Burgu (ilustrim)

Rrihet i Burgosuri Pse Mbante Cigare në Vesh

I burgosuri S. S., 26-vjeçar, i cili ndodhet prej dy muajsh në burgun e Smrekovnicës, është sulmuar nga rojat e burgut të mërkurën pasdite. Sipas familjarëve, shkas ishte bërë një cigare, që ai po e mbante në vesh.

Autoritetet e burgut thonë se bëhet fjalë për thyerje të rregullave disiplinore nga ana e të burgosurit.

Menjëherë pas sulmit, S. S. e kishte lajmëruar familjen e tij. Ai ka shprehur dyshime se sulmi mund të jetë i përgatitur qëllimisht, nga një familje me të cilën ka pasur një “mosmarrëveshje” pak para se të hynte në burg.

E kontaktuar nga Gazeta Jeta në Kosovë, familjarë të të burgosurit thanë se shkas për ta rrahur djalin e tyre ishte bërë një cigare, që ai po e mbante në vesh. “E kanë rreh pse e ka pasë një cigare në vesh dhe se ka qenë jashtë objektit”, ka thënë A. S. , nëna e të burgosurit.

Ajo e ka takuar të enjten djalin e saj, i cili i kishte thënë se është kontrolluar nga mjeku i burgut dhe se gjendja e tij shëndetësore është e mirë.

Drejtori i Qendrës Korrektuese në Smrekovnicë, Xhevat Maqestena, i tha Gazetës JnK se ky i burgosur nuk është sulmuar, por e pranon se është përdorur forca e nevojshme për ta kthyer brenda burgut, pasi nuk ka respektuar rregullat disiplinore që kërkohen për të burgosurit.

“S.S është tërhequr brenda objektit, pasi që gjatë kohës së numërimit nuk kishe qenë me jelekun e uniformës së të burgosurve… Ka pasur ndoshta shtyrje, por jo rrahje të drejtpërdrejtë”, tha Maqestena.

Drejtori Maqestena tregon se e ka takuar nënën e këtij të burgosuri dhe i ka shpjeguar se ky nuk është ndonjë problem i madh. ”I burgosuri nuk ka bërë shkelje të rëndë disiplinore. Edhe për dyshimet e tij se ka pasur sulm me prapavijë, kemi konstatuar se nuk janë të vërteta”.

Resmi Hoxha, drejtor i Shërbimit Korrektues të Kosovës, ka konfirmuar për gJnK se është formuar një komision, i cili do ta hetojë këtë rast. “Informata të tjera do të mund të japim pas përpilimit të raportit nga komisioni”, tha Hoxha.