“Altupharma” Paguan Pushimet e Drejtorit dhe Mjekëve

Drejtori i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Njazi Gashi, nga e marta e kësaj jave, po bën pushime në bregdetin turk, bashkë me bashkëshorten e tij, Sanien, infermiere në Klinikën e Ortopedisë, dhe një grup mjekësh të qendrës që ai drejton.

Kësaj radhe, drejtori Gashi, e as grupi tjetër i mjekëve, nuk kanë thuajse fare nevojë që ta fusin dorën në xhep. Është kompania farmaceutike “Altupharma”, ajo që ka vendosur të paguajë të gjitha shpenzimet e udhëtimit, hotelit dhe akomodimin për gjithë grupin e mjekëve.

Njazi Gashi, drejtor i QKUK-së

 

Sindikata e QKUK-së ka reaguar për udhëtimin e drejtorit Gashi. Xhemë Selmani, kryetar i Sindikatës së QKUK-së, ka thënë për gazetën “Jeta në Kosovë”, se nuk është normale në një moment shumë të ndjeshëm, drejtori të marrë pushim dhe të ikë në Turqi, me mjete të një kompanie private.

“Kjo është edhe konflikt interesi”, sqaron Selmani, sipas të cilit, kompanitë farmaceutike kërkojnë si kundërshpërblim nga mjekët e QKUK-së t’iu përshkruajnë pacientëve barna të tyre.

Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik, në nenin 7 përcakton se “konflikti i interesit është gjendja e mospajtimit ndërmjet detyrës publike dhe interesit privat të një zyrtari, kur gjatë ushtrimit të funksionit të tij zyrtari ose personi i afërt ka interes privatë pasuror ose personal jo pasuror, të drejtpërdrejtë ose të tërthortë, që ndikon, ose mund të ndikojë në kryerjen në mënyrë të drejtë të funksionit publik, kur gjendet në situata të shkeljes së mundshme të parimeve, të kufizimeve dhe ndalesave apo detyrimeve, sipas dispozitave të këtij ligji”.

Pa dashur “të parashikojë” nëse Gashi dhe mjekët që po pushojnë falas në brengdet, kur të kthehen do të përshkruajnë barnat e “Altupharmës”, Selmani tha se gjendja nëpër të cilën kalon QKUK-ja, sidomos këtë kohë kur është konkursi për drejtor klinikash në QKUK, si dhe kur ka pakënaqësi nga ana e punëtorëve të higjienës, nuk ka kohë për pushime të drejtorit.

Në anën tjetër, Hasan Bajrami, pronar i kompanisë “Altupharma”, nuk ka pranuar të flasë për arsyet që e kanë shtyrë kompaninë që ai e drejton, t’ua paguajë drejtorit Gashi dhe një grupi mjekësh pushimet “pranverore” në bregdetin turk, më saktësisht në Antalya. “Nuk dua të komentoj”, ka thënë ai.

Në Ministrinë e Shëndetësisë (MSH), drejtori Njazi Gashi ka dërguar formularin për shfrytëzimin e pushimit vjetor. Këtë e konfirmon edhe ushtruesi i detyrës së sekretarit të Përhershëm të MSh-së, Gani Shabani. 

“Drejtori ka sjellë tek ne formularin për pushim, e ku ka shku për pushime unë nuk jam në dijeni”, tha Shabani. Reagimet e sindikatës së QKUK-së, sipas Shabanit, duhet të jenë të mbështetura.

Ai tha se ka dëgjuar jozyrtarisht që disa kompani farmaceutike kanë dërguar disa doktorë, përfshirë këtu edhe drejtorë institucionesh shëndetësore në këso udhëtimesh. Por Shabani, ka insistuar se nuk duhet të paragjykohet. Nëse ka ndodhur diçka e jashtëligjshme, ai thotë se në bazë të kompetencave që ka, do të shqyrtojë ndërmarrjen e masave adekuate.

Gazeta JnK ka provuar të marrë një prononcim edhe nga drejtori Njazi Gashi, por ai nuk e ka hapur telefonin.

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese, edhe vitin e kaluar, ka raportuar se si mjekët shkojnë në pushime me mjete të kompanive (të tjera) farmaceutike, me kusht që të përshkruhen barnat e këtyre kompanive.