Projektligji i Ri Cenon Barabarësinë e Pushteteve

Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Administratës Publike, pas katër vitesh punë në draftin e Ligjin për pagat e funksionarëve të lartë, e ka dërguar atë në Kuvendin e Kosovës. Projektligji i ri, i cili i ka vetëm 11 nene, përcakton koeficientët e pagave për zyrtarët e emëruar dhe të zgjedhur në postet publike.

“Për këtë ligj është punuar një kohë të gjatë, për katër vjet. Gjatë kësaj kohe ka pasur shumë debate dhe iniciativa”, tha zëdhënësja e Ministrisë së Administratës Publike, Birsen Shufta, për Gazetën Jeta në Kosovë.

Ajo shton se “qëllimi i Projektligjit është që të vërë rregullin në sistemin e pagave, që të mos bëhet përcaktimi me ligjet e veçanta, por me një ligj i cili lehtëson punën për menaxhimin e pagave”.

Projektligji, krahas pagave rregullon dhe kompensimet dhe shtesat që i marrin zyrtarët e lartë për punën dhe gjatë punës që kryejnë.

Në paragrafin 4 të nenit 5, projektligji e kufizon marrjen e më shumë se një page. Sipas këtij paragrafi, të gjithë ata që mbajnë më shumë se një pozitë nuk kanë të drejtë të marrin më shumë se një pagë nga buxheti i Kosovës.

Rrjedhimisht, ligji ndalon pagat e dyfishta për funksionarët, po ashtu ndalon edhe gjysmën e pagës që merrej deri më tani nga zyrtarët e lartë për funksionin e dytë që kryejnë.


 Qëllimi i Projektligjit është që të vërë rregullin në sistemin e pagave, që të mos bëhet përcaktimi me ligjet e veçanta, por me një ligj i cili lehtëson punën për menaxhimin e pagave”, thotë Birsen Shufta.

Edhe pse projektligji, ashtu si Kushtetuta, përmes nenit 3 si institucione të Republikës i njeh legjislativin, ekzekutivin dhe gjyqësorin, në paga nuk i ka barazuar këto pushtete.

Përmes nenit 5 paragrafit 3 të projektligjit, sponsoruesi ka paraparë një shtojcë të ligjit në të cilin janë të rregulluara të gjitha koeficientet, sipas pozitës së zyrtarëve të lartë shtetërorë.

Sipas shtojcës së projektligjit, ndarja e pushteteve nuk është bërë ashtu siç është paracaktuar me nenin 3. Tabela e funksionarëve të lartë publikë fillon me Presidentin e vendit për të vazhduar me Kryetarin e Kuvendit dhe Kryeministrin.

Shtojca e projektligjit, kryetarin e Gjykatës Supreme dhe Kryeprokurorin e Shtetit e ka ranguar vetëm në pozitën e 9-të, përkatësisht 10-të me radhë për nga pagat, dhe atë pas kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, i cili vjen pas Kryeministrit, dhe gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese si dhe ministrave.

Foto nga arkivi: VV

 

Gjykatësit e Gjykatës Supreme do të paguhen më pak se një deputet i Kuvendit të Kosovës, po ashtu më pak se Avokati i Popullit, Auditori i Përgjithshëm, drejtori i Policisë së Kosovës dhe kryetarët e komunave që kanë asambletë me 51 deputetë.

Kryetari Gjykatës së Apelit dhe Kryeprokurori i Prokurorisë së Apelit janë shumë pozita më poshtë. Ata rangohen njëjtë më poshtë se drejtori i Përgjithshëm i Policisë, edhe pse ky i fundit urdhrat i merr nga këta.

Edhe më poshtë janë gjykatësit e prokurorët e Apelit. Ata do të paguhen më pak se kryetari i gjykatës themelore dhe kryeprokurori i prokurorisë themelore. Po ashtu do të paguhet më pak se një zëvendësministër, më pak se inspektori i Përgjithshëm i AKI-së, si dhe më pak se çdo kryesues i bordeve a kryetar komune me asamble deri në 41 deputetë.

Pozitën më të keqe në rangim e kanë gjykatësit dhe prokurorët e nivelit Themelor. Fillimisht, të gjithë gjykatësit e prokurorët nga Themeloret do të paguhen njëjtë, pavarësisht volumit të punëve dhe rëndësisë e rrezikshmërisë së punës. Kështu, një gjykatës apo prokuror Themelor që do të gjykojë e ndjekë për krime të rënda, të dënueshme me burgim të përjetshëm, do të paguhet njëjtë me një gjykatës që do të gjykojë kundërvajtjet në atë gjykatë.

Një gjykatës apo prokuror Themelor do të paguhet më pak se zëvendësministri, zëvendësit e agjencive të ndryshme, kryesuesit e bordeve apo kryetarët e komunave që kanë asambletë komunale me 31 deputetë.

Po ashtu një gjykatës apo prokuror Themelor do të ketë pagë më të vogël se një gjykatës apo prokuror i Apelit për vetëm 0.6 të koeficientit.

E gjithë kjo nuk do të vlente për gjykatat dhe prokuroritë, sikurse ky projektligj të mos e kishte nenin 11, i cili nen ka paraparë shfuqizimin e të gjitha normave të tjera ligjore që rregullojnë pagat e zyrtarëve të lartë shtetërorë.

