Përkundër Dyshimeve Vëllezërit Fituan Kontrata Milionëshe nga Qeveria

Tregtarët e barnave nga Podujeva, dy vëllezërit Armend e Lirim Mustafa, kanë përfituar miliona euro nga Ministria e Shëndetësisë përmes kontratave publike disa prej të cilave mund të kenë probleme me ligjin sipas aktakuzave zyrtare të prokurorëve dhe raporteve të auditimit.

Lirim Mustafa është pronar i “Lirimed” e cila në aktakuzën kundër grupit të Ilir Tolajt përmendet se është favorizuar kundërligjshëm. Ish-sekretari i Ministrisë së Shëndetësisë akuzohet për favore ndaj kësaj kompanie në dhënien e tenderëve dhe licencave. Mustafa nuk ngarkohet nga kjo aktakuzë.

Ndërkohë Armend Mustafa udhëheq kompaninë “Human Farm”, e cila në dhjetor të vitit të kaluar ka fituar tenderin për menaxhimin, deponimin e shpërndarjen e barnave të Listës Esenciale të cilat blihen nga MSH’ja dhe përdorën nëpër spitalet publike e që kanë vlerë rreth 22 milionë euro.

“Human Farm” ka lidhur këtë kontratë publike edhe përkundër vërejtjeve të dhëna nga auditorët se e njëjta nuk kishte respektuar kontratën për punën e njëjtë të lidhur në vitin 2009.

Zyra e Auditimit të Brendshëm e kësaj ministrie në korrik të vitit të kaluar ka bërë një raport për procesin e menaxhimit të furnizmit, deponimit dhe shpërndarjes së barnave për vitet 2010/2011.

Në vitin 2009 kompania “Human Farm” ishte kontraktuar për kryerjen e shpërndarjes së barnave në këmbim të 93 mijë eurove. E në dhjetor të vitit 2011 kjo kompani private është kontraktuar për kryerjen e tërë këtij procesi  për një shumë prej 105 mijë eurosh. 

“Konkludojmë se kompania [Human Farm] e kontraktuar për distribuimin e barnave të LE’së nuk ka përmbushur obligimet e pranuara sipas kontratës” Zyra e Auditimit të Brendshëm 

Në një draft të këtij raporti që e ka siguruar Gazeta Jeta në Kosovë thuhet se kompania private nuk e kishte zbatuar kontratën e lidhur me Ministrinë e Shëndetësisë.

“Bazuar në të gjeturat e lartë shënuara mund të konkludojmë se kompania e kontraktuar për distribuimin e barnave të LE’së nuk ka përmbushur obligimet e pranuara sipas kontratës”, thuhet në këtë dokument.

Në këtë dokument auditorët i kanë rekomanduar Departamentit të Farmacisë pranë MSH’së që të mbikëqyrë shpërndarjen e barnave të Listës Esenciale dhe të bëjë një vlerësim të përformancës së operatorit ekonomik.

Auditorët kishin gjetur se spitalet publike ishin detyruar të transportonin vetë barnat edhe përkundër kontraktorit të angazhuar nga Ministria e Shëndetësisë.

“Gjatë testimit fizik të depos qendrore të MSH’së dhe analizimit të dokumentacionit vërehet se jo rrallëherë institucionet bëjnë transportimin e porosive/dërgesave të tyre me automjete vetanake”, theksohet në këtë dokument.

Po ashtu, auditorët theksojnë në raport se punëtorët e kësaj kompanie private nuk i dërgonin me kohë barnat nëpër spitalet piblike.

“Gjatë intervistave të zhvilluara me personat përgjegjës të barnatoreve të strukturave shëndetësore është deklaruar se ka raste kur kompania e kontraktuar për distribuim të barnave dërgon porosinë në minutat e fundit të përfundimit të orarit të punës (QKUK, Pejë, Vushtrri)”, theksohet në këtë dokument.

“Gjetjet e auditorit janë të pavërteta” Armend Mustafa

Drejtuesi i “Human Farm” Armend Mustafa i ka mohuar gjetjet e auditorit duke i quajtur të pavërteta.

