Policët Rrëfejnë Presionet Prej Drejtuesve të Tyre

Tre zyrtarë të Policisë së Kosovës kanë rrëfyer për pengesat që u paraqiten atyre nga eprorët e vetë gjatë hetimeve të rasteve të komplikuara në vend.

I pari nga ta është një rreshter i cili ka treguar për ndërhyrjet e eprorëve të tij në momentet kur të arrestuarit janë të lidhur me interesat e drejtuesve të Policisë së Kosovës, si dhe me interesat politike e biznesore.

“Ne nuk jemi të kënaqur fare për arsye se kemi pengesa nga stafi menaxhues në të shumtën e rasteve kur përfshihen interesat e tyre”, thotë ky rreshter identitetin e të cilit gazeta e mbron.
 
Sipas tij, njerëzit që e shkelin ligjin kanë favore në polici. “Nganjëherë personat të cilët e thyejnë ligjin i kanë favoret në polici më të mëdha se policët, dhe në qoftë se  i prek disa prej tyre, atëherë do të jesh në fokus ashtu që ndaj teje të merret një masë”, tregon rreshteri.

Polici thotë se veprimet e tilla dhe kërcënimet që po bëhen ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës bëjnë që ata të zmbrapsen nga hetimet e rasteve të kësaj natyre. “Tash shpesh përdoret në polici thënia ‘me shku me ba ditë, edhe me shku n’shpi’”, shprehet polici.

Ai thekson se ka pasur raste kur ka arrestuar një të dyshuar, i cili, pas dy orësh, përmes lidhjeve të tij, është liruar.

Një polic tjetër ka rrëfyer se si kolegët e tij ishin penguar në kryerjen e rasteve. “Ka pasur raste që i di kur të tjerë kolegë kanë pasur pengesa që të kryejnë punën e tyre”.

Polici i tretë i intervistuar sqaron se si personat e arrestuar ndodhë të jenë drejtpërdrejt të ndërlidhur me eprorët e policisë.

“Ka koleg që i ka ndodhë t’i tërhiqet vërejtja për shkak se e ka ndalë njeriun e tij (eprorit)”, thotë ky polic.

Sipas tij, policët në këso raste nuk guxojnë ta kryejnë detyrën e tyre deri në fund, për shkak se edhe në rastet kur kanë vepruar drejtë, ekziston rreziku i ndëshkimit të tyre – si përmes ndërrimit të vendit të punës ose edhe shqiptimit të masave disiplinore.

Edhe zyrtarët e Policisë së Kosovës nuk mohojnë se mund të ketë raste të tilla. Megjithatë, ata thonë se pjesëtarët e PK-ës kanë ku të ankohen nëse eprori i tyre bën diçka të padrejtë.

“Me kodin e Procedurës Penale, prokurori publik i udhëheq dhe i mbikëqyr hetimet. Nuk e di në çfarë variante mundet dikush prej eprorëve policorë ta pengoj dikë në zhvillim të hetimeve, veç nëse ai bie ndesh me ligjin”, thotë nënkoloneli Naim Rexha, ndihmësdrejtor në Policinë e Kosovës

Po ashtu Rexha nuk e di nëse ka njerëz të cilët Policia e Kosovës nuk ka guxim t’i arrestojë. “Bukfalisht nuk besoj që ka të tillë dhe nuk e njoh asnjë të tillë. Asnjë polic nuk më ka thanë ndryshe. Nëse ka të tillë, atëherë polici duhet të shkojë dhe ta njoftojë prokurorin”, thotë Rexha

foto  
Naim Rexha  

Masat disiplinore

Policët e intervistuar thonë se ata ndëshkohen nga eprorët e tyre edhe në rast se refuzojnë që t’iu përshtaten interesave të eprorëve.

“Kemi frikë se ata marrin masa ndaj neve, na transferojnë, na suspendojnë”, thotë polici i parë. Sipas tij, masat disiplinore janë mënyrë për t’i nënshtruar policët të cilët nuk pranojnë t’i lirojnë apo t’i ndalin hetimet për kriminelët e lidhur me eprorët e policisë.

E policët tjerë të intervistuar thonë se me masat më të thjeshta që merren ndaj tyre, në rast se ata refuzojnë t’i lirojnë apo nuk i mbyllin hetimet me urdhrat e eprorëve, ata suspendohen nga puna ose transferohen për të punuar në njësi të tjera.

Edhe zyrtarët e PK-së pranojnë se ka raste kur policët janë ankuar në Komisionin për Ankesa dhe Transfere në Policinë e Kosovës për transfere dhe se ankesat e tyre kanë qenë të bazuara. Mirëpo, ata nuk sqarojnë nëse kanë marrë masa për eprorët të cilët i kanë transferuar policët në mënyrë jo të rregullt.

“Nuk e di pse nuk janë marrë masat për eprorët, por sigurisht procedurat  janë duke zhvilluar për ta”, thotë nënkoloneli Naim Rexha.

Mirëpo se ka raste kur transferet e policëve kanë rezultuar si të gabuara, e pranojnë edhe zyrtarët e Sindikatës së Policisë së Kosovës.

“Është çështje e rasteve, po në përgjithësi ka shumë raste në të cilat ankesat e zyrtarëve të ndryshëm kanë rezultuar pozitive por ka raste që janë hedhur si të pabazuara”, thotë Shaban Tasholli nga Sindikata e Policisë së Kosovës.

Sipas tij, Sindikata edhe pse ka një marrëveshje me Policinë e Kosovës nuk ftohet të jetë pjesë e bordeve të ankesave ku vendoset për ankesat dhe fatin e policit të Kosovës.