Ligji për Gjykatat, i cili hyn në fuqi më 1 janar 2013, në nenin 29 ka paraparë rregullimin e pagave për gjykatësit e niveleve të ndryshme të gjykatave. Përmes këtij neni, kryetari i Gjykatës Supreme e ka pagën ekuivalente me atë të Kryeministrit, ndërsa gjykatësit e kësaj gjykate me atë të ministrave. Edhe kryetari i Gjykatës së Apelit do e ketë pagën e njëjtë me atë të gjykatësit të Gjykatës Supreme, ndërsa gjykatësit e Apelit do ta kenë 90% të asaj page.

Projektligj shpërfill parimin e barazisë së pushteteve, degradon pozitën dhe autoritetin e gjyqësorit dhe ul besimin publik ndaj administrimit të drejtësisë”, thotë KGjK.

Të njëjtin rregullim ligjor, si me atë të Ligjit për Gjykatat, e gjejmë edhe në ligjin për Prokurorin e Shtetit, përkatësisht në nenin 21 të këtij ligji është rregulluar kompensimi për prokurorët. Tani me nenin 11, neni 29 i Ligjit për Gjykatat dhe neni 21 i Ligjit për Prokurorin e Shtetit, pas më shumë se një viti do të shfuqizohet dhe nuk do të vlejnë.

Arsyet e një rangimi të tillë të gjykatësve e prokurorëve, zëdhënësja Shufta thotë të jenë bërë pas kalkulimeve dhe analizave. “Kalkulimi është bërë sipas analizave të ndryshme dhe përcaktimi përfundimtar do të bëhet me aprovimin e ligjit”, i tha Shufta, gazetës.

“Bazë për rangim ka qenë situata e tanishme dhe përvoja nga shtetet tjera”, shtoi ajo.

Por Gazeta Jeta në Kosovë, pas një hulumtimi në internet ka gjetur se në Slloveni, dikur republikë jugosllave, tani shtet i Bashkimit Evropian, pagat e funksionarëve të lartë janë të rregulluara me ligj, por për dalim nga projektligji jonë, koeficienti i zyrtarëve të lartë shtetërorë është i njëjtë.

Sllovenia e ka rregulluar që presidenti, kryetari i parlamentit, kryeministri dhe kryetari i Gjykatës Supreme dhe ai i Kushtetueses e kanë koeficientin e njëjtë të pagesës, duke i barazuar të tre shtyllat e shtetit. Një koeficient më pak e ka kryeprokurori i Shtetit.

Edhe gjykatësit e gjykatave dhe prokurorët kanë nivel pak më të ulët se të ministrave, dhe secili gjykatës dhe prokuror është i ranguar varësisht nga niveli i gjykatës apo prokurorisë ku punon dhe rëndësia e lëndëve apo çështjeve me të cilat merret.

Për projektligjin e pagave ka reaguar Këshilli Gjyqësor i Kosovës përmes një komunikate zyrtare. KGjK-ja njofton se nuk është konsultuar fare e as që ka qenë në grup punues për punimin e projektligjit.

Ky është një kthim mbrapa i të gjitha përpjekjeve që janë bërë me Ligjin për Prokurorin e Shtetit dhe Ligjin për Gjykatat, që pagat të nivelizohen”, tha Shkelzen Maliqi.

KGjK-ja përmes reagimit të saj thotë “prej vitit 1999 deri me 2010 gjykatësit e Kosovës kanë qenë të paguar skajshmërish ulët, gjë që ka rezultuar edhe në një efikasitet të ulët në atë kohë. Duke parë një gjendje të tillë dhe duke reflektuar edhe mbi praktikat ndërkombëtare, qeveria dhe Kuvendi i Kosovës miratuan Ligjin për Gjykata dhe Ligjin për Këshillin Gjyqësor përmes së cilave krahas verifikimit të të gjithë gjyqtarëve u realizua edhe nivelizimi i pagave, me të cilin përmbushej një nga kërkesat e gjyqtarëve”.

“Projektligj shpërfill parimin e barazisë së pushteteve, degradon pozitën dhe autoritetin e gjyqësorit dhe ul besimin publik ndaj administrimit të drejtësisë. Në fakt, me vendosjen e pushtetit gjyqësor në pozitë më të ulët sesa pushteti ekzekutiv dhe legjislativ ky Projekt ligj nuk respekton as edhe Kushtetutën mbi të cilën është ndërtuar shteti i Kosovës”, vazhdon reagimi i KGjK-së.

Shkelzen Maliqi, nga Këshilli Prokurorial i Kosovës për Gazetën Jeta në Kosovë tha se nuk pajtohen me projektligjin dhe se e mbështesin reagimin e KGjK-së.

“Kur janë nxjerr ligjet është bërë shumë t’u nivelizuar pagat, e ky është një kthim mbrapa i të gjitha përpjekjeve që janë bërë me Ligjin për Prokurorin e Shtetit dhe Ligjin për Gjykatat, që pagat të nivelizohen”, tha Maliqi.

Edhe KGjK e konfirmon mospjesëmarrjen në draftimin e këtij ligji. “Nuk kemi marrë pjese në grup punues edhe për herë të parë e kemi parë në media projektligjin”. Sipas Maliqit, nuk ka prokuror që është i kënaqur me këtë ligj.

Nga ana tjetër, Ministria e Administratës Publike (MAP) thotë se me këtë ligji gjykatësit e prokurorët nuk do të kenë zvogëlim të pagave, por do të kenë rritje të tyre. “Me këtë ligj bëhet nivelizimi i pagave dhe mendojmë se me këtë ligj as gjyqtarët e as prokurorët nuk do të kenë uljen e pagave por do të kenë rritje”, tha zëdhënësja Birsen Shufta.

Në MAP theksojnë se propozimi do të përcillet në Kuvend për aprovim, ku prapë do të debatohet dhe amendamentohet.