Korrupsioni Rrezikon Jetën e Pacientëve

Shënim: Artikulli fillimisht u botua më 17.09.2012, 02:14:35

Aktakuza e prokurores Maria Bamieh, e ngritur më 12 korrik, ngarkon ish-Sekretarin e Përhershëm Ilir Tolaj dhe disa zyrtarë tjerë të Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës se kishin lënë pacientët që vuanin prej sëmundjeve të rënda pa barna duke i anuluar tenderët pa pasur arsye të forta.

Gazeta Jeta në Kosovë ka zbuluar raste kur pacientëve u ishte përkeqësuar gjendja shëndetësore në mungesë të barnave në atë kohë. Po ashtu, gazeta ka vërejtur se shifrat e anulimit të tenderëve të barnave nga Ministria e Shëndetësisë mbesin të larta dhe se sërish pacientët duhet të gjejnë rrugë tjera në kërkim të shërimit pa qasje në barnat që duhet të sigurohen nga Lista Esenciale e paguar prej taksapaguesve të vendit.

Aktakuza ngarkon Tolajn dhe disa kolegë të tij se prej 1 janarit 2009 deri më 31 dhjetor 2011 kanë shpallur dhe më pas anuluar pa arsye të mirëqena tenderë për barna esenciale si Beta Inferferon që përdoret për Sklerozë të Shumëfishtë dhe Fluradabine për trajtim të Leukemisë.

Tenderët për barna që furnizoheshin nga firma Sante Pharm ishin ndërprerë e anuluar vetëm për shkak se drejtuesit e saj nuk ishin treguar në gjendje të paguan përqindjen që ua kërkonin zyrtarët e Ministrisë.

“Ata kështu i lanë pacientët që vuanin nga leukemia dhe skleroza pa mjekim ndërsa përdorën buxhetin për barna që përdoren në raste ku jeta është më pak në rrezik”, thuhet në aktakuzën e cila përmend se Ilir Tolajt i ishin gjetur 300 mijë euro në xhirollogaritë bankare.

“Pacientët madje e thërrisnin Sante Pharmin që të shikonin nëse mund të blinin barnat në mënyrë të drejtpërdrejtë”, thotë aktakuza.

Tolaj dhe të tjerët mohojnë akuzat.

Aktakuza po ashtu përmend faktin se Auditori i Përgjithshëm kishte raportuar se Ministria e Shëndetësisë donte të harxhonte 1.7 milionë euro që të hidhte barnat e dala prej përdorimit.

Barnat për trajtimin e këtyre sëmundjeve kushtojnë shtrenjtë, zakonisht me qindra euro për copë, por Lista e Barnave Esenciale me të cilat duhet të pajisen spitalet publike për secilin vit e që ka vlerë rreth 20 milionë euro është e menduar pikërisht t’ua ofrojë ato pacientëve më lehtë.

Por Ministria e Shëndetësisë vazhdon zakonin e anulimit të tenderëve dhe pacientët sërish duhet të gjurmojnë rrugë të tjera në kërkim të këtyre barnave. 

Mungesa e barnave ia kthen sëmundjen

Agim Ilazi nga Gjilani, 62, para disa muajsh ka kuptuar nga mjekët se tumori i ishte përsëritur në bark dhe është detyruar të futet në operacion për herë të dytë.

Herën e parë ishte operuar në tetor 2008.

Atëherë ai ishte operuar në Zagreb dhe Ilazit i kishte kushtuar 15.000 euro. Atij i ishte sugjeruar që të vazhdonte me hemoterapi tri-vjeçare duke përdorur barin Gleevec që ka për qëllim bllokimin e zhvillimit të mëtutjeshëm të sëmundjes. 

Ai thotë se përsëritja e tumorit ka ndodhur për shkak se nuk e ka përfunduar terapinë deri në fund.

Ilazi kishte marrë terapinë nga spitali i Gjilanit deri më korrik 2010. “Pas korrikut, për disa muaj me rend, me shumë mund e kam siguruar terapinë. Terapia për muaj kushton 3.000 euro”, tha ai.

Inxhinieri i mekanikës i cili punon në PTK në Gjilan, tha se gjatë terapisë 14 muajshe ishte detyruar të blejë ilaçin Gleevec, për shkak të mungesës së kohëpaskohshme. “Besoj se tumori nuk do të ishte paraqitur edhe njëherë nëse kisha vazhduar me terapinë deri në fund”, Ilazi i tha Gazetës Jeta në Kosovë.

Ai ka dëgjuar nga pacientët e tjerë me sëmundje të njëjtë se nuk kanë pasur asnjë problem me marrjen e terapisë deri në vitin 2009.

Ilazi ishte shtrirë në spitalin e Tiranës më 2 maj 2012 për operimin e dytë. Përsëri, ai thotë se ka nisur hemoterapinë me ndihmën e të tjerëve duke mos ditur se sa do të zgjas.

foto  
Gleevec | Ilustrimi: Flickr  

Jeton Lika, nga shoqata për përkrahjen e pacientëve me leukemi, tha se pacientët me këtë sëmundje kanë probleme të shumta sa i përket marrjes së terapisë.

Lika tha se shoqata është e vogël dhe pa ndikim por mundohet që të adresojë së paku brengat e njerëzve me leukemi.

“Situata është e rëndë për këta njerëz. Duhet të bëhet diçka për këta”, Lika i tha Gazetës Jeta në Kosovë.

Dr.Curr Gjocaj, drejtor i Departamentit të Shërbimeve Shëndetësore në MSH, i pyetur në lidhje me këtë mungesë të ilaçit Gleevec, i tha Gazetës Jeta në Kosovë se ministria pasur kontest me organet përkatëse në lidhje me shpalljen ose jo të një fituesi dhe se kjo procedurë kishte rezultuar me një penalizëm ndaj MSH-së në vlerë prej 30.000 eurosh.

“Nuk jam në dijeni të ekzekutimit ose jo të kësaj shume”, tha ai. “Me ardhjen e menaxhmentit të ri, jemi interesuar se si duhet vepruar për ta zhbllokuar këtë situatë. Pas konsultimeve ka rezultuar deri në veprim konkret, sipas rekomandimeve të organeve përkatëse. Pas vlerësimit të ofertave, tashmë lënda ndodhet ne shqyrtim në organin përkatës (OSHP) dhe nëse ata e vlerësojnë të drejt veprimin tonë, do procedohet me shpallje të fituesit”.

Tenderët e barnave me vite shkonin keq

Sipas Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, KRPP, në Ministrinë e Shëndetësisë, në mesin e 19 tenderëve për vitin 2011, 14 kanë qenë për furnizime me barna.

Mirëpo, për 14 tenderët ka pasur ankesa nga kompanitë që supozonin se është shkelur ligji nga MSH-ja dhe tri raste janë vendosur në favor të kompanive.

Po ashtu edhe në vitin 2010, MSH-ja ka pasur pesë tenderë për barna ku katër nga to janë shtyrë për shkak të ankesave të kompanive pjesëmarrëse në tender.

Edhe në vitin 2009, 12 tenderë për barna kanë pasuar me 12 ankesa nga kompanitë.

Të gjitha këto ankesa kanë shkaktuar vonesa të mëdha në furnizimin e spitaleve me citostatikë dhe barna tjera nga lista esenciale e MSH-së.

Këtë vit, sipas KRPP-së, MSH ka iniciuar 6 tenderë, njëri prej të cilëve të bëjë me citostatikë dhe të tjerët kryesisht me barna antivirale dhe një me terapi për HIV/AIDS. Tenderi për citostatikë është shpallur më 3 gusht dhe ende nuk ka përfunduar. Edhe barnat Beta Interferon dhe Fluradabine tani janë pjesë e tenderit.

Sidoqoftë, nga 6 tenderët e këtij viti, sërish 3 janë anuluar, dy prej të cilëve janë ritenderuar.

Curr Gjocaj i MSH-së thotë se ministria do të bëjë plotësim të nevojave në furnizime me barna dhe material shpenzues në përputhje me mundësitë dhe në zbatim të plotë të ligjeve në fuqi.

“Aktualisht MSh ka rreth 80 kontrata valide aktive dhe në kohë secila prej tyre, kush më herët e kush më vonë, do skadojnë dhe duhet riprocedura sipas ligjit”, tha Gjocaj.

“Plotesimi njëqind për qind i Listës Esenciale nuk ka ndodhur asnjëherë prej mbarimit të luftës e këtej dhe nuk do të plotësohet nëse buxheti për shëndetësinë mbetet në keto nivele, ku për 2 milionë banorë dhe të gjitha llojet e sëmundjeve, në vit ndahen 18.5 milionë euro”, shtoi ai.

