Edhe Idhuj Edhe Qytetarë Model

Shqiptarët kanë pushtuar gaztat zvicerane si kampionë të së mirës dhe sportit. Është një pamje e kundërt me një imazh stereotip qoftë në Kosovë qoftë në Zvicër.

Me pjesëmarrje prej 250 mijë frymësh nga tri shtete, shqiptarët përbëjnë rreth 3 për qind të popullatës zvicerane dhe mbi 5 për qind të tërë popullatës shqiptare në botë.

Pas titujve me deputetin dhe ish-komandantin e UÇK-së Azem Syla dhe përpjekjet e tij për ta mashtruar shtetin zviceran që të marrë ndihma sociale të invalidit mental ndërkohë që në Kosovë është një nga figurat më të njohura politike, futbollistët shqiptarë dhe modelet tjerë të shoqërisë zvicerane kanë pushtuar vëmendjen gjatë kësaj jave me fillimin e lojërave kualifikuese për botërorin në futboll.

Dhe sa herë që flitet për futbollin në Zvicër, aty janë edhe shqiptarët që tash popullojnë ekipin hlvetik me cilësi por edhe me numër.

Revista L’ilustre në gjuhën frënge ka Granit Xhakën, futbollistin shqiptar që tash luan në Gjermani, në faqen e parë të saj. Intervista me të shtrihet në disa faqe me fotografi të tij të shtrira në dy faqe ku Graniti është në ajër duke shqelmuar topin.

Me titujt si djaloshi që pati guxim ta refuzojë Bajernin e Munichut dhe të bëhet udhëheqës i ekipit të Borussias, revista e krahason Xhakën me Cristiano Ronaldon. Këtë nuk e bën vetëm për shkak të futbollit por edhe për shkak të dukjes së tij që tashmë është bërë kërshëri e femrave në Gjermani. Revista përkujton se si në Gjermani atë e quajnë Ronaldo Xhaka.

Mirëpo shqiptari nuk ka dëshirë të krahasohet duke thënë se secili ka cilësitë e veta.

Pashmangshëm vjen edhe pyetja për lojën e të martës kundër Shqipërisë. A do të jetë kjo lojë e vështirë për ty?  “Sikur për gjithkënd që vjen nga atje”, pastaj vazhdon Xhaka, “Duhet të luajmë sikur me Kroacinë”.

Sa për përkujtim Zvicra ka mundur Kroacinë më rezultat të thellë, dy nga golat i ka shënuar një kroato-zviceran. Ndoshta kjo ka një domethënie për lojën e të martës. Deri atëherë Zvicra do të ndeshet me Slloveninë ku janë paraparë tre shqiptarë, Shaqiri, Xhaka dhe Behrami.

Për të bërë edhe një paralele me Kroacinë, futbollisti kroato zviceran nuk ka festuar kur ka dhënë gol. Këtë e ka premtuar edhe Xhaka.

“Nëse jap gol nuk do të festoj”, ka thënë ai më herët.

Si do të shkojë loja duhet të shohim të martën dhe të përkujtojmë se kjo është një lojë në të cilën kosovarët mund të përkrahin secilin nga ekipet pasi në të dytë kanë nga disa përfaqësues nga trungu i vet.

Mirëpo paraqitjet pozitive të shqiptarëve në shtypin zviceran nuk mbarojnë vetëm me kaq. Të enjten dy shqiptarë dhe një zviceran kanë ndarë çmimin Pix de Courage, që jepet për guxim qytetar. Një çmim prestigjioz të cilin shqiptarët dhe miku i tyre zviceran e kanë fituar duke e shpëtuar një gjerman që mbytej në lumin Rini.

“Ndërkohë që të tjerët bënin sehir dhe nuk ndërmerrnin asgjë, Shqiprimi, Ramoni dhe Dinesi vepruan për të shpëtuar një jetë njeriu. Këta tre të rinj kanë merituar çmimin ‘Prix Courage’. Ata i japin një fytyrë rinisë së përgjegjshme dhe të gatshme për ndihmë. Një fytyrë që dallon aq shumë për të mirë, në krahasim me kryetitujt negativë, që tepër shpesh u kushtohen të rinjve”, thuhet në argumentimin e jurisë.

Për ta plotësuar këtë tregim të mirë në konkurrencë për këtë çmim ishte edhe një shqiptar tjetër që kishte shpëtuar një grua nga vetura e saj që kishte marrë flakë.

Gazeta Jeta në Kosovë do të ndjekë lojën Zvicra-Shqipëria nga stadiumi dhe do të ketë një raport special me fansat shqiptarë atje.