Komunat Diskriminojnë Varrezat Ortodokse

Në ditën e kremtes së pashkëve ortodokse, më 10 prill, Radomir Milenkoviq kishte ardhur në Pejë nga Podgorica, Mali i Zi, për të vizituar varrin e djalit të vdekur 20 vjet më parë.

Sikur i shumë të tjerëve, varri i të birit të Radomirit  mezi dallohet në një cep. Pllaka e mermertë me emrin dhe të dhënat e tij është thyer dhe ka mbetur veç rrethoja që vetëm familjarët e tij e dinë se i përket të virit të tyre.

Ky serb 68 vjeçar ankohet se varrezat po dëmtohen nga aktivitetet e përditshme të njerëzve dhe kujdesi që s’u është dhënë me vite. “Këtu nuk dihet i kujt është varri. Nuk ka kush kujdeset për to. Më herët kisha dhe komuna paguanin për mirëmbajte, por tani jo”, thotë ai.

Edhe tani, sipas ligjit për vetëqeverisje lokale, që është në fuqi nga viti 2008, komunat ndajnë buxhet për shërbimet publike ku hyjnë mirëmbajta dhe riparimi i varrezave.

Por, asgjë nuk ka shkuar për varrezat ortodokse në këtë komunë.

Drejtori i drejtorisë komunale për shërbime publike në Pejë, Naim Sahiti, pranon që deri më tash nuk janë ndarë mjete me arsyetimin se buxheti ka qenë i vogël.

Sipas tij, vitin e fundit janë ndarë 25 mijë euro për mirëmbajtje të varrezave të të gjitha përkatësive fetare në gjithë regjionin e Pejës. “Kemi paguar një kompani që ka pasur për detyrë të pastrojë dhe kemi paguar punëtorë sezonalë në qyet dhe nëpër fshatra”, thotë Sahiti.

Por në varrezat ortodokse në Pejë dora e kujdesit duket vetëm aty-këtu tek disa varre që edhe ashtu mësohet se është bërë nga familjarët.

Çdo vit nga buxheti komunal i Pejës, sipas Naim Sahitit, ndahen 25  deri në 50 mijë euro për mirëmbajtjen e varrezave.

Por varrezat ortodokse ende vazhdojnë të përjashtohen nga ky përfitim edhe në qytete tjera përveç Pejës.

Në hyrje të qytetit, në Mitrovicë, prej vitesh ekziston fotografia e njëjtë e varrezave të shkatërruara gjithashtu. Nenad Ivanoviq, një banor nga Mitrovica, thotë se me vetiniciativë e ka kositur disa herë barin në varreza, por nuk ka mundur të bëjë më shumë.

“Janë shumë të dëmtuara. Diku i kanë thyer njerëzit diku shiu, era e bora. Të gjitha bashkë e sollën këtë kaos. Komuna e ka për detyrë t’i mirëmbajë, por ka edhe vende që ka edhe varreza myslimane të dëmtuara”, thotë Ivanoviq.

Drejtori komunal për shërbime publike, Rasim Veseli, thotë se varrezat e pambajtura janë një imazh i keq i qytetit. “Ne kemi pasur një buxhet prej 30-40 mijë eurove në vit dhe jemi munduar të ndajmë atë për mirëmbajtje të varrezave të të gjitha komuniteteve”, thotë Veseli.

“Por me nuk mund të riparojmë pllaka sepse ato janë tejet të kushtueshme. Kemi pasur një projekt që ka kushtuar afërsisht 200 mijë euro, por nuk kemi mundur të gjejmë mbështetës financiarë për të”, shtoi ai.

Mirëpo sipas Nenad Ivanoviqit, i cili ka  6 familjarë të varrosur në këtë vend, askush nuk ka  qenë për të pastruar në këtë vend ndër vite.

Marko Jakshiq, kryetar i të ashtuquajturit Këshillit Kombëtar Serb i Kosovës, thotë se varrezat e dëmtuara janë imazh i keq për të gjithë. “ Në shumë vende po mungon respekti i të gjallëve për të vdekurit. Edhe serbët edhe shqiptarët nuk po tregojnë kujdes për varrezat”, thotë Jakshiq për Gazetën JnK.
 
Përdhosja e varrezave 
 
Misioni i OSBE-së në Kosovë në një raport të publikuar në fund të vitit të kaluar ka nxjerr se janë 392 varreza ortodokse të dëmtuara prej të cilave 229 me nivel tejet të lartë shkatërrimi.

Përveç që raporti konstaton se varrezat janë dëmtuar qëllimshëm, nuk mirëmbahen dhe komunat nuk ndajnë buxhet për to, aty thuhet se ato vazhdojnë të përdhosen.

Zëdhënësi i misionit të OSBE-së në Kosovë, Nikola Gaon, thotë se megjithatë dëmtime të varrezave kanë ndodhur edhe pas publikimit të raportit. “Ne nuk kemi marrë vlerësim sistematik për këtë çështje sepse ato zakonisht bëhen në fund të vitit. Megjithatë, ne kemi marrë raporte se disa varreza janë dëmtuar pas publikimit që kemi bërë”, ka thënë ai.

foto  
Varrezat hebre në Prishtinë, cak i vandalizmit të para disa muajve  

 

Sipas Gaon, disa komuna si Prishtina, Fushë Kosova e Lipjani kanë bërë përpjekje për t’i pastruar ato.

Por duket se vetëm komuna e Fushë Kosovës ka paguar punëtorë për të pastruar ferrat dhe barishtet nëpër varreza. Ndërsa në Prishtinë të njëjtat i kanë hequr disa anëtarë dhe simpatizantë të Partisë Liberale Serbe të ministrit të Pushtetit Lokal Slavisha Petroviq.

Sekretari permanent i kësaj ministrie, Besnik Osmani, thotë se gjendje e rëndë e varrezave ekziston sidomos në Mitrovicë dhe Prishtinë. “Mirëmbajtja e varrezave është në kompetencën e organeve të vetëqeverisjes lokale. Përkundër kësaj vetëm një numër i caktuar i komunave kanë planifikuar dhe shpenzuar buxhet për  varrezat. Edhe më pak për varrezat ortodokse”.

“Arsyetimi i menaxhmentit të komunave është se lista e prioriteteve është e gjatë dhe nuk kanë para për këtë çështje. Ne megjithatë kërkojmë respektim ligji si respektim për të vdekurit”,ka thënë Osmani.

Lutfi Paqarda, koordinator i  Ndërmarrjes “Hortikultura”, e cila është përgjegjëse për mirëmbajtjen e varrezave në Prishtinë mohon të kenë bërë diskriminim në ndarje buxheti apo shërbimet që kanë ofruar, megjithëse pranon se  shërbime më shumë ofrojnë për varrezat tjera në qytet.

Kujdesi për trashëgiminë kulturore dhe për varrezat si pjesë e ruajtjes së respektit për trashëgiminë njerëzore ka qenë e theksuar disa herë nga Zyra Civile Ndërkombëtare.

 “Kujdesi dhe mbrojtja e të gjitha varrezave përfshirë edhe ato ortodokse është përgjegjësi e komunave ku ato gjenden. Fatkeqësisht ka pasur vandalizëm ndaj varrezave ortodokse, atyre myslimane dhe herreje të raportuar. ICO së bashku me Zyrën e Kryeministrit ka qenë e angazhuar për të mbështetur mbrojtje e varrezave ortodokse serbe dhe të tjerave”, i ka thënë gazetës zëdhënësi i ICO-së, Christian Palme.