universitete” edhe nëse nuk janë të akredituara për të paktën pesë vite.

Themelohet pa aprovimin e Kuvendit të Kosovës

Gjithë themelimi i këtij universiteti, mbështetet vetëm mbi vendimin e ministrit të arsimit Ramë Buja, i cili sipas dokumenteve që posedon Gazeta Jeta në Kosovë është nënshkruar në nëntor 2011. (shih dokumentin)

Për marrjen e një vendimi të tillë MASHT-in e obligon ligji për arsimin e lartë, përkatësisht neni 9, i cili poashtu dyshohet se është shkelur.

Sipas këtij neni “bartësit publikë të arsimit të lartë mund të krijohen vetëm me vendimin e Ministrisë, i cili duhet të ratifikohet nga Kuvendi”.

Vendimi i MASHT-it për themelimin e universitetit publik në Pejë nuk është ratifikuar në Kuvendin e Kosovës, ani pse ai është marrë rreth një viti më herët. Kuvendi i Kosovës  duhet ta ratifikojë atë me shumicën e votave të deputetëve, por një veprim i tillë ende nuk ka ndodhur. 

Ai i është dërguar Zyrës së Kryeministrit, të cilët duhet ta procedojnë në Kuvend për ratifikim, vetëm pesë ditë para se të përurohej universiteti, më 25 shtator 2012. 

Por vendimi ende as nuk është shqyrtuar nga Qeveria e Kosovës, saktësisht nga Zyra e Kryeministrit. 

Fitim Krasniqi, Sekretar i  Përgjithshëm në Zyrën e Kryeministrit, konfirmon për Gazetën Jeta në Kosovë se ata e kanë pranuar këtë vendim nga Ministria e Arsimit. 

“Po, e kemi marrë atë vendim, por nuk e kemi proceduar në Kuvend për ratifikim sepse duhet bërë disa sqarime ligjore nga Zyra e Kryeministrit. Ka shumë çështje që duhet sqaruar në këtë vendim”, thotë Krasniqi.

“Vonesa e procedimit ka ndodhur edhe për shkak të vizitës në SHBA të disa zyrtarëve të kabinetit qeveritar. Shpresoj shpejt do të merremi me këtë çështje”, thotë ai.

Vendimi për këtë universitet nuk ka shkuar në Kuvendin e Kosovës, konfirmon Ismet Krasniqi, sekretar i përgjithshëm në Kuvendin e Kosovës. 

“Deri më 1 tetor 2012, nuk kemi pranuar një vendim të tillë”, thotë Krasniqi për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ministria e Arsimit pret që Kuvendi do të ratifikojë vendimin e saj.

Arbër Morina, këshilltar i Ministrit të Arsimit Ramë Buja, thotë se pas marrjes së vendimit për themelim të këtij universiteti, Kuvendi i Kosovës do ta ratifikojë vendimin. I njëjti është në procedurë në Qeveri e cila do ta përcjellë në Kuvend.

 
Ministri Ramë Buja përuron hapjen e universitetit | Foto: masht-gov.net

Akreditimi pa status të sqaruar  

Paqartësi tjetër lidhur me themelimin e universitetit të Pejës është fakti se ai është akredituar nga Agjencia e Akreditimit të Kosovës, edhe pse kjo agjenci e ka pranuar se statusi ligjor i “Haxhi Zekës” është i pa sqaruar. 

Në vendimin e AAK-së thuhet se “…akreditohet Universiteti në themelim ‘Haxhi Zeka’ në Pejë në nivel institucional për periudhë 1 vjeçare (1 tetor 2012-30 shtator 2013) me kusht që brenda kësaj kohe të sqarohet statusi i tij ligjor”.

Statusi ligjor i tyre përcaktohet me statutin të cilin duhet të posedojë çdo institucion i lartë arsimor.

“Statuti duhet të miratohet në Kuvend. Draftet janë, kështu që ata kanë pasur një statut të përkohshëm. Ne u kemi vënë kusht ratifikimin”, thotë Zhushi-Etemi për Gazetën Jeta në Kosovë.  

Për ta sqaruar statusin ligjor, Agjencia e Akreditimit të Kosovës i ka dhënë afat Universitetit “Haxhi Zeka”,  ta bëjë këtë deri me 30 shtator të vitit 2013. 

“Me kusht që të miratohet statuti dhe të ketë zhvillim. Përndryshe, ky është akreditim preliminar e jo i plotë. Është në themelim dhe ne e quajmë akreditim preliminar. Sipas procedurave tona gjithçka është në rregull”, thotë ajo. 

Në vendimin për akreditim të “Haxhi Zekës” nga AAK-ja,  askund nuk figuron fjala “preliminar” apo “paraprak”. 

Zhushi-Etemi thotë se nëse “Haxhi Zeka” dështon të plotësojë kushtet që i kërkohen brenda një viti,  agjencia  tërheq vendimin dhe gjithçka kthehet siç ka qenë.

Në rast të tillë, studentët do të jenë pjesë e Fakultetit të Biznesit të Universitetit të Prishtinës në Pejë, ashtu siç ka qenë. 

“Nuk është themelu diçka e re. Faktikisht shumica e programeve veç kanë ekzistuar në Fakultetin e Biznesit në Pejë”. 

Sipas Zhushit në Pejë ka “më pak probleme” se sa që kishte në Prizren, kur atje u themelua universiteti. 

“Te Peja kemi më pak probleme se në Universitetin e Prizrenit, për shkak se është shndërrim i një Fakulteti në Universitet”, thotë ajo. 

