Eprorët Marrin Veturat e Reja për Vete

Policia e Kosovës nuk është duke u përkujdesur për paisjen dhe sigurinë e pjestarëve të saj. Kështu ndihen policët kosovarë të cilët gjithnjë e më tepër po forcojnë protestën e tyre ndaj kushteve të punës.   

Në kushte anonimiteti, tre policë të Kosovës kanë vazhduar të tregojnë për Gazetën Jeta në Kosovë problemet e tyre lidhur me furnizimet, veçanërisht me vetura. Kjo ndodhë ngase, sipas tyre, veturat e reja shpesh i marrin eprorët policorë për vete.

“Kur ka pak vetura, zakonisht i marrin një herë eprorët e lartë, i mbajnë ato, e ato që janë më të vjetra i lshojnë më poshtë”, thotë polici i parë i intervistuar.

Këtë rrugë të vetrave policore e konfirmon edhe zyrtari tjetër i Policië së Kosovës,  i cili e mban gradën e rreshterit. “Veturat e reja i vozisin kryesisht shefat, pastaj kur dalin prej përdorimit, na i sjellin neve”. Sipas këtij polici, procedurat e brendshme në nuk lejojnë që gjithmonë eprorët të marrin veturat e reja mirëpo kjo vazhdon të ndodhë. 

Polici i tretë ka treguar se si ndodhë që eprorët i marrin veturat në shtëpi dhe në raste të caktuara policët gjatë ndërrimit të natës mbesin krejt pa to. “Me qëllu në ndërrim të natës, mbetesh pa kerr krejt se i marrin edhe në shtëpi. I kanë me urdhër operativ. Patrullat dalin në këmbë. Ose krret rrinë në stacion, qelsat janë fshehur, ose ti nuk guxon me e prek atë kerr dhe u kry ajo punë”, tregon polici.

Behar Selimi

Rrëfimi është mbështetur nga ish drejtori i Policisë së Kosovës, Behar Selimi, tani deputet në Parlamentin e vendit nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK). “Kryesisht veturat e mira i kanë marrë eprorët e niveleve të larta. Kjo është një trashëgimi e keqe”, thotë Selimi. 

Por Naim Rexha nga Drejtoria Qendrore e Policisë së Kosovës ka thënë se nuk “ka ndarje selektive të veturave”.

Naim Rexha

Policia ka rreth 700 vetura në dispozicion për t’i përdorur, ndërsa rreth 8000 policë në gjithë vendin. Në disa rajone policët janë ankuar për mungesa të saj, ndërsa qytetarët janë paraqitur me peticione në kërkim të mbrojtjes policore nga vjedhjet. 

Policë dhe të pa sigurtë 

Policët ankohen edhe për sa u përket paisjeve të tyre, por problem kryesor për ta paraqet mungesa e sigurisë sociale në punë, sidomos në lidhje me rastet e lëndimit ose vrasjes në detyrë. 

Sipas ligjit aktual të policisë, nëse një pjesëtar vritet në detyrë familjes së tij shteti i Kosovës i garanton një kompenzim me gjashtë paga të policit, që i bie rreth 2000 euro, si dhe një pension për familjen e tij me 80 për qind të pagës së policit që është rreth rreth 300 euro.

Ky nuk duket kujdes që ofron siguri për policët, thonë ata. 

“Duke e parë këtë situatë duhet me mendu më shumë, dhe si të mendohesh nuk mundesh me ia dalë. Këto janë ato problemet që ne ballafaqojmë ditë për ditë në detyrë zyrtare”, thotë zyrtari i parë policor, i cili ka folur për Gazetën Jeta në Kosovë. 

“Ne jemi një dikaster i cili ka punë të përhershme, nuk jemi me afat të shkurtë kohor ose veç një mision dhe ‘u kry puna jonë’. Kemi të bëjmë me një gjysmë jete në punë dhe nëse e humbim atë ajo rregullore u garanton familjeve tona 1,800 euro, mirëpo nuk i plotëson nevojat familjare”, thotë rreshteri tjetër me të cilin ka folur gazeta.

Por policia insiston se kujdesi ndaj anëtarëve të saj të rënë në detyrë është i vazhdueshëm dhe brenda mundësive. “Familja gëzon benifitet e caktuara, duke filluar nga shpenzimet e varrimit dhe pagës për të…është e rregulluar brenda mundësive”, thotë nënkoloneli Naim Rexha.

Rexha nuk dëshiron të komentojë ankesat e kolegëve se ligji i policisë nuk u garanton siguri për shkak se, sipas tij, “polici është vetëm për ta zbatuar ligjin e jo për ta komentuar atë”.

Letra në Ministri, që nuk kthehet  

Polici Arsim Rustolli, nga Dumnica e Mesme e Vushtrrisë, kishte humbur jetën në një përleshje të armatosur gjatë vitit 2004 në rajonin e Podujevës, derisa po patrullonte së bashku me një polic nga Gana që po ashtu ishte vrarë.

Vëllai i të ndjerit, Ismet Rrustolli, thotë se problemi më i madh për këtë familje është harresa e saj nga organet e shtetit. Sipas tij, që nga vrasja, familja është vizituar vetëm një herë nga drejtori i policisë dhe askush tjetër nga zyrtarët shtetrorë.

Mazllum Bajraktari

Polici Mazllum Bajraktari ka humbur aftësinë për të lëvizur në një aksident gjatë kryerjes së detyrës zyrtare, por nuk ka marrë dëmshpërblim institucional nga Policia e Kosovës për lëndimin, përjashto ndihmat individuale nga kolegët. Tani ai punon në administratën policore, por thotë se vazhdon të ketë nevojë për ndihmë për të lëvizur. 

Ai i ka bërë një kërkesë Ministrisë së Brendshme dhe po pret përgjigje. Që nga fundi i vitit 2011. 

Policia nuk ka dhënë shifra se sa mund të jetë numri i pjesëtarëve të saj të lënduar rëndë në detyrë. 

Tridhjetekatër policisë të Kosovës janë vrarë deri më tash, ndërsa vetëm 14 prej tyre janë klasifikuar të kenë pasur “vdekje në detyrë” – gjë që i bënë familjet e këtyre të fundit të marrin beneficionin e pagës bazë dhe gjashtë rrogave në një vend, në fillim. 

Tash deputeti Behar Selimi ka ngritur një iniciativë në Parlament për ta rregulluar më tej këtë fushë. Por ajo ende nuk është përkrahur nga deputetët tjerë me arsyetimin se nuk ka mjete financiare. “E kam bërë një studim dhe kam dalë me propozime konkrete. Mirëpo është menduar se do t’i kushtojë buxhetit”, tha Selimi. 

Qasja e institucioneve nuk është duke kënaqur pritjen e policëve. 

Përkundër disa lëvizjeve të kohës së fundit, zyrtarët e Sinidikatës së Policisë së Kosovë janë të mendimit se përkujdesi momental për policët nuk mjafton. “Policia e Kosovës është njëra ndër policitë e vetme në botë e cila nuk ka sigurim shëndetësor”, tha Shaban Tasholli, zyrtar në këtë sindikatë. 

Mirëpo, sipas Tashollit, kjo prapë nuk është arsye e mjaftueshme që policët të dalin në protestë.

Policët e intervistuar nga gazeta e që kanë folur në kushte anonimiteti kanë shfaqur ndërkohë shenja msbesimi edhe ndaj sindikatës policore. 

“Sindikatë aktive nuk ka prej kur  janë mbledhur Njësitë Speciale në protestën e Kishnicës”, tha njëri nga tre policët e intervistuar thotë polici i intervistuar. Sipas tij, madje kohëve të fundit shumë policë po largohen nga sindikata. Sindikata e Policisë thotë se ajo është organizëm vullnetar.

“Ka shumë për gjëra për të cilat duhet të protestojmë”, thotë polici tjetër. “Për momentin, askush nuk po vepron që të na organizojë”.