Një Muaj që Letra të Shkojë nga Ministria në Ministri

Kërkesa e autoriteteve të Belgjikës për ekstradimin Idajet Beqirit është bllokuar në Qeverinë e Kosovës. Kërkesa belge për arrestimin e Beqirit nuk është bartur nga Ministria e Punëve të Jashtme dhe ajo e Drejtësisë për në Gjykatën e Qarkut në Prizren.

Në mungesë të këtij procedimi, Beqiri, i cili ishte arrestuar nga Policia e Kosovës më 24 maj, në pikën kufitare të Vërmicës, në bazë të një fletarrestimi të lëshuar nga autoritetet belge, të cilat kërkonin ekstradimin e tij për nxitje të urrejtjes, është liruar më 2 korrik pas skadimit të paraburgimit.

Tani ai gjendet në Shqipëri.

Një hulumtim i kryer nga Gazeta Jeta në Kosovë ka vërejtur një varg ngecjesh tek autoritetet kosovare, të cilat nuk u janë përmbajtur afateve kohore për ta dorëzuar në gjykatë kërkesën e autoriteteve belge për ekstradimin e Beqirit.

Sipas ligjit, Policia e Kosovës mund të arrestojë persona të cilët janë të kërkuar me fletarrestime ndërkombëtare të Interpolit, ndërsa gjyqtari i procedurës paraprake ka të drejtë të caktojë masën siguruese prej 40 ditësh për të arrestuarin. Brenda kësaj kohe, konform kërkesës së ushtruar nga autoritetet e vendit që e kërkon të arrestuarin, Ministria e Drejtësisë, konkretisht departamenti për bashkëpunim ndërkombëtar, e procedon kërkesën për në gjykatë e cila pastaj vendosë nëse i arrestuari duhet të ekstradohet ose jo për në vendin që e kërkon.

“Kërkesa e autoriteteve belge për ekstradimin e Beqirit ka qendruar në Qeverinë e Kosovës dhe në mungesë të kësaj kërkese Gjykata e Prizrenit nuk ka mundur të marrë ndonjë vendim.”  

Mirëpo, duke e pasur parasysh faktin se kërkesa e autoriteteve belge ka qëndruar në Qeverinë e Kosovës, Gjykata e Prizrenit e cila kishte urdhëruar paraburgimin prej 40 ditësh për Beqirin nuk ka mundur të marrë ndonjë vendim. Në mungesë të këtij vendimi Beqiri është lënë i lirë pas kalimit të afatit të paraburgimit.
Një javë pas arrestimit të Beqirit, me 7 qershor, autoritetet belge e kanë dorëzuar kërkesën tek autoritetet kosovare për ta ekstraduar atë. Kjo kërkesë është dashur që brenda periudhës 24 maj dhe 2 korrik t’i dorëzohet Gjykatës së Qarkut në Prizren, e cila kishte urdhëruar arrestimin e Beqirit.

Mirëpo kjo kërkesë e autoriteteve belge nuk është dorëzuar sot e asaj dite në këtë gjykatë. Sipas kryetarit  të Gjykatës së Qarkut në Prizren, Ymer Hoxha, gjyqtarja e procedurës paraprake e ka njoftuar Ministrinë e Drejtësisë për afatin prej 40 ditësh brenda të cilit duhet të dorëzohet kërkesa për ekstradim. Ai thotë se kjo kërkesë nuk është dorëzuar në gjykatë dhe si pasojë e kësaj, pas kalimit të masës prej 40 ditësh, Beqiri është lënë i lirë.

Gazeta Jeta në Kosovë ka mësuar se kërkesa e autoriteteve të Belgjikës është adresuar për në ambasadën e Kosovës në Bullgari me datën 7 qershor dhe ajo ka arritur në Ministrinë e Drejtësisë me datë 6 korrik apo katër ditë pasi që Beqiri është lënë i lirë nga Qendra e Paraburgimit në Prizren.
Këto të dhëna janë konfirmuar edhe nga zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme.

Në një përgjigje me shkrim të marrë nga kjo ministri konfirmohet se “Rasti i Idajet Beqirit është pranuar nga autoritetet belge në fillim të muajit qershor në Ambasadën e Republikës së Kosovës në Sofje, konkretisht me datën 07.06.2012 (enjte) dhe e njëjta është përcjell për në Departamentin për Çështje Konsullore të MPJ-së ku ka arritur me datën 22.06.2012 (Premte)”.

E njëjta përgjigje nga ministria konfirmon se kjo kërkesë është mbajtur në këtë ministri edhe katër ditë pasi që Beqiri ishte lënë i lirë. “Kërkesa, pas analizimit është përcjellur për në Ministrinë e Drejtësisë me datën 06.07.2012. Kërkesa konsistonte në mundësinë e ekstradimit të z.Idajet Beqiri për në Mbretërinë e Belgjikës, i cili ishte arrestuar nga autoritetet policore të Republikës së Kosovës pas lëshimit të fletarrestit ndërkombëtar nga autoritetet belge përmes Interpolit”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme.

foto  
Idajet Beqiri, kryetari i Partisë së Unitetit Kombëtar  

 

Sipas kësaj shkrese, i bie që kërkesa për ekstradim është bartur në Ministrinë e Drejtësisë katër ditë pasi që Beqiri është lënë i lirë.

Gazeta Jeta në Kosovë ka kërkuar të marrë përgjigje edhe nga Ministria e Drejtësisë për fatin e kësaj kërkese.

Zana Sinani, zyrtare për informim në këtë ministri, pas kontaktit me Arbër Gegaj drejtor i zyrës për bashkëpunim ndërkombëtarë në MD na ka thënë se kjo kërkesë është në procedurë në këtë ministri, pa pranuar të japin detaje se për çfarë procedurash është duke u bërë fjalë në këtë rast kur i arrestuari është liruar dhe nuk gjendet  në Kosovë.

Gazeta ka kontaktuar edhe me zyrtarët e Policisë së Kosovës, të cilët kanë konfirmuar se pas lirimit nga paraburgimi i Beqirit ai nuk është më person i kërkuar nga Policia e Kosovës.

“Lidhur me pyetjen tuaj të poshtëshënuar se nëse personi (I. B.) vazhdon të figurojë në regjistrat-listën e policisë si person i kërkuar nga Policia e Kosovës, ju informoj se i njëjti tani nuk figuron në listën e personave në kërkim” thuhet në përgjigjen e marrë nga zyra për informim e Policisë së Kosovës.

Përpos këtyre defekteve procedurale arrestimi dhe mundësia e ekstradimit të Idajet Beqirit ishte kundërshtuar vazhdimisht pasi që për veprat penale për të cilat ai kërkohej nga autoritetet belge Beqiri ishte gjykuar një herë në gjykatën e Tiranës. Vetë Beqiri në prononcimet e tij për mediat kosovare e kishte quajtur arrestimin e tij një non-sens juridik pasi që sipas tij për këto vepra ai ishte gjykuar një herë dhe ishte shpallur i pafajshëm.