Universitetet Private të diskriminuara 

Emërtimi i institucionit më të ri arsimor në Kosovë si “universitet” është cilësuar si diskriminim ndaj institucioneve arsimore private, të cilat shumica quhen kolegje, dhe nuk kanë mundur të përfitojnë të njëjtin emërtim nga Agjencia e Akreditimit.

“Ne e kemi akredituar këtë si universitet për shkak se qeveria nuk themelon kolegje”, thotë Zhushi-Etemi, kur pyetet nëse akreditimi si Universitet i “Haxhi Zekës” është diskriminim në raport me kolegjet private.

Emrush Ujkani, prodekan në Fakultetin Juridik në kolegjin UBT thotë se disa nga kolegjet universitare, i plotësojnë kërkesat e parapara me Ligjin për Arsimin e Lartë, që të emertohen si universitete. 

“Disa nga këto kolegje tani ofrojnë programe akademike më shumë se dhjetë vjet, kanë kaluar rregullisht nëpër procesin e akreditimit të Agjencisë për Akreditim të Kosovës”, thotë Ujkani për Gazetën Jeta në Kosovë. 

Ai nuk është kundër pse disa institucione përnjëherë u jepet emri “Universitet”, por kërkon që ligji të interpretohet në mënyrën e drejtë dhe jo diskriminuese. 

Emërtimi “universitet” nuk u është dhënë institcioneve tjera “përkundër faktit se këto kanë kanë krijuar edhe infrastrukturë shtesë për ofrimin e kushteve më të mira për studime”, thotë Emrush Ujkani. 

Edhe Shemsedin Vehapi, zëvëndësrektor dhe prorektor për çështje akademike në kolegjin AAB, thotë se në këtë rast nuk mendon se ligji zbatohet në mënyrë të barabartë për të gjithë.

“Ishte dashur që institucionet të shihen e vlerësohen barabartë. Nëse AAB me gjithë këto programe të akredituara, infrastrukturë e kushte të tjera nuk mund të emërtohet Universitet, si mundet një i sapo themeluar të quhet i tillë”, thotë Vehapi për Gazetën Jeta në Kosovë. 

“Në këtë rast nuk shoh barabartësi”.

Buxheti i Kosovës nuk ka ndarë mjete financiare për Universitetin e Pejës

Në buxhetin e Kuvendit të Kosovës për vitin 2012, nuk është parashikuar asnjë cent për Universitetin “Haxhi Zeka”, ndryshe nga ai i Prishtinës i cili ka mbi 27 milionë euro dhe i Prizrenit mbi 3 milionë euro. 

Lidhur me mënyrën e financimit të këtij universiteti, këshilltari i MASHT-it Arbër Morina pret që do t’i ndihmojë Qeveria.

“…Buxheti, një pjesë i jepet nga Universiteti i Prishtinës mbi bazën e numrit të studentëve dhe një pjesë nga Qeveria”, thotë ai. Sipas tij, universiteti i Pejës më parë ka qenë pjesë ose ka pasur disa njësi akademike të Unversitetit të Prishtinës.

Mos sqarimi i kostos financiare është një arsye tjetër pse Qeveria ende nuk e ka proceduar vendimin në Kuvendin e Kosovës.

Sipas sekretarit të përhershëm Krasniqi “vendimi duhet sqaruar edhe në aspektin financiar”.   

Po ashtu edhe sipas sekretarit të Kuvendit të Kosovës, Ismet Krasniqi, universiteti duhet të financohet nga buxheti i Kosovës.

“Mjetet financiare sigurohen përmes buxhetit vjetor i cili miratohet në Kuvend kurse analiza e nevojës së tregut për një universitet të ri bëhet nga Ministria e Arsimit.”, thotë Krasniqi.

Sidoqoftë, me 1 tetor është bërë përurimi i i fillimit të vitit të ri akademik në Universitetin Publik të Pejës dhe mësimi do të zhvillohet në dy gjuhë (shqipe dhe boshnjake), ndërsa numri i përgjithshëm i studenteve të rinjë sillet rreth 2.800 të rregullt dhe me korrespondencë.

Universiteti publik “Haxhi Zeka” ka ekzistuar në kuadër të Universitetit të Prishtinës qysh nga viti 1960  si Fakulteti i Skencave të Aplikuara të Biznesit. 

Gjatë viti 2009 – 2010 ai kishte të regjistruar rreth 2000 studentë. Po në këtë vit mësimor aty ishin angazhuar njëzet mësimdhënës në marrëdhënje të rregullt pune dhe tridhjetë e tre mësimdhënës të angazhuar.

Ai ka përfituar nga buxheti i përgjithshëm i Universitetit të Prishtinës. 

Aktualisht Universiteti udhëhiqet nga Këshilli Drejtues dhe Kryetari i saj, janë formuar të gjitha organet qeverisëse (senati, ushtruesit e detyrave të Dekanëve dhe Prodekanëve) deri në miratimin e statutit të Universitetit dhe shpalljes së konkursit për Rektor.

Më 25 shkurt 2010, në përgjigje të disa deputetëve të Kuvendit të Kosovës, Kryeministri Hashim Thaçi kishte paralajmëruar se pas hapjes së Universitetit të Prizrenit,  do të hapen degët e tij në Gjakovë dhe në Pejë, ndërkaq më vonë do të hapen universitete në këto dy qytete, sikurse edhe në Gjilan e Ferizaj. Në ceremoninë e hapjes, më 1 tetor, mori pjesë Ministri i Arsimit Ramë dhe Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi.