Kosovarët Rrezikohen nga Kontrolli i Dobët i Barnave Narkotike

Shënim: artikulli fillimisht u botua më 24.09.2012. 02:35:00

Kur kanë kontrolluar spitalet private vitin e kaluar, Inspektorët Farmaceutikë kanë gjetur edhe një faturë të datës 13 nëntor të vitit 2010 që i përkiste kompanisë “Delta Healthcare”. 

Kompania nga Klina i kishte shitur dy sasi barnash narkotike të llojit “Fentanyl” spitalit privat “Lindja”, i cili nuk ishte i autorizuar për operim me narkotikë. Ato ishin në vlerën 246 dhe 190 euro.

Kompania “Delta Healthcare” që i kishte shitur barna narkotike këtij spitali ka licencë për operim me narkotikë. Por, ligji për barnat narkotike, substancat psikotrope dhe prekursorë nuk lejon që të kryhen transaksione me operatorë të palicencuar nga prodhuesit e qarkulluesit farmaceutikë për një listë të barnave narkotike të rregulluara me ligj e ku bën pjesë edhe Fentanyl-i.

Farmacist përgjegjës i kësaj kompanie në kohën e këtij transaksioni ishte Ilir Dushi, prej marsit kryeshef i Agjencisë Kosovare për Produkte Medicinale (AKPM).

“Kompania është pronë e vëllait tim Bernard Dushi dhe unë aty kam punuar si farmacist përgjegjës. Por përmendja e kësaj fature tash në këtë kohë për mua është një shantazh në punën time”, Dushi i tha Gazetës Jeta në Kosovë.

Fatura, sipas tij, nuk mund të jetë e parregullt pasi që spitalet private nuk kanë nevojë të kenë licencë të posaçme për operim me narkotikë.

Por, ndryshe kanë operuar institucionet shëndetësore. Spitali Bahceci është pajisur me licencë për operim me narkotikë pas rekomandimit të dhënë nga inspektorët farmaceutikë.

Ndërkohë prej Kryeshefit të AKPM-së janë kërkuar të dhëna nga gazeta për sasinë mesatare të barnave narkotike që qarkullojnë në tregun e Kosovës. Ai ka refuzuar të japë të dhëna duke u arsyetuar se AKPM-ja nuk posedon të dhëna për sasinë vjetore të barnave narkotike.

Këtë nuk e ka bërë as Ministria e Shëndetësisë pasi që sipas zyrtarëve të saj ky institucion nuk ka informatata për sektorin privat por vetëm për atë publik.

Megjithatë, inspektorët farmaceutikë kanë zbuluar se disa lloje të barnave narkotike që përdoren për të zbutur dhimbjen gjatë operimeve – Morphine, Fentanyl – janë gjetur nga autoritetet duke u qarkulluar kundërligjshëm. Gjetjet përfshijnë edhe barin Ephedrine që përdoret për prodhim të barnave narkotike. Këto lloj barnash, me përdorim joadekuat, mund të shkaktojnë varësi, çrregullime, rrezik dhe fatalitete për shëndetin e pacientëve, sipas përshkrimeve të tyre. 

Ato hyjnë në kategorinë e barnave “me rrezikshmëri të lartë për përdorim në mjekësi dhe veterinë”.

Neni 4 i ligjit për barnat narkotike, pika 4.5, rregullon se “AKPM në pajtim me konventat ndërkombëtare për kontrollin e narkotikëve, i dorëzon Autoriteteve ndërkombëtare, veçanërisht bordit ndërkombëtar për kontroll të narkotikëve, të dhënat për nevojat vjetore për barna narkotike dhe substanca psikotrope për territorin e Kosovës”.

Ligji kërkon po ashtu që prodhuesit dhe qarkulluesit farmaceutikë me shumicë të mbajnë evidencë për prodhimin, sasinë dhe llojin e narkotikëve të importuar, të eksportuar, të shitur, të blerë si dhe transaksioneve e realizuara “të dokumentuara me fatura hyrëse dhe dalëse; si dhe që t’i dorëzojnë raportet në AKPM, jo më vonë se 15 ditë pas mbarimit të çdo tremujori”.

Ndërsa, ata me pakicë janë të obliguar të mbajnë evidencë për recetat, sasinë e blerë të dokumentuar me faturë hyrëse, sasinë e shitur dhe sasinë e mbetur si dhe janë të obliguar që raportet përkitazi me këtë t’i dorëzojnë në AKPM jo më vonë se 15 ditë pas mbarimit të çdo tremujori. Ato obligohen të ruajnë dokumentacionin së paku pesë vjet.
 
AKPM-ja ka pranuar të bëjë publike vetëm numrin e kompanive të licencuara për operim me narkotikë – e janë 65 kompani private.

Prej tyre vetëm një ka licencë për prodhim e import të barnave narktoike ndërsa 26 depo farmacetuike kanë të drejtë për import të barnave narktotike.

