Fluturake për Klubin me një Pilot

Klubi i Aeronautikës “Kastrioti” nga Ferizaj së shpejti do të bëhet me një fluturake dhe dy paragllajde të cilat janë blerë me paratë e komunës. 

Për vitin 2012, komuna e Ferizajt ka ndarë për drejtorinë për kulturë, rini dhe sport një shumë prej 482.913 eurosh ndërsa vetëm për sport janë planifikuar më shumë se 100.000 euro. Në planifikimin e buxhetit për 2012, drejtoria kishte ndarë 24.000 për rekuizita sportive të cilat ishin dedikuar për klubin e aeronautikës.

Klubi ka bërë kërkesë vitin e kaluar në komunë, në drejtorinë për sport, e cila e kishte aprovuar kërkesën dhe me 12 prill 2012 bëhet hapja e tenderit ku merrnin pjesë dy kompani, “GMI” nga Ferizaj dhe “AGS” nga Komorani. 

Me 25 prill, komuna shpalli fituese kompaninë GMI e cila kishte ofertuar çmim më të lirë, 20.390 euro. Ndërsa, kompania e dytë ishte për 820 euro më e shtrenjtë.

Drejtori i tanishëm, Ronit Abdullahu, thotë se ka pranuar zyrën e kulturës, rinisë dhe sportit më pak se një muaj pasi që ish-drejtori Naim Ferati ishte larguar për të marrë pjesë në zgjedhjet e fundit në Ferizaj.

Abdullahu thekson se prioritet i ishte dhënë futbollit, basketbollit, hendbollit por se komuna ka paraparë edhe blerje të rekuizitave sportive.

“Unë sapo kam marrë këtë zyre. Këtë planifikim e kam gjetur kësisoj”, thotë Abdullahu.

Ish-drejtorit, Naim Ferati i kujtohet për ndarjen e buxhetit për klubin e aeronautikës. “Unë iu kam premtuar atyre për këtë blerje dhe kam ndarë buxhetin për këtë punë. Sot nuk e di se çfarë ka ndodhur”, Ferati i tha Gazetës jeta në Kosovë.

E ndonëse futbolli e hendbolli janë deklaruar prioritete, ato këtë vit kanë marrë më pak ndihmë nga komuna. 

Kryetari i klubit të hendbollit, Lulzim Abazi thotë se klubi ka marrë donacionin e parë nga komuna për këtë sezon.“Për vitin 2012 kemi marrë 7.000 euro mirëpo presim se do të ketë edhe të tjera deri në fund të këtij sezoni”, Abazi i tha Gazetës Jeta në Kosovë.

Ndërsa, klubi i futbollit të qytetit ka marrë rreth 12.000 euro për këtë sezon dhe po ashtu edhe ky klub pret për ndihmë shtesë. “Ne jemi ekip publik. Jemi klubi i qytetit. Kemi pranuar këtë shumë e cila shkon vetëm për mirëmbajtje të stadiumit”, tha Gazmend Bytyqi, kryetar i klubit.

Ai theksoi se komuna ka dhënë 20.000 euro për vitin e kaluar ndërsa donacionet private kanë shkuar deri në 50.000 euro. 

Furnizim i pazakonshëm

Gazeta Jeta në Kosovë ka përcjell këtë tender për shkak të një furnizimi të pazakonshëm që më pastaj ka ngjallur dyshime. Asnjëra nga kompanitë nuk kishte përvojë në këto fusha pasi që asnjëherë nuk ishin marrë me këtë lëmi.

Zyra e prokurimit të komunës së Ferizajt i ka treguar gazetës dosjen e këtij tenderi me ofertën e kompanisë fituese për të cilën thotë se i ka përmbushur kërkesat. Por aty nuk vërehet oferta e kompanisë humbëse për të parë se çfarë ka ofruar përveç çmimit. 

Në dosje janë vërejtur dokumente që kishin të bënin me kompaninë fituese GMI që kishte plotësuar formularin e cila përmbante çmimet e fluturakes, paragllajdëve dhe artikujve tjerë përcjellës ndërsa mungonin dokumente tjera si ato të prejardhjes së fluturakes, sigurimi, shënime të servisit, pagesa e doganës për të cilën kompania fituese thotë se ka paguar doganë në çmim prej 800 deri në 900 euro. 

Por komuna thotë se kushtet e tenderit ishin përmbushur nga kompanitë. “Ato specifika teknike që kemi kërkuar janë përmbushur nga kompania në fjalë”, tha Abdurrahman Uruçi, udhëheqës i zyrës së prokurimit.

Nazim Hoxha

Uruçi shtoi se kjo është vërtetuar nga komisioni vlerësues i përbërë nga Skender Baftiu, zyrtar i prokurimit, Agon Zhinipotoku, zyrtar i drejtorisë së sportit dhe Nazim Hoxha, zyrtar i klubit të aeronautikës.

“Ky i fundit është ekspert për këto çështje dhe komisioni ka vlerësuar se e gjitha është në rregull,” tha Uruçi.

Ai shtoi se kontrata do të bëhet së shpejti me kompaninë fituese pasi që afati për ankesa ka kaluar dhe pastaj do të bëhet transferi i shumës së parave.

“Kontrata do të bëhet dhe atëherë do të formojmë komisionin pranues, për pranimin e mallit”, shtoi Uruçi.