Pacientët i drejtohen rrugëve tjera

Diellza Nimonaj nga Deçani është diagnostifikuar me leukemi, kancer në qelizat e gjakut, më 21 gusht të këtij viti.

Katër ditë më pas, babai i saj, Mirsati, e dërgoi për në Turqi pasi që mjekët në Prishtinë i thanë se “këtu nuk mund të bëjnë asgjë për të”. Nimonaj për momentin është nën hemoterapi në një spital të Stambollit.

“Nuk kemi terapi, djali i mirë. Gjej një zgjidhje”, tregon Mirsati bisedën me mjekët në Prishtinë, në momentin kur ka kuptuar për sëmundjen e vajzës.

Mjekët i kishin thënë Mirsatit se kjo sëmundje ka shërim por se është e kushtueshme. “PTK-ja, me 6,900 euro më ka ndihmuar që të nisem menjëherë për në Stamboll. Diellza është në spitalin amerikan dhe për momentin është me hemoterapi”, tha Mirsati i cili punon në komunën e Deçanit.

Ai shpreson se vajza e tij do t’ia dalë me hemoterapi dhe se nuk do të jetë e nevojshme për transplantim të palcës kurrizore.

Familjarët dhe miqtë e Diellzës kanë nisur tashmë e një kohë një aksion, sidomos në rrjete sociale, për të kërkuar ndihmë financiare për të. Kjo mënyrë e ndihmës është e zakonshme dhe e shpeshtë në Kosovë për njerëz të cilët vuajnë nga sëmundjet e këqija.

“Përkrahja financiare është tejet e domosdoshme për shpëtimin e një jete të një vajze 19 vjeçare”, tha Mirsati për të bijën.

QKUK mbetet me premtime për furnizim më të mirë

Qendra Klinike Universitare e Kosovës, QKUK, thotë se asnjëherë nuk është furnizuar qind për qind me listën esenciale të barnave për shkak të buxhetit të limituar të MSH-së dhe procedurave të prokurimit.

“Sa i përket citostatikëve, përfshirë edhe Gleevec, furnizimin e bën MSH. Ato citostatikë janë shumë të shtrenjta me çmime milionëshe dhe prapë për shkak të buxhetit nuk arrihet furnizimi 100 për qind ”, Shpend Fazliu i tha Gazetës Jeta në Kosovë.

foto  
Punë me citostatikë | Ilustrimi: Flickr  

 

Furnizimi me barna dhe material shpenzues  i QKUK-së bëhet nga ana e Departamentit Farmaceutik në Ministrinë e Shëndetësisë. 

“Për shkak të buxhetit të limituar që ka MSH dhe për shkak të procedurave të prokurimit asnjëherë nuk është arritur që furnizimi të bëhet 100% sa i përket listës esenciale, edhe pse shërbimet emergjente si Qendra Emergjente, sallat e lindjes dhe të operacionit, mjekimi intensiv dhe dializa çdo here kanë qenë të furnizuara gati 100% meqë ato i furnizojmë me prioritet për shkak të specifikave të punës”, tha Fazliu.

Fazliu tha se QKUK, pas pajtimit me Ministrinë, ka intervenuar nga buxheti i saj duke blerë tretje fiziologjike (infuzione) dhe në disa raste shiringa në mënyrë që ta zbusë mungesën e tyre.

“Por kjo ka ndodhur vetëm për shërbimet emergjente, meqë QKUK nuk ka buxhet të dedikuar për barna të Listës Esenciale”, tha Fazliu. 

Ai tha se QKUK është në kontakt me MSH të cilët i kanë premtuar se furnizimi do të përmirësohet vazhdimisht duke shtuar se pacientët vazhdojnë t’i blejnë vetë ato barna dhe material shpenzues, në disa raste.

Por Dr Curr Gjocaj i MSH-së tha se pas miratimit është duke u bërë furnizim me citostatikë sipas planifikimit me listën esenciale të vjetër.

“MSH e ka hapur tenderin për Citostatikë, tenderi është mbyllur, aktualisht është duke u vlerësuar nga komisioni përkatës”, tha ai. “Ne si MSh do bëjmë ç’është e mundur ta menaxhojmë sa më mirë dhe drejtë ketë proces. Pas shpallje së fituesve, natyrisht se do fillojmë porositë e reja sipas kësaj liste”.