Licencë po ashtu kanë edhe 12 institucione shëndetësore si dhe vetëm 26 barnatore.

foto  
Foto: alert.org  

 

“Spitalet Private merren me Operim të Kundërligjshëm të Narkotikëve”

Inspektorati Farmaceutik, në një raport të bërë në korrik të vitit të kaluar, nga shtatë spitale private kishte gjetur se katër prej tyre merreshin me qarkullim të kundërligjshëm të narkotikëve.

Ata i kishin dhënë këto vërejtje ndaj spitalit “Bahceci”, “International Medicine Hospital’, “Euromed” si dhe spitalit “Lindja”.

Bazuar në këtë raport, në spitalin “Bahceci” , ishin gjetur substanca narkotike edhe përkundër asaj që institucioni nuk ishte i pajisur me licencë për operim me narkotikë.

“Substancat narkotike nuk ruheshin në mënyrë adekuate. Ato nuk ishin të veçuara në një hapësirë të mbyllur dhe nën përgjegjësinë e përsonit adekuat paraprakisht të caktuar”, thuhet në raport.

Ky spital nuk ishte i pajisur me Librin e Narkotikëve e po ashtu sipas inspektorëve nuk mbaheshin shënime lidhur me furnizimin e shpenzimin me substanca narkotike.

Shefki Azizi, drejtor mjekësor në “Bahceci”, ka thënë se spitali nuk ishte i pajisur me licencë për operim me narkotikë pasi që nuk kishte informata se duhej të merrej kjo leje e posaçme.

“Nga vërejtjet e inspektoreve që duhet licencë e posaçme ne kemi vepruar mënjeherë dhe për një afat shumë të shkurtër jemi pajisur me licencë për operim me narkotikë”, ka deklaruar Azizi.

Po ashtu, pas vërejtjeve të inspektoratit, ky spital është pajisur edhe me Libër të Narkotikëve pasi që më herët, sipas Azizit, të dhënat ruheshin në fletore të posaçme.

Ai ka kontestuar vetëm gjetjet që kanë të bëjnë me mungesën e ruajtjës adekuate të barnave narkotike.

“Ato ishin dhe janë të veçuara në hapësirë të mbyllur. Salla e operacionit është hapësirë e mbyllur dhe nuk mund të hyjë gjithkush si dhe personi përgjegjës ka qenë dhe ende është paraprakisht i caktuar, e ai jam unë-anesteziologu, dhe tekniku i anestezionit që është direkt nën mbikqyrjen time”, ka deklaruar Azizi.

Shkelje të njëjta bazuar në raportin e Inspektoratit Farmaceutik janë kryer edhe në “International Medicine Hospital”. Por, në këtë spital janë gjetur edhe barna narkotike pa banderola të llojit Fentanyl e Morphine.

Zyrtarë të këtij spitali nuk kanë dhënë përgjigje në pyetjet e gazetës rreth kësaj çështje.

Barna narkotike pa banderola të llojit Fentanyl ishin gjetur edhe në klinikën “Euromed” .

Po ashtu ky institucion privat nuk kishte licencë për operim me narkotikë si dhe nuk i ruante narkotikët në mënyrë adekuate dhe nuk posedonte Librin e Narkotikëve.

“Ato nuk ishin të veçuara në një hapësirë të mbyllur dhe nën përgjegjësinë e personit adekuat paraprakisht të caktuar”, thuhet në raport.

Habib Jakupi, drejtor medicinal në “Euromed”, e ka vlerësuar si tendencioz raportin e bërë nga Inspektorati Farmaceutik dhe nuk ka dashur të japë shpjegime rreth operimit me barna narkotike.

Po ashtu, edhe në spitalin Lindja janë hasur shkeljet e njejta si qarkullim me narkotikë pa pasur licencë, mungesë e librit të narkotikëve si dhe ruajtje në mënyrë jo adekuate e barnave narkotike pasi që ato nuk veçoheshin në një hapësirë të mbyllur. 

Dergut Aliu, drejtues i këtij spitali, kur është kontakuar i ka vlerësuar si të pasakta gjetjet e inspektorëve farmaceutikë.

Policia zuri barna narkotike me afat të skaduar

Zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Brendshme thonë se Policia e Kosovës deri më tash ka kontrolluar të gjitha farmacitë në Kosovë për të verifikuar operimin e këtyre bizneseve.

“Në operacione të tilla janë përfshirë edhe zyrtarë nga Inspektorati Farmaceutik dhe Dogana e Kosoves. Pothuajse çdo muaj ndërmerren operacione të tilla”, thotë Merita Vidishiqi, këshilltare e ministrit Bajram Rexhepi.

foto  
Ephedrine | Foto: wikicommons.org  

 

Bazuar në të dhënat e MPB-së në vitin 2011 janë konfiskuar barna narkotike të llojit “PHenobarbiton”.

Në dy raste janë shqiptuar dënime në vlerë 225 euro respektivisht 375 euro ndërsa për një rast ende nuk është marrë aktvendimi për dënim.

Rasti më i madh i aksioneve policore kundër keqpërdorimit të drogave medicinale është ai i “Gentipharm”

Më 23 mars të vitit 2012 kishte konfiskuar 15.25 kilogramë “Ephedrine”, një produkt narkotik që dyshohej që ishte me afat të skaduar. Shtetet perëndimore kërkojnë masa të rrepta të kontrollimit të shitjes së saj nga operatorët e autorizuar dhe në sasi të vogla e me përshkrim.

MPB-ja pohon se pronari i këtij laboratori Demir Shkodra e kishte importuar këtë sasi në vitin 2004 kur kishte licencë për përdorimin e “Ephedrine”.

“Ne kemi vërtetuar se Operatori Ekonomik ‘GENTIFARM’ në vitin 2004-2005,ka poseduar licencë për importin e Efedrines,por këtij produkti në vitin 2007, i ka skaduar afati i përdorimit dhe pronari ka pasur për obligim ta njoftojë AKPM-në dhe të bëhet asgjësimi i produktit”, ka deklaruar Vidishiqi.

Pronari i këtij laboratori, sipas MPB-së, edhe përkundër faktit që ka qenë në dijeni që afati i këtij produkti ka skaduar ka vazhduar të prodhojë produkte medicinale me përmbajtje të Ephedrines.

Ndërkohë Demir Shkodra mohon se këtij produkti i kishte skaduar afati. Autoritetet, sipas tij, kanë bërë gabim kur kanë raportuar se ky produkt nuk ka afat të përdorimit.

“Unë jam vetë farmacist. Një produkti i bëhen analizat a ka ende afat përdorimi apo jo dhe unë kur i kam bërë analizat ka dalë që mund të përdoret ende”, ka thënë Shkodra.

Inspektorë Farmaceutikë e ekipe hetuesish policorë, sipas tij, kishin kontrolluar laboratorin e tij dhe kishin gabuar kur ishin bazuar vetëm në datën e skadencës që figuron në tiketën e produktit.

“Gabimet e autoriteteve po më kushtojnë mua. Në këtë rast i dëmtuari jam unë e jo shteti. Mua ma kanë mbyllur laboratorin AKPM-ja pa kurrfarë baze ligjore”, ka thënë Shkodra.

Ai thotë se e ka paditur Ministrinë e Shëndetësisë në Gjyaktën Supreme për mbyllje të kundërligjshme të laboratorit.

AKPM-ja ka mbyllur këtë laborator duke u bazuar në ligjin për produkte medicinale i cili ndalon operimin e laboratorëve galenikë që merren me prodhimin e produkteve medicinale.

Ministria: Barnat Narkotike po shiten pa recetë të mjekut

Zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë nuk kanë mundur të japinë të dhëna për sasinë e narkotikëve që qarkullojnë në sektorin privat. Kjo përgjegjësi sipas tyre i takon AKPM-së.

Por zyrtarë të këtij institucioni kanë pranuar se tregu privat nuk është duke u monitoruar mirë.

“Në tregun farmaceutik privat, mund të gjenden barna narkotike, apo analgjetikë të fortë siç është Trodoni, të cilat i kërkojnë pacientë të ndryshëm dhe të cilat në shumë raste, fatkeqësisht, shiten nga farmacistët pa recetë të mjekut”, thotë Faik Hoti, zëdhënës në Ministrinë e Shëndetësisë.

Zëdhënësi i këtij institucioni thotë se MSH-ja ka të dhëna vetëm për sasinë që përdoret në sektorin publik.

“Sasia e barnave që blihen ndryshon varësisht prej planifikimeve dhe mundësive buxhetore për t’u siguarur, ndërsa MSh furnizon me barna të këtilla vetëm institucionet shëndetësore publike, të cilat kanë leje për të administruar me to”, ka deklaruar Hoti.

foto  
Foto: wikicommons.org  

 

MSH-ja ka siguruar falas nga donatorët Methadonin që është bar detoksikues i cili sipas tij jepet vetëm në institucionet që kanë leje për opeirm me narkotikë.

Ndërkohë, ky institucion, sipas Hotit, ka blerë 8 mijë barna narkotike të llojit Morphine pjesë e Listës Esenciale si dhe mijëra njësi të barnave narkotike të llojit Trodon si dhe preperate tjera.

Ndërsa për sa i përket gjetjeve të inspektorëve nëpër spitale private, MSH-ja thotë se për këtë është formuar një Komision Qeveritar i cili do të  merret me këtë çështje. 

“Inspektorati ka shqiptuar disa dënime ndaj këtyre spitaleve, ndërsa disa prej tyre janë ankuar ndaj gjobave të shqiptuara. Ministria ka propozuar, ndërsas Qeveria e ka miratuar në një mbledhje të veten, një Komision i cili merret me shqyrtimin e ankesave të tilla”, ka deklaruar Hoti.

Ministria e Shëndetësisë sipas tij është e informuar po ashtu se në disa spitale private të inspektuara nga Inspektorati Farmaceutik janë gjetur barna që në bazë të serive të tyre ka dalë të jenë barna të dedikuara për sektorin publik nga Lista Esenciale.