Lufta për Karrigen Që Erdhi e Gërvishur

Një karrige stomatologjike e blerë nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Prishtinë (QKMF) për qendrën numër 6 në Bregun e Diellit e që ka kushtuar 8,680 euro, ka nxitur polemika mes zyrtarëve në shëndetësinë primare.

Karrigeja ishte blerë në tender prej kompanisë “Edi Med”, me pronar Bedri Buzukun, në dhjetor 2011, por nuk është vetëm çmimi i saj arsyeja e polemikave ndërmjet stomatologut nga QMF numër 6, Hasan Beqajt, drejtorit të QKMF-së Abdullah Hotit, ish shefit të poliklinikës stomatologjike Orhan Kurtollit si dhe shefit aktual të kësaj poliklinike Fuat Prestreshit.

Në prill të vitit të kaluar, stomatologut Hasan Beqaj i ishte prishur karrigeja. Siç thotë ai, në atë kohë kishte insistuar tek menaxhmenti që t’i rinovohej karrigeje stomatologjike në të cilën punonte, apo t’i blihej një karrige e re. Vetëm në këtë mënyrë, pacientët e tij nga Lagjia Bregu i Diellit në Prishtinë, do të mund të merrnin shërbimin dentar.

Por një zgjidhje e përkohshme që bëri doktori, duke shfrytëzuar karrigen e koleges së tij, duket se u bë afatgjatë. Deri në prill të këtij viti, karrigeja e blerë nuk u instalua, kurse e vjetra ishte çmontuar.
Në një intervistë për Jeta në Kosovë, doktori Hasan Beqaj ka zbrazur mllefin e tij për mosrregullimin e karriges stomatologjike.

Ish-shefi i poliklinikës stomatologjike Orhan Kurtolli ka shkuar menjëherë në QMF në Bregun e Diellit për të kërkuar nga Beqaj që të tërheqë deklaratat. “Erdhi dhe më kërkoi që të tërhiqem. Më tha, nali gazetarët. Unë i thashë as nuk i kam nis, e as nuk i ndaloj. Janë ankuar qytetarët dhe ata kanë drejtat e tyre”, përshkruan doktori Hasan Beqaj, takimin me ish shefin e tij Orhan Kurtollin, në muajin shkurt.

Dhe sipas Beqajt takimi ka përfunduar me një deklaratë të prerë të Orhan Kurtollit. “Më tha ‘nëse fundosem unë, do të fundosë edhe ty’”, tregon Beqaj.

Pas këtij takimi, nuk kishte shkuar gjatë dhe në ordinancën në Bregun e Diellit, pos shefit aktual të poliklinikës së stomatologjisë Fuat Prestreshit, kishte shkuar edhe drejtori ekzekutiv i QKMF-së në Prishtinë, Abdullah Hoti.

Edhe me ta, Hasan Beqaj, nuk ishte ndarë këndshëm. “Unë i tregova doktor Hotit që nuk kam ku punoj dhe pacientët nuk po kanë ku të kryejnë shërbime. Ai menjëherë ma preu e më tha: ‘Nuk po ke ku punon…Mirë more, po të gjej unë punë sa të duash, të çoj diku në katund…’”.

“Pastaj, më tha ‘ti do ikësh në pension shpejt, mirëpo djalin e ke këtu’. Dhe kur ma tha këtë, i thashë po kërcënohesh…”. Sipas Beqajt, Hoti e kishte pohuar këtë.

foto  
Dr.Hasan Beqaj  

 

Ndaj stomatologut Hasan Beqaj nuk është ndërmarrë asnjë masë lidhur me deklarimet e tij publike. Por shefi i poliklinikës Fuat Prestreshi ia mohon të gjitha deklaratat. Thotë se as nuk është biseduar për gjëra çfarë pretendon Beqaj. “I kemi thënë ‘pse nuk ke lajmëruar që karrigeja është e prishur dhe nuk ke punuar, por vetëm ke ndenjur’”, thotë Prestreshi.

Edhe paraardhësi i tij, Orhan Kurtolli, mohon akuzat e Beqajt. “Për fjalë të nderit nuk e kam përmend fundosjen. Doktori tashmë po më habit me këto deklarata”. E njëshi i qendrave të mjekësisë familjare të Prishtinës, Abdullah Hoti, as që i komenton deklaratat e Beqajt. “Demokraci është tash. Gjithkush ka të drejt të thotë çfarë mendon. Nuk dua t’i komentoj këto deklarime”, thotë Hoti.