Ndonëse kontrata ende nuk është nënshkruar dhe paratë nuk janë transferuar për blerjen e deltaplanit, ai veç përdoret nga Ragip Sokoli – pilot i vetëm i klubit i licencuar dhe mjeshtër i motoçikletave sportive – dhe mbahet në garazhin e tij. 

Ideal Shala, pronar i kompanisë hubëse AGS, Allmakes Global Services, i kontaktuar nga gazeta, ka thënë se kompania bene servise te automobilave KIA dhe se nuk ka lidhje me tenderin në fjalë. Mirëpo, më vonë, ai verifikoi tek departamenti i prokurimit dhe tha se kompania kishte marrë pjesë në këtë tender dhe kishte humbur për shkak të çmimit më të lartë.

Kompania fituese nuk ka dëshmi për origjinën e fluturakes

Kompania fituese, GMI nga Ferizaj, me pronar Faton Bajraktarin, tregoi se kompania e tij ka dalë fituese për shkak të çmimit më të lirë.  

Bajraktari tha se vetëm fluturakja ka kushtuar 11.484 euro ndërsa dy paragllajdet kanë kushtuar 3.815 euro.

“Unë në fakt kam dashur që t’i ndihmoj klubit me këto çmime”, Bajraktari i tha Gazetës Jeta në Kosovë.

Ai nuk ishte në gjendje që të paraqes dokumentet e doganës për fluturaken për të cilën thotë se ka paguar diku prej 800 deri në 900 euro. 

Ndërkohë, ai tregon se fluturakja ka arritur nga Zvicra, vitin e kaluar,  dhe se e kishte blerë nga një mërgimtar nga Kosova.

Bajraktari refuzoi të tregojë edhe emrin e personit prej të cilit e kishte blerë atë. Po ashtu, ai tha se ka munguar zyrtari i prokurimit për vlerësimin e mallit.

Ai tha se kishte dërguar fluturaken dhe pajisjet tjera tek piloti i klubit, Ragip Sokoli, ku ky thotë se i kishte pranuar para vetëm një jave.

Reklamat në deltaplan nxisin dyshime tjera

Disa reklama të ngjitura në deltaplan nuk korrespondonin me një mall i cili ka arritur në Kosovë me destinim shitje përmes një tenderimi. 

HiB, Ben Af, Mega dhe Bavaria ishin emrat e kompanive të ngjitura në fluturake, që zakonisht paraqesin emra të sponsorizuesve.

Sokoli nuk ka dhënë ndonjë shpjegim të qartë për këto reklama duke shtuar se shpreson se në të ardhmen këto kompani mund të sponsorizojnë klubin.

“Unë mund të them se kompania në fjalë ka sjell deltaplanin e mirë dhe me çmim të mirë”, tha Ragip Sokoli, i cili është piloti i vetëm i klubit aeronautik dhe instruktor aty. Malli ndërkohë gjendet në lokalin e tij privat, ku punon si mjeshtër i motorëve të shpejtë, dhe thotë se është diler i autorizuar i Hondas.

Edhe fotoja e deltaplanit është vërejtur po ashtu tek klubi i aeronautikës “Kastrioti” në Ferizaj ku rastësisht Sokoli paraqitet dhe për të cilën thotë se kishte sjell po atë ditë (kur është intervistuar nga gazeta), më 9 maj.

“I kam printuar dje dhe i kam sjell sot në klub”, tha Sokoli.

Edhe zyrtari i prokurimit, Uruçi, thotë se fotoja ku shihet Ragip Sokoli në deltaplan ishte në mesin e dokumenteve që kishte futur në tender kompania GMI kur kishte ofertuar.  Përndryshe ai ka thënë se reklamat e tri kompanive që shihen deltaplan do të largohen. “Do t’i largojmë ato pasi që deltaplani të jetë pronë e komunës”, tha ai.

Ragip Sokoli thotë se fotoja e tij në fluturake e që gjendej në ofertën e GMI-së ishte bërë në një fluturake tjetër. Sidoqoftë, ajo dukej se ishte e njëjta fotografi të cilën Sokoli thoshte se e kishte dërguar në klub më 9 maj.

Klubi i lumtur

 

Kryetari i klubit, Xhemajl Ilazi thotë se më në fund anëtarët e klubit do të fillojnë me praktikë nga instruktori i vetëm i licencuar – Ragip Sokoli.

Ilazi tha se grupi prej 15 personave, nxënës të shkollave të mesme, shumica nga Ferizaj kanë kryer teorinë për aeronautizëm dhe se shumë shpejt do të fillohet me praktikë.

“Jemi të kënaqur dhe falënderojmë organet komunale për këtë ndihmë. Klubi i Ferizajt ka emër për aeronautikë”, thotë Ilazi.

Klubi ka dalë në zyre të reja në vitin 2007 ku edhe kishin një punëtori ku anëtarët më të rinj të klubit modelojnë fluturake të vogla dhe me të cilat organizohen gara. Klubi kishte zënë tri herë vendet e para.

Drejtoria e sportit i kishte ndarë klubit një shumë prej 1.000 euro për të blerë materiale të ndryshme për modeluesit.

Ilazi thekson se nevoja për ndihmën ndaj klubit ka qenë e njohur për komunën. Ai thotë se ka shumë të rinj të interesuar për këtë sport, se i njëjti po ecë përpara në rajon dhe se në 65 vitet sa ekziston ky klub ka nxjerrë emra të njohur aviacioni.