Gjithçka Filloi me Ndërprerjen e Një Kontrate

Fushata kishte filluar nga viti 2007 kur Ilir Tolaj ishte Sekretar Permanent i Ministrisë së Shëndetësisë dhe kishte vazhduar deri më 12 janar 2012 kur ai u arrestua, sipas aktakuzës së prokurores së EULEX-it Mariah Bamieh seancat për konfirmimin e së cilës janë duke vazhduar në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë.

Ajo përfshinte ndalimin e kompanisë për të fituar tenderë, nisjen e inspektorëve kundër saj, kallëzimet penale dhe pengimin e Jona Medit për të marrë licencë import-eksporti.

Gjykata Ekonomike e Qarkut në Prishtinë më 18 qershor 2008 kishte vendosur që Ministria e Shëndetësisë duhet të kompensonte me 1.4 milionë euro kompaninë Jona Med pasi nuk kishte përmbushur kushtet e një kontrate me të. Kontrata e vitit 2006 kishte vlerën 3.8 milionë euro por kompania dështonte të përmbushte atë pasi MSH nuk ia përcillte “kalendarin e medikamenteve”. Në shtator 2007, Jona Medit i ndërpritet kontrata.

Më vonë kompania e kuptoi se kontrata për shërbimet e njëjta veç i ishte dhënë kompanive tjera në tenderë emergjentë ku drejtuesit e ministrisë dhe zyrtarët e prokurimit ishin në kontakt direkt me kompanitë ofertuese. Pronari Bekim Deshishku kishte paditur MSh-në për mospërmbushje të obligimeve që dilnin nga kontrata.

Sipas aktakuzës, e gjithë kjo kishte ardhur për shkak të mosnjohjes së obligimeve kontraktuale ndaj Jona Med-it dhe ndërprerjes së paligjshme të kontratës nga Ilir Tolaj.

Nga 17 gusht 2007 deri më 10 mars 2010, Ilir Tolaj kishte qenë Sekretar Permanent i MSh. Gjatë prillit-shtatorit 2010, ishte këshilltar i Ministrit të Shëndetësisë, me nënshkrimin e të cilit, kishte ardhur prapë në pozitën e Sekretarit Permanent më 28 shtator 2011, për të vazhduar deri më 12 janar 2012 kur ishte arrestuar.

Zyrtarët e MSh-së kishin mbajtur disa takime me pronarin e Jona Medit Bekim Deshishku, për ta bindur atë për heqjen e padisë, duke i ofruar favorizim në tenderë të tjerë. Mirëpo në takimin e mbajtur më 30 nëntor 2007 ku të pranishëm ishin Arbenita Pajaziti, Ismet Hyseni, Lutfi Mulaku, Bekim Deshishku dhe në ndërkohë Ilir Tolaj, pronari i Jona Med nuk u pajtua me propozimet e tyre.

Në bazë të aktakuzës, kjo bëri që Arbenita Pajaziti, anëtare e komisionit vlerësues të tenderëve, t’i dërgojë një sms Ilir Tolajt me tekstin: “Eja në zyrën e Lutës dhe bërtiti këtij imbecili nga Jona Med”.

Pas pak minutash, Ilir Tolaj kishte mbërritur në zyrë, duke iu drejtuar pronarit të kompanisë Jona Med sipas këtij të fundit me fjalët:“Dëgjo djalosh, nuk kemi kohë për të humbur me ty, dhe mund t’i them tri gjëra. E para, Kosova më me qejf do të mbetët nën Serbi sesa ti të fitosh këtë rast, e dyta, derisa unë të jam në këtë pozitë, ti nuk do të fitosh asnjë tender tjetër dhe, e treta, do të shohësh se kush jam unë”.

MSh u lidh edhe me drejtorin ekzekutiv të kompanisë, Faton Qitaku, për të kërkuar heqjen e padisë duke i thënë: “Zyrtarët e lartë nuk ndihen mirë me këtë çështje”. Ismet Hyseni, zyrtar prokurimi i Ministrisë, takon Qitakun më pas duke përsëritur kërkesën e “atyre lartë”. Nëse Jona Med do të tërhiqej, ata do të merrnin prapë tenderë, iu premtua.

Më vonë, në deklaratën e tij Bekim Deshishku theksoi se në takimin me Luan Sabedinajn (Koordinator në zyrën koordinuese të projektit të dhuruesve në Ministrinë e Shëndetësisë), të cilin takim Luanit ia kishte kërkuar Ilir Tolaj, në prag të tenderit me nr 713000750911, Ilir Tolaj kishte kërkuar 10 për qind të vlerës së tenderit, për të cilin tender Jona Med kishte ofruar 1 milionë euro.

Mirëpo Bekim Deshishku nuk kishte pranuar. Sipas tij, Luan Sebedinaj iu kishte drejtuar më fjalët: “Mos krijo armiq sepse Ilir Tolaj është shumë hakmarrës”. Në bazë të aktakuzës, Luan Sebedinaj nuk kishte pranuar t’i ketë thënë Deshishkut se Ilir Tolaj kishte kërkuar 10 për qind nga vlera e tenderit.

Në një kontratë tjetër, ndonëse tri herë Jona Med ishte ofertuesi më i ultë, kontrata nuk iu dha kësaj kompanie.

Në kuadër të fushatës së drejtuar ndaj Jona Medit, MSh gjithashtu nuk kishte zgjatur kontratat, përkatësisht kishte ndërprerë kontratën një plus një me Jona Med të qershorit 2009.

Tenderi i njëjtë i fituar nga Jona Med në MSh gjatë periudhës sa Ilir Tolaj ishte suspenduar nga MSh, përkatësisht në maj/qershor 2009, nuk iu kishte zgjatur Jona Med-it një vit pas, kur Ilir Tolaj, ishte kthyer tani në pozitën e këshilltarit të ministrit.

Jona Med kishte dorëzuar 100,000 paracetamolë në Ministri, por kjo ishte ankuar se 20,511 copë të tyre ishin me defekte. Jona Med kishte ofruar t’i zëvendësonte ato, por për këtë kërkonte licencë importi që zakonisht merret brenda disa ditësh. MSh nuk e lëshoi këtë ndonëse kompania i përmbushte të gjitha kushtet.

Në qershor të 2010-tës, drejtori ekzekutiv i Jona Med, kishte kërkuar një takim me 4 operatorë tjerë ekonomikë të cilët kishin kontrata të ngjashme me ministrinë, e në takimin në MSh ishin të pranishëm edhe Bujar Bukoshi dhe Ilir Tolaj. Dy zyrtarët e lartë i kishin thënë Jona Medit se tenderët ishin çështje biznesi dhe se ata nuk do të bënin kontrata me ata që padisnin.

MSh më pas kishte ngritur kallëzim penal kundër Jona Med’it për mbajtjen e barnave në magazina, por në fakt, mbajtja e tyre vinte nga mungesa e licencës për importin e tyre, edhe pse ishte kërkuar në përputhshmëri më të gjitha procedurat. Kjo i kishte kushtuar Jona Med rreth 200 euro në muaj për mbajtjen e artikujve në doganë.

Ish sekretari permanent dhe ish këshilltari i ministrit Bukoshi, Ilir Tolaj, ishte ankuar se Jona Med kishte vjedhur para nga buxheti dhe se ata kishin kryer krim të organizuar dhe korrupsion pasi që në atë kohë, përfaqësuesit e kompanisë kishin lidhje me Ministrinë e Drejtësisë (MD) dhe se MD po e mbronte MSh-në, për të mbrojtur Jona Medin.

“Kallëzimet penale janë pjesë e fushatës së hakmarrjes ndaj Jona Med pasi që e kishin çuar Ministrinë e Shëndetësisë në Gjykatën Ekonomike”, thuhet në aktakuzë.