Vrasja e Mistershme e Salih Dukatit

Dikur ishte i fuqishëm me biznesin e tij. Njihej nga të gjithë. Zeja e argjendarisë i kishte sjellë atij prosperitet, mirëqenie dhe emër në gjithë vendin. Në Pejë e quanin Sali Dukati. 

Sali Kastrati biznesin e kishte filluar që në vitet e 80’ta me dyqanin “Te Salihi”. Ishte profesionalizuar në argjendari, bënte punime (gdhendje) të ndryshme për shijet e blerësve të tij, që ishin të shumtë, sidomos gdhendje të shqiponjave.

Gjithçka i ecte mirë. Deri pas luftës. Atëherë, atij ia mësynë njerëzit e haraçit. Dhe nuk përfundon çdo gjë vetëm me haraçin pasi, siç thonë familjarët, atë e kishin përcjellë për 12 vjet njerëz të ndryshëm “derisa ia shkatërruan biznesin”. Në fund e vranë. 

Kastrati ishte plagosur për vdekje tek shtëpia e tij, më 15 mars 2012. Ai po kthehej nga gjykata ku sapo ishte dënuar me 800 euro gjobë për armëmbajtje pa leje pasi kishte shtënë në ajër kur ishte plagosur herën e parafundit. Pas një muaji në spital, vdiq në komë, në moshën 63 vjeçare.

Kastriot Kastrati (29), djali i biznesmenit të ndjerë, kishte dëgjuar për haraçin për herë të parë në vitin 2000. Atëbotë, ai ishte i ri. Kishte tingëlluar e pazakonshme kur babait të tij kishin ardhur t’i kërkonin para “nëse dëshironte të punojë më tej”. Kërkuesit ishin njerëz të fuqishëm të asaj kohe, thotë Kastrioti. Mes tyre, siç pretendon ai, edhe familjarë politikanësh të njohur të vendit që i kishin marrë atij rreth 50,000 marka gjermane.

Por, sipas Kastriot Kastratit, 11.20 ari truall përballë shtëpisë së mallrave në Pejë ishin bërë shkaku që çoi deri të ngatërresa dhe vrasja e babait të tij. Kjo pronë, tha ai, ishte blerë në vitin 1980 nga një familje serbe e njohur si familja Rajeviç nga familja e Salih Kastratit. Në vitin 2009, në pronën që familja thotë se e ka me dokumente, Salihu kishte rrënuar disa dyqane të vjetra me qëllim ndërtimi të një objekti të ri – si qendër tregtare. “Por u pengua nga Tahir Daci dhe Hajrie Rama, persona këta që merren me biznes”, ka thënë Kastrioti. Sipas tij, këta dy persona kishin pretendime që pronën ta marrin për vete ndërsa e kishin edhe mbështetjen e policisë së Pejës. “Puna ishte ndërprerë shkaku i kërcënimeve”, thotë ai.

Me biznesmenin Tahir Daci, Kastrati ishte njohur nga një biznes që e kishte pasur më parë, thotë Kastrioti. Në një marrëveshje mes tyre, Salih Kastrati ia kishte lënë peng dyqanin e tij “Te Salihi” derisa t’ia kthente Tahir Dacit 195,000 euro që ia kishte marrë borxh. Kastrioti nuk dinte shumë për këtë biznes. Por, ai e dinte që afatin e kthimit të parave e kishte pas 3 muajsh. Babai i tij kishte shkuar te Tahir Daci pas dy muajsh për t’ia kthyer paratë, mirëpo ky i fundit nuk e kishte pritur “si partner biznesi”. Ai tash kërkonte 500,000 euro, me arsyetimin se borxhliu e kishte shkelur afatin e kthimit. Diferenca ishte kamatë. “Madje e kishte kërcënuar me kokën e tij dhe timen nëse paratë nuk ia sjell”, thotë Kastrioti. Sali Kastrati nuk kishte mundësi t’ia kthente paratë dhe përballë këtyre kërcënimeve të Dacit, ishte detyruar që t’ia japë atij lokalin më 2010, sipas Kastriotit. Ky ishte edhe fundi i dominimit të Salih Dukatit në tregun pejan të arit, të njohur në gjithë vendin. 

Mirëpo biznesmeni Tahir Daci ka thënë për Gazetën Jeta në Kosovë se në fakt ai e kishte blerë dyqanin të “Te Salihi” dhe ka mohuar akuzat për kërcënim. Po ashtu, ai ka thënë se pas luftës kishte blerë 5 ari tokë së bashku me Hajrie Ramën në qendër të qytetit, tek “Korzo”. Në vitin 2010, tha Daci, ai së bashku me Ramën kishte bërë ndërrim të parcelës me komunën e Pejës. Sipas tij, ata të dy dhe Salih Kastrati ishin të gjithë hisedarë të parcelës prej 11.20 ari – ku ky i fundit ëndërronte të bënte qendrën e tij tregtare.  

“Nuk e di çfarë bëri Salih Kastrati me dokumentacion, por ai e kishte vënë tërë pronën në emrin e tij pa dijeninë tonë” Hajrie Rama 

“Nuk e di çfarë bëri Salih Kastrati me dokumentacion, por ai e kishte vënë tërë pronën në emrin e tij pa dijeninë tonë”, ka thënë Hajrie Rama, për gazetën Jeta në Kosovë. 

Prandaj, tha ajo, së bashku me Tahir Dacin, në vitin e kaluar kishte ngritur një padi civile në gjykatën e Pejës për “pengim të posedimit” të pronës nga Salih Kastrati. 

“Për më shumë, familja Kastrati neve na i ka borxh diku 500 mijë euro”, ka thënë ndërkohë Tahir Daci. “Ai manipuloi me shumë njerëz duke u marrë para për ndërtimin e kësaj qendre të madhe dhe duke mos ua kthyer më e duke mos iu përmbajtur zotimeve”.

Por Kastriot Kastrati pretendon se Daci dhe Rama i kishin kërkuar babait të tij 1.5 milionë euro që t’i heqin pengesat gjyqësore që i kishin vënë ndaj tij lidhur me pronën përballë shtëpisë së mallrave më 2010. Pohimi është hedhur poshtë nga dy biznesmenët në fjalë. 

Kastrati ishte sulmuar dhe gjuajtur katër herë në dekadën e fundit. 

Sipas të dhënave të organeve të drejtësisë, herën e parë ai është sulmuar nga Sh.Sh., boksier nga Peja. Ai besohet se i kishte zënë pritën tek dera e shtëpisë ku e kishte rrahur me një shufër metali. Në herën e dytë Kastrati është plagosur me armë zjarri. Në mëngjes të asaj dite ai ishte kërcënuar, sipas familjes. Ndërsa në janar të këtij viti ai është gjuajtur me mjet shpërthyes, pranë parcelës së tij. 

Sulmi i fundit, që ishte edhe fatal për Salih Kastratin kishte ndodhur në shtëpinë e tij, ku dora  e krimit kishte vendosur mjet shpërthyes në derë. Në gjendje të rëndë shëndetësore ai dërgohet në QKUK për shërim. Pas disa javësh atij iu keqësua gjendja dhe më pas vdiq.

Kastriot Kastrati

Kastrioti tregon për vuajtjet dhe friken që e kishte pasur familja e tij gjatë kësaj kohe. “Nuk kemi qenë të sigurt as të dalim jashtë shtëpisë me frikën që do na gjuajnë, edhe sot ndihemi të pasigurt”, thotë ai. 

Problemet e familjes Kastrati vazhdojnë edhe pas vdekjes së Saliut. Vajza e tij, Besarta Harxhi, ishte kthyer për disa ditë nga SHBA, ku jeton me familjen e saj, për të qëndruar pranë babait në ditët e fundit të jetës së tij, në QKUK. Policia kishte disa punë edhe me të. Të martën, më 8 maj, asaj i është bastisur shtëpia në Pejë, dhe është arrestuar e është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh. Prokuroria e qarkut në Pejë kishte kërkuar ndalimin e saj me pretendim se ishte e përzier në rrëmbimin e të riut, Fidan Shabi, që u gjet të shtunën i vdekur në Pejë, pas zhdukjes disaditore, sipas familjes Kastrati. 

Në një shkresë të prokurorisë së qarkut të cilën e ka siguruar gazeta, nuk shënohet se për cilin rast bëhet fjalë, por vetëm për dyshimin e rrëmbimit të personit.

Njëri nga avokatët e familjes, Orhan Basha,thotë se vetëm gojarisht ka mësuar nga zyrtarët policorë arsyen e arrestimit të Besartës. 

Vëllai i saj, Kastrioti, thotë se policia po e bën këtë me qëllim të shpërqendrimit të vëmendjes nga ajo që ka ndodhur ndaj kësaj familje. Madje, ai ka përmendur disa emra të zyrtarëve policorë si të përzier në ngjarjet e fundit rreth babait të tij dhe në afera kriminale kundër familjes e biznesit të tyre. 

Policia thotë se çdo gjë është në fazën e hetimeve. Xhevat Ibra, zëdhënës rajonal i policisë në Pejë, e hedh poshtë mundësinë e përzierjes së ndonjë zyrtari policor në këto afera kriminale. Ai shton se asnjë oficer i policisë nuk është duke u hetuar lidhur me këto raste. Pretendimet e kundërta i quan “llafe kafenesh”. 

Familjen Kastrati e presin seanca potenciale gjyqësore deri në zbardhjen e rasteve që përfshijnë anëtarët e saj. Një person i dyshuar tanimë është i arrestuar. Memli Pajazitit i është caktuar paraburgimi derisa zhvillohen hetimet. Por Kastrioti thotë se të përzier janë edhe persona të tjerë. 

Përderisa djali i Salih Kastratit i ka thënë policisë se vrasja e babait të tij është e ndërlidhur me këso mosmarrëveshje biznesi, Gazeta Jeta në Kosovë nuk ka prova se këto pohime janë të sakta dhe policia deri më tash ka refuzuar të komentojë për hetimet e saj.