Ndërkohë, Hoti thotë se po heton situatën pse me muaj të tërë karrigeja nuk është funskionalizuar dhe pse ajo ka mbërritur në QMF numër 6 e gërvishur.

Sa i përket renovimeve të pajisjeve të vjetra, ai thotë se ato janë bërë pasi është parë se ka mundësi që të renovoheshin.

“Pastaj këtë të renë e dërguam në QMF numër 8 në lagjen Arbëria, pasi atje ishin nevojat më të mëdha se sa në Breg të Diellit, ku mundësia ka qenë që të intervenohej në karrigen e vjetër”.

Por, Beqaj thotë se intervenimi nuk është bërë në të vjetrat me kohë, pasi rinovimi nuk kushton shumë.

“Me blerjen e karriges së re, atëherë mbetet diçka…”, thotë ai, duke këmbëngul se blerja e asaj karrigeje “mban erë”.

Gazeta “Jeta në Kosovë”, ka pyetur për çmimet e karrigeve stomatologjike dhe ato silleshin, varësisht prodhuesit, prej dy mijë euro e deri në 15 mijë euro. Kurse ligjet e prokurimit, sipas zyrtares së prokurimit në QKMF Hajrije Beqiraj, nuk lejojnë që të ceket prodhuesi.

foto  
Dr. Orhan Kurtolli  

 

Por, Hasan Beqaj këmbëngul se karrigeja që kanë blerë në QKMF me çmim prej afro 9 mijë euro, me të gjitha pajisjet, “në treg nuk kushton më shumë se dy mijë euro”.

Sipas tij, kompania shitëse, i kishte lënë në dorë “pataten e nxehtë”, poliklinikës stomatologjike, duke i sjellë karrigen e përdorur.

Megjithatë, në tender kishin konkuruar edhe dy kompani tjera, që kishin çmime më të larta se çmimi që kishte ofruar kompania fituese e tenderit.

Edhe Orhan Kurtolli, ish shefi i stomatologjisë, thotë se e kishte pranuar karrigen pa të gjitha pajisjet, pasi i kishte besuar pronarit të kompanisë “Edi Med”, Bedri Buzukut.

“Thënë të drejtën, ai tha se do ta montojë. Unë i besova dhe ai pastaj filloi të neglizhojë. Nuk e kam ditur se ajo karrige nuk ka qenë komplete”. Si presion shtesë sa ka qenë menaxher, Kurtolli tregon një mesazh telefonik që i kishte dërguar Buzukut, ku e kishte ngarkuar atë si përgjegjës të gjithë kësaj neglizhence, duke i thënë po ashtu se do ta denonconte në drejtoratin e shëndetësisë. Por, Abdullah Hoti insiston se neglizhent këtë rast është treguar edhe Kutrolli, të cilit, thotë të mos ia ketë vazhduar mandatin e drejtorit, pikërisht për shkak të performancës së dobët menaxheriale.

Hoti këmbëngul se momentin që është emëruar shefi i ri i stomatologjisë, automatikisht ka ndërmarrë të gjitha veprimet dhe e kanë riparuar karrigen e vjetër të doktor Beqajt, kurse të renë e kanëmontuar në QMF në Arbëri. Ai kategorikisht mohon që pajisja të ketë qenë e përdorur, apo t’i ketë munguar diçka. “Por pse ka ardhë e grrithtë, atë jemi duke e shqyrtu, si edhe faktin se pse komisioni e ka pranuar ashtu”.

Shefi i kompanisë “Edi Med”, Bedri Buzuku, pavarësisht insistimeve tona për ta intervistuar, dhe pas premtimit se do të përgjigjej në interesimin tonë, kurrsesi nuk ka pranuar të takohet e as të autorizoj dikë në kompani që të sqaroj procedurat e këtij tenderi si dhe akuzat ndaj kompanisë së tij.

Kurse në drejtoratin e shëndetësisë, sipas zëdhënësit të komunës së Prishtinës, Asdren Osajt, janë duke hetuar gjithë situatën dhe do të ndërmirren veprime konform lëshimeve që do të gjejë komuna.