Emri i tij nuk figuron si pronar aktual në Agjencinë e Regjistrimit të Biznesit.Nixhare Rrahmani në ARBK është shënuar si pronare ndërsa më herët ishte Armend Mustafa.

“Unë jam pronar i kompanisë. Emri tjetër aty është gabim teknik”, ka thënë Mustafa duke mos dashur të tregoj për afërsinë me Nixhare Rrahmanin emri i së cilës figuron tek kompania “Human Farm”

Vëllai i tij ka qenë i pakontaktueshëm për të biseduar rreth kompanisë “Lirimed”. Armend Mustafa ka folur në emër të tij duke thënë se i vëllai nuk mund të japë përgjigje për shkak të trajnimeve që është duke i ndjekur aktualisht në Gjermani.

Ministria e Shëndetësisë: “Kompania ofroi çmimin më të ulët”

Kjo kompani kishte respektuar kriteret e parapara në tenderin publik dhe për këtë arsye, sipas zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë, edhe ishte lidhur kontrata me të.

“Një prej kritereve është edhe çmimi më i lirë, i cili merret në konsideratë pasi të jenë përmbushur kriteret tjera teknike me të cilat dëshmohet se kompania është e licencuar, ka kapacitete për te menaxhuar një proces të tillë dhe nuk ka ndonjë pengese ligjore për të marrë pjese në proces”, ka deklaruar Faik Hoti, drejtor i Zyrës për Media në Ministrinë e Shëndetësisë.

Për Ministrinë e Shëndetësisë nuk paraqet kurrfarë problemi as afërsia e pronarit të “Human Farm” me pronarin e “Lirimed”. Kjo e fundit rregullisht kontraktohet nga MSH për furnizim me barna të Listës Esenciale në mesin e disa operatorëve ekonomikë.

“Në tender, kompanitë konkurrojnë si subjekte juridike apo si ofrues të shërbimeve dhe kontratat lidhen pasi të ketë kaluar koha e ankesave dhe OSHP të mos ketë vërejtje në procedurat e zbatimit të tenderit”, ka deklaruar Hoti. Ministria e Shëndetësisë, tha ai, nuk ka të drejtë ta përjashtojë nga gara asnjë kompani nëse ato nuk kanë pengesa ligjore për të konkurruar.

Armend Musta figuron në ARBK edhe si pronar i dyqanit tregtar barnatore “Liri-Med” si dhe si pronar i ndërmarrjes biznesore “Arta Tex”, që ka fituar kontrata për të furnizuar institucionet shtetërore me uniforma.

Ne listën e barnatoreve që gjenden në uebfaqen e Agjencisë Kosovare për Produkte Medicinale figurojnë Humana dhe Leoni me adresë në lagjen Ulpiana në Prishtinë. Të dy barnatoret figurojnë si pronë e kompanisë Lirimed, pronar i së cilës figuron Lirim Mustafa.

Në webfaqen e kompanisë Lirimed, thuhet se “Liri Med është kompani private farmaceutike-mjekësore, e themeluar në vitin 1999 në Prishtine nga familja Mustafa…”.

“Liri Med” favorizohej nga grupi i Tolajt

“Ilir Tolaj kishte deklaruar se nuk kishte ndikim mbi licencat e importit. Megjithatë kur Ilir Tolaj dëshironte që kompania ‘Lirimed’ të merrte një licencë importi ai sigurohej se ata e merrnin atë. Licenca kërkohej për Lirimed për të importuar ilaq diabeti”, thuhet në aktakuzën e ngritur ndaj grupit të Ish-Sekretarit të Përhershëm Tolaj, nga prokurja Maria Bameh.

Kompania e Lirim Mustafës përmendet si njëra prej kompanive e cila ishte favorizuar nga grupi i Tolajt për të përfituar tenderët publikë të Ministrisë së Shëndetësisë.

“Ilir Tolaj, Arbenita Pajaziti dhe Ismet Hyseni kanë mbajtur kontakte të papërshtatshme me operatorët ekonomikë ‘Lirimed’, ‘Exclusive’ dhe ‘Koslabor’. Përmes këtyre kontakteve ata kishin shkelur Ligjin e Prokurimit Publik”, thuhet në aktakuzë.

“Ilir Tolaj, Arbenita Pajaziti dhe Ismet Hyseni kanë mbajtur kontakte të papërshtatshme me operatorët ekonomikë ‘Lirimed’, ‘Exclusive’ dhe ‘Koslabor’” Aktakuza kundër Tolaj dhe të tjerëve 

Në një rast tjetër, Ismet Hyseni, një zyrtar prokurimi në këtë ministri, dy ditë para hapjes së tenderëve më 3. 12 .07, i kishte dërguar një SMS Arbenita Pajazitit. “Sa i përket furnizimeve ia dhashë ‘Jona Med’ dhe ‘Lirimed’ por ka ca probleme të vogla të riparueshme”, thuhet në aktakuzë.

Hyseni gjatë kësaj kohe negocionte me “Jona Med” për tërheqjen e padisë së saj kundër MSH’së në Gjykatën Ekonomike.

Marrëveshja nuk ishte arritur dhe në vend të “Jona Med” saj ishte shpallur fitues “Koslabor”.

Më 11. 12 2007 ata kanë lidhur kontratë për furnizim emergjent të medikamenteve dhe material shpenzues mjekësor me kompaninë Lirimed. Këto medikamente veç është dashur të mbulohen me kontratën me Jona Med nëse kontrata nuk do të kishte skaduar për faj të të dyshuarve.

Po ashtu, në një tenderë të MSH’së Lirimed kishte ofertën 921 mijë euro ndërsa Jona Med 466 mijë në vit. Kontrata ishte tri vite. Buxheti vlerësohet se u dëmtua për 1.5 milionë euro.

Ndërkohë kompania “Lirimed”, vetëm nga viti 2007 e tutje figuron se ka përfituar dhjetëra tenderë nga Ministria e Shëndetësisë në vlerë mbi 3 milionë euro.

Në korrik të 2007’es kjo kompani u shpall fitues në gjashte lote të tenderin për furnizim me barna në vlerë totale prej 180 mijë eurosh.

Shtatë muaj më vonë në shkurt të vitit 2008 kjo kompani u shpall fitues në tetë lote të tenderit për furnizim me barna në vlerë prej 290 mijë eurosh.

Në korrik të vitit 2008 kjo kompani u shpall fitues në tenderin “Furnizim me Heparin”, në vlerë prej 43 mijë eurosh.

Në nëntor të atij viti u shpall fitues i një tenderi në vlerë prej 6 mijë eurosh që kishte të bënte me furnizim me citostatik dhe imunopresiv.

Në shkurt të vitit 2009 kjo kompani u shpall fitues në dy lote të tenderit “Furnizim me Produkte të Hemodializës”, në vlerë prej 360 mijë eurosh.

Në qershor të vitit 2009 kjo kompani u shpall fitues në 23 lote të tenderit Furnizim me Barna dhe Material Shpenzues Medicional në vlerë prej rreth 1 milionë euro e gjysmë.

Në një lot tjetër të këtij tenderi doli fitues në nëntor të 2009’es që kishte një vlerë prej 123 mijë eurosh.

Në dhjetor të vitit 2009 kjo kompani u shpall fituese në tenderin për furnizm me barna, material shpenzues e citostatik në vlerë prej rreth 100 mijë eurosh.

Në maj të vitit 2011 kjo kompani u shpall fitues në tenderin për furnizim me barna nga lista esenciale në vlerë prej 921 mijë eurosh.

Në një lot tjetër të të njëjtit tender u shpall fitues atë muaj dhe vlera e tij ishte afro 290 mijë eurosh.

Në maj të vitit 2011 kompania u shpall fitues në dy lote në vlerë totale prej 110 mijë eurosh.

Në korrik të vitit 2011 kjo kompani u shpall fitues në llotin 15 të tenderit furnizim me barna dhe material harxhues për hemodializë në vlerë prej 177 mijë